Sjellja e Vjosa Osmanit dhe VV-së, pengesë që Kosova u vonua “ta zë trenin e fundit” për liberalizim të vizave?

Sjellja e Vjosa Osmanit dhe VV-së, pengesë që Kosova u vonua “ta zë trenin e fundit” për liberalizim të vizave?

Janë bërë më shumë se 10 vjet që kur Komisioni Evropian e lansoi dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën, më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i dorëzoi autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili identifikoi masat legjislative dhe institucionale që Kosova do duhej t’i miratojë dhe zbatojë për të përparuar drejt liberalizimit të vizave. Kosova ishte shumë – shumë afër liberalizimit të vizave në vitin 2016, megjithatë vonesa e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi u bë pengesë, që edhe atëherë, “Kosovës të i ikë treni”.

Kundërshtimi i Demarkacionit me Malin e Zi,  pengesë për liberalizimin e vizave – Kush e kundërshtoi, njërin ndër kriteret kryesore që Kosova të ecë lirshëm në Evropë?

Presidentja Vjosa Osmani, në atë kohë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte qenë në grupin e deputetëve që e kundërshtonin demarkimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo së bashku me disa kolegë të LDK-së, si Shpejtim Bulliqi, tash deputet dhe kryetar i Podujevës në radhët e Vetëvendosjes, kishin dalur kundër shefit të tyre, Isa Mustafa, i cili udhëhiqte me qeverinë.

Në anën tjetër, Albin Kurti sa ishte deputet në radhët e Vetëvendosjes, së bashku me shokët e tij partiak, zgjodhi dhunën si mjet politik për të penguar seancën për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. U deshën tre vjet që t’i jepet fund një teme, debatet rreth së cilës ndër vitet u shoqëruan edhe me akte të dhunshme, brenda seancave dhe jashtë seancave në rrugët e Prishtinës.
Për këtë dhunë që u bë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, nuk munguan as kritikat e reagimet më të ashpra të ndërkombëtarëve në Kosovë.

Ishte reagimi i ish-ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie nga ambientet e kuvendit, i cili tha se dhuna si mjet politik nuk ka vend në Kosovë.

“Dita e sotme ishte zhgënjim për mua, njerëzit që s’kanë ide, i kthehen dhunës politike për të përmbushur qëllimet e tyre, kjo nuk duhet të ndodhë në Kosovë sepse, Kosova është më shumë se kaq. Kjo nuk duhet të ndodhë në një shtet evropian. Kam respekt për të gjithë deputetët që me mjete demokratike po provojnë të arrijnë qëllimin e tyre, kalimin e demarkacionit me Malin e Zi, prandaj i nxis ata që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit”, u shpreh ambasadori Greg Delaëie.

Hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend e dënoi edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.
“Kjo s’mund të shërbejë si një shembull i mënyrës për të luftuar për ide dhe politikë në forumin më të lartë politik në vend”, shkroi ambasadori Heldt.

E tronditur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës u shpreh edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

“Ngjarjet që ndodhën në Kuvendin e Kosovës nuk janë popullore. Unë jam e shokuar çfarë ndodhi në kuvend. Hedhja e gazit lotsjellës në parlament në vendin ku duhet të zhvillohet debat, është kundër principeve të BE-së dhe kjo e sjell Kosovën parapa në zhvillimin e saj demokratik. Unë përgëzoj deputetët që morën guximin për t’u kthyer në seancë dhe ta votojnë demarkacionin”, tha Natalya Apostolova.

Nuk vonoi shumë dhe për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend kishte reaguar edhe komisioneri evropian për zgjerim, Johannes Hahn.

“E dënoj fuqishëm përdorimin e gazit lotsjellës. Një sjellje e tillë nuk ka vend në demokraci. Në këtë ditë të rëndësishme, liderët kosovarë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit. Qytetarët e tyre vetëm mund të përfitojnë nga ky hap drejt liberalizimit të vizave”, shkroi në profilin e tij Johanes Hahn.

A ishte kjo sjellje e Vetëvendosjes, pengesë që Kosova u vonua, “ta zë trenin e fundit” për liberalizim të vizave?

Ish-raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, u kishte kujtuar politikanëve kosovarë kohën kur vendi ishte shumë afër heqjes së regjimit të vizave për qytetarët, para se të shprehte kritikat për dështimin e qeverisë në rekomandimet kryesore të bllokut. Ai kishte thënë se këshilla e paraardhëses së tij, Ulrike Lunacek, për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk u dëgjua, ndërsa premtimet e politikanëve në fushata shpeshherë nuk përputhen me realitetin.

“Në vitin 2016 Kosova ishte në bordin e trenit të liberalizimit të vizave, së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Duke i ditur mirë procedurat e brendshme të BE, paraardhësja ime Ulrike Lunacek i paralajmëroi shumë herë politikanët e Kosovës se humbja e atij treni do ta ngadalësonte procesin pafundësisht. Kjo është arsyeja pse ajo insistoi në ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi sa më shpejt që të jetë e mundur. Por këshilla e saj nuk u dëgjua. Kosova tani është jashtë trenit dhe ende nuk e dimë kur Kosova do të jetë në gjendje ta kapë përsëri atë. Kjo ka qenë një mundësi e humbur dhe tash qytetarët e Kosovës po e paguajnë koston e kësaj”, kishte thënë Soltes.

Jo liberalizim, mbështetje

Kosovës, sikur edhe shumë vite më parë, po i jepet mbështetje për liberalizim të vizave, megjithatë nuk janë marrë hapa konkretë për një vendim pozitiv nga Bashkimi Evropian.

Sot, është mbajtur Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, ku presidentja Osmani ka qenë e pranishme, megjithatë nuk ia doli të i bindë vendet si, Franca dhe Holanda, për të dhënë dritën jeshile për liberalizim të vizave.

Osmani pas ka thënë se ka pasë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave për Kosovën, megjithatë duhen hapa konkretë për këtë çështje.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën. Së pari, për perspektivën europiane të saj, së dyti për liberalizimin e vizave dhe e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë përveç thjesht deklaratave. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”.

Osmani tha se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të këshillit të ministrave për liberalizim.

“Kanë qenë deklarata më pozitive që kemi dëgjuar deri më tash për liberalizim, përfshirë edhe nga shtetet që kanë qenë hezituese në të kaluarën kanë shfaqur mbështetje sot dhe kërkuan progres në këtë drejtim”, tha Osmani pas samitit.

Megjithatë, Osmani tha se s’do ta përmendë asnjë shtet anëtar, sepse pret mbështetje nga të gjithë. /PERISKOPI/E.Rr/

Shpërndaje në: