S’ka ende raport të autopsisë për vrasjen e Marigona Osmanit

S’ka ende raport të autopsisë për vrasjen e Marigona Osmanit

Më 22 gusht 2021 ndodhi një ngjarje tragjike në Ferizaj ku 18-vjeçarja, Marigona Osmani është privuar nga jeta në një banesë në këtë qytet.

E ndjera është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga dy persona të dyshuar.

Bëhet fjalë për Arbër Sejdiun dhe të dyshuarin kryesor, Dardan Krivaqën, të cilët janë arrestuar menjëherë. Me këtë të fundit Marigona ishte martuar dy muaj para ngjarjes së rëndë.

Edhe pse na ndajnë 12 ditë nga ky rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ende nuk ka pranuar raportin e autopsisë lidhur me rastin e vdekjes së 18-vjeçares.

“Sa i përket kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Ferizaj, ende nuk e ka pranuar raportin e autopsisë lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares ne Ferizaj“, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Disa ditë pas vdekjes së saj, një çertifikatë nga Mjekësia Ligjore e Kosovës iu është dorëzuar familjes të së ndjerës.

Kështu ka bërë të ditur Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, e cila zbuloi se në atë çertifikatë përmendet qartë se në rastin e vrasjes së 18-vjeçares, ka të bëhet me politraumë.

”Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka çertifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike. Çertifikata e autopsisë, i lëshohet familjes, dhe në të është e shkruar qartë dhe saktë se në këtë rast kemi të bëjmë me Politraumë”./Indeksonline/

Shpërndaje në: