S’ka qenë në kohën e profetit, është çpikur më vonë: Naim Frashëri para 100 vitesh për mbulimin e femrës myslimane

S’ka qenë në kohën e profetit, është çpikur më vonë: Naim Frashëri para 100 vitesh për mbulimin e femrës myslimane

Ben Apolloni, në një shkrim të publikuar në Facebook, sjell mendimet e Naim Frashërit, për mbulesën e femrës myslimane në fytyrë.

Çfarë thoshte poeti kombëtar, Naim Frashëri, për mbulimin e femrës muslimane, 100 e ca vjet më parë?

“Të mëshehurit dhe të mbuluarit e fytyrës së gruas s’ka qënë në kohën e profetit, por është çpikur më vonë. Ndalim i math në përparimin e një kombi!

Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa patur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijësë, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rrin veç gruas?

Ç’dashuri, ç’ arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë e një të tillë familje…

Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri se fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë”, shkruante Naim Frashëri.

Një biografi e shkurtër e rilindasit dhe atdhetarit të madh: Naim Frashëri u lind në vitin 1846 në Frashër. Në vendlindje mori mësimet e para dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869).

Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas punoi si doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat” (Ëndërrimet, 1885).

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë ishte “Shqipëria” (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa përkthime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.

Naim Frashëri vdiq në vitin 1900.

Shpërndaje në: