SKANDALI: Gjyqtarja Zatriqi i jep dënim qesharak personit që dhunoi 15 vjeçaren

SKANDALI: Gjyqtarja Zatriqi i jep dënim qesharak personit që dhunoi 15 vjeçaren

Në këto orë mund t’i shihni shumë reagime nga grupe apo aktivistë feministë në Kosovë që dënojnë një vendim të një gjykate në Pejë dhënë ndaj një dhunuesi të një 15 vjeçareje para dy muajve. Çka ndodhi në të vërtetë?

Dy muaj më parë, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë me emrin Florije e mbiemrin Zatriqi e kishte dënuar me vetëm tetë muaj e tetë ditë qytetarin që kishte dhunuar të miturën.

Gazeta Grazeta shkruan që kjo gjyqtare nuk kishte gjetur asnjë rrethanë rënduese ndaj personit në fjalë, dhe hiç më pak se 10 rrethana lehtësuese.

Sipas aktakuzës në fjalë, ngjarja e rëndë kishte ndodhur në janarin e vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21 vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bënë fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Shpërndaje në: