Skandaloze: Zbulohet se si Azem Syla punësonte me listë njerëzit e tij në BQK
Gazeta Fjala ka siguruar listën e plotë të të punësuarve në këtë institucion prej kur ish-ministri i Financave të Kosovës Bedri Hamza, nga Partia Demokratike e Kosovës, është bërë Guvernator i BQK-së në vitin 2013.
Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 54 veta, kryesisht të afërt me politikanë dhe njerëz me pozita udhëheqëse në Kosovë. Janë bërë shkëmbime punëtorësh me institucione tjera e graduar të tjerë. Ndërkohë brenda kësaj kohe janë pensionuar ose dorëhequr 22 persona tjerë.
Zyrtarë brenda këtij institucioni kanë identifikuar për Gazetën Fjala disa nga lidhjet familjare të të punësuarve nga viti 2013 e deri në mars 2016.
Ata dëshmojnë se me ardhjen e Hamzës në BQK i është hapur dera edhe nipit të zonjës së parë të shtetit, Alban Gërxhaliut të punoj si zyrtar i ri për Integrim Evropian.
Albani është djali i vëllaut të Lumnije Thaçit, bashkëshortes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Edhe këshilltari i Presidentit, Ismail Syla, ka të punësuar djalin e tij, Taulantin, si ekonomist për stabilitet financiar në BQK.
Jo vetëm guvernatori, por edhe zëvendësi i tij Fehmi Mehmeti duket se është kujdesur për të ofruar afër vetes disa njerëz.
Aferdita Mehmeti, e afërme e zëvendësguvernatorit Fehmi Mehmeti, e cila më parë kishte punuar në “ProCredit Bank” dhe në “TEB”, tani është asistente Ekzekutive në Zyrën e Zëvendësguvernatorit Mehmeti për Mbikëqyrje Financiare.
“Mihrije Mziu – Nuredini, gruaja e vëllaut të Drejtori i Kontrollit të Trafikut Ajror, Bahri Nuredini. Ajo më parë ishte punësuar si zyrtare e financave në Kontrollin e Trafikut Ajror, ndërsa nga viti 2013 u transferua në BQK”, tregon për Gazetën Fjala zyrtari i BQK-së.
Përveç kësaj, e punësuar tjetër, Albulena Thaçi, thotë se është mbesë e deputetit të PDK-së Xhavit Haliti, e punësuar në Banken Qendrore të Kosovës si mbikqyrëse bankare.
“Atdhe Bytyqi, i cili punon në këtë institucion si zyrtar ligjor, është punësuar me ndihmën ish- zëvendësguvernatorit Fatmir Gashi”.
Ndërkaq, për Denis Dautaj, i cili mbanë pozitën e zyrtarit të lartë të pajtueshmërisë AML në BQK, tregon se është i afërm i Syzana Dautaj, pjesë e “Intyernational Financial Corporation” e Bankës Botërore.
Ida Fetiu, Asistente në Zyrën e Zëvendësguvernatorit për Funksione të Përgjithshme është vajza e drejtorit të departamentit të dëmeve në kompaninë e Sigurimeve Eurosig, Shkëlzen Fetiut.
“Labinot Preniqi, Udhëheqës i Divizioni për Parandalimin e Pastrimit të Parave, është i afërm i guvernatorit Bedri Hamza dhe është punësuar direkt nga guvernatori”.
Në listë është edhe Bajram Zhegrova, Mbikëqyrës i ri për Sigurime, është djali i agjës së Shpetim Zhegrovës, kryesues i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë.
Gjatë kësaj periudhe në këtë institucion është punësuar edhe Besarta Jashari – vajza e Hamzë Jasharit dhe Albulenë Zogu-Demaku gruaja e ish kryetarit të Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, për të cilat është raportuar edhe më parë.
Gazeta Fjala, pa paragjykuar aftësitë dhe procesin e punësimit të tyre, publikon të plotë listën e të gjithë të punësuarve, të siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Pas gati një viti përballjesh me zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, është arritur të hidhet poshtë si i kundërligjshëm formulari i këtij institucioni, i cili kufizonte qasjen në të dhënat publike.
Avokati i Popullit ka konstatuar se BQK, në emër të lehtësimit të palëve për qasje kishte vepruar kundërligjshëm duke aplikuar një formë të vetëën për qasje në dokumente publike./Gazeta Fjala/





