‘S’më del rroga, do iki në Gjermani’, rrëfimi ekskluziv i policit të burgjeve

Periskopi.com Lajme

Punonjësit e Policisë së Burgjeve protestuan pak ditë më parë duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më të mira pune.

Një prej tyre, në kushtet e anonimatit pasi i druhet një mase disiplinore apo shkarkimi nga detyra, rrëfen për Euronews Albania, peripecitë që përballen prej vitesh.

Sipas tij, shumë policë burgjesh po mendojnë emigrimin në Gjermani.

“Kemi një pagë minimale. 420 mij lekë (të vjetra) sikur te jemi invalidë të punësuar. Stresi është maksimal, je në punë orar pa orar. Unë banoj me qira, paguaj 250 mijë lek të vjetra, llogarite sa ngelin. Ç’të paguash më parë, këtu fillon lufta, mbas ditës së qirasë, të paguash dritat, ujin, çerdhen e fëmijës. Përditë po kërkojnë të largohen kolegë, na e kanë kthyer shërbimin në 12 orë. Po na detyrojnë të lëmë vendin tonë, detyrën patriotike dhe të ikim emigrantë në Gjermani”, u shpreh ai.

Punonjësi i Burgjeve tha më tej se kërkojnë rritje të pagës, pasi ndodhen në gjendje jo të mirë financiare.

“Kërkojmë rritjen e pagës të paktën barazimin e pagave dhe trajtimit me shërbimet e tjera, kolegët tanë të rendit, gardës, ushtrisë. Ne madje kemi vështirësi edhe më shumë se ta. Ne jemi baraz me të burgosurin”, u shpreh ai më tej.