Snajperistët e FSK-së arrijnë rezultate të larta në Turqi

Periskopi.com Lajme

Nga Forca e Sigurisë së Kosovës kanë bërë të ditur se snajperistët kosovarë janë renditur në vendin e pestë në garat që janë zhvilluar në shkollën e Komandos në Egirdir të Turqisë.

Në një njoftim të lëshuar thuhet se në garë morën pjesë 26 ekipe nga 12 shtete.

“Kjo garë çdo vit mbledh shumë ekipe nga shtete të ndryshme të botës për të garuar me ekipet e tyre elite të snajperistëve. Kjo garë, përveç qëllimit garues, kishte për qëllim njohjen, marrjen dhe shkëmbimin e njohurive të reja nga snajperistët pjesëmarrës”.

“Gara u zhvillua në disiplina të ndryshme si: qitje nga pjerrësitë, qitje nga barka, qitje nga helikopteri, qitje dyshe, qitje nga barrikada, navigim ditën dhe natën, qitje me revole, fshehje dhe gjetjen e armikut etj”.

“Ekipi i FSK-së tregoi një përkushtim dhe profesionalizëm shumë të lartë, duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze FSK-në dhe shtetin e Kosovës”, thuhet në njoftim.