Sot konstituohet Komisioni Hetimor për energjinë i opozitës

Sot konstituohet Komisioni Hetimor për energjinë i opozitës

Sot do të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, si dhe anëtari tjetër deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), do të jenë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, zëvendës kryesues Armend Muja.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare është deputetja Time Kadrijaj.

Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.

Komisioni që do të konstituohet sot do të mund të nxjerrin në pah problemet që i ka pasur Kosova me energjinë nga koha e Ish-UNMIK-ut, në vitin 2006 e që për lidershipin e Kosovës ishte kohë bisedimesh dhe parapërgatitje për statusin e Kosovës, raporton RTKlive

Pothuajse të gjitha partitë politike që nga vitit 2006 kanë qenë pjesë e qeverive në Kosovë. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka kohë të shkurtër që udhëheq me qeverinë, individë të saj kanë qenë pjesë e qeverive të kaluara.

Në kuadër të komisionit hetimor të krijuara nga Kuvendi i Kosovës do të jenë shumë persona, të cilët kanë pjesë nëpër sistemin energjetik të Kosovës, siç janë:, ZRRE-ja, KEK-u, KOSTT-i, KEDS-i etj.

Komisionin Hetimor për Energjinë të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, afati kohor për hetim do të jetë prej vitit 2006, atëherë kur në Kosovë ishte drejtues i vendit, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të KB-ve në Kosovë (PSSP) .

Nga viti 2006, Komision Hetimor për Energjinë, i votuar me propozim të pozitës, do të mundë të hetojë disa nga këta persona ose edhe të tjerë: Ethem Çeku, Pranvera Dobruna, Remzi Shahini, Nagip Krasniqi, Fadil Ismajli, Justina Shiroka – Pula, Blerand Stavileci, Valdrin Lluka, Besim Beqaj, Blerim Kuqi, Artane Rizvanolli, Arben Gjukaj, Njazi Thaçi, Luigj Imeri,  e persona të tjerë.

Të gjithë këta kanë qenë në krye të dikastereve që kanë pasur të bëjnë me energjetikën.

Një hetim i cili do t’i marrë më shume kohë ka të bëjë me shitjen e distribucionit të energjisë elektrike si dhe shitjen e hidrocentraleve, për të cilat ka pasur më shumë debat. Komisioni do të ketë punë me Besim Beqaj, ish kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi, Lorik Fejzullahu.

Problemi i shitjes së distribucionit ka qenë shpesh “mollë sherri”, me VV-së dhe pozitës e cila në kohën e shitjes së tij ishte në opozitë.

Ndryshe sistemi energjetik i Kosovës ka funksionuar nga këto institucione: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) u themelua në qershor 2004, organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në Sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (Ky traktat është nënshkruar nga Bashkimi Evropian dhe nëntë partnerë nga Evropa Juglindore në Athinë në muajin tetor 2005 për krijimin e kornizës ligjore për një treg të integruar të energjisë).

Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

KOSTT SH.A. është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 % të aksioneve shtetërore. Sipas Ligjit për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS) pronë e kompanive turke Çalik Holding dhe Limak ka nisur operimet më 8 maj 2013, pas shitjes me 26 milionë euro nga qeveria e Kosovës. Në bazë të licensave nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës.

KESCO – Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike e themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumi Limak-Çalik, është kompani që ka epitetin e furnizuesit publik të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

Shpërndaje në: