Spanja e ripërsërit, nuk e njohim pavarësinë e Kosovëa

Spanja e ripërsërit, nuk e njohim pavarësinë e Kosovëa

Qëndrimet e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën nuk kanë ndryshuar as pas arritjes së marrëveshjes në Ohër për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin për zbatim.

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës ka bërë të ditur se vendi ende i qëndron qëndrimit të saj se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Spanja mban qëndrimin e saj se nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Kosova në vitin 2008 dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadër të dialogut me mbështetjen e BE-së”, tha Elena Aljarila Cortezon nga MSP spanjolle.

Me rastin e arritjes së marrëveshjes në Ohër, Cortezon tha se Spanja mirëpret përparimin e bërë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borell dhe të të dërguarit special Miroslav Lajçak.

Ai shton se zbatimi i marrëveshjes në Ohër, së bashku me marrëveshjet paraprake, është një mundësi që nuk duhet humbur.

“Në këtë aspekt, Spanja mirëpret marrëveshjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ne njohim dhe mbështesim përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, së bashku me marrëveshjet e mëparshme, është tani thelbësore, pasi kjo është një mundësi që nuk duhet humbur”, përfundoi Cortezon.

Ashtu si Spanja, edhe Greqia nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj për pavarësinë e Kosovës. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, dikur nga Athina, e më pas gjatë një vizite zyrtare në Beograd, ka theksuar se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ditë më parë la të kuptohet se marrëveshja në Ohër mund të inkurajojë vendet e BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kjo është sigurisht një çështje për të cilën ne jemi ende duke punuar, por unë gjithashtu mendoj se kjo marrëveshje, nëse zbatohet, në fakt na çon drejt njohjes nga këto vende,” tha Blinken.

Përveç Spanjës dhe Greqisë, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja nuk e njohin Kosovën.

Shpërndaje në: