Spanja kritikon kryeministrin e saj pasi foli me Kurtin në Slloveni

Spanja kritikon kryeministrin e saj pasi foli me Kurtin në Slloveni

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka konfirmuar dje se është përshëndetur me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, gjatë samitit BE-Ballkan që është mbajtur në Slloveni, shkruan Eruopa Press, transmeton Expressi.

Sanchez ka thënë se gjatë kësaj përshëndetje me Kurtin kanë diskutuar edhe për punën e dialogut Kosovë-Serbi, dhe se ka inkurajuar palët në gjetjen e një marrëveshje që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe që do të ishte e pranueshme për të dy palët.

“Kam pasur rastin të përshëndes kryeministrin dhe t’i them se ne mirëpresim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe i inkurajojmë të dyja palët që të gjejnë marrëveshje që është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe që kënaqë të dyja palët”, ka thënë Sanchez.

Ndërsa, teksa a folur për vendimin që Spanja të marrë pjesë në një Samit ku është edhe Kosova, Sanchez ka thënë se është e pa imagjinueshme që të mungojnë në një Samit ku marrin pjesë 26 shtetet anëtare të BE’së.

“A mund ta imagjinoni që Spanja mungonte në këtë samit kur kanë qenë 26 shtetet e tjera anëtare? Ne duhet të jemi në debate për të dhënë mendimin tonë,” , ka thënë Sanchez.

Ndërkohë për pjesëmarrjen në Samit dhe për përshëndetjen me Kurtin, Sanchez ka marrë kritika nga Spanja.

Zëdhënës i Grupit Popullor në Kongresin spanjoll, Pablo Hispan, ka thënë se vendimi për pjesëmarrje në Samit është një “pakuptimësi e re” e politikës së jashtme të Qeverisë së Spanjës, derisa thekson se me një veprim të tillë është prishur pozicioni shtetëror që Spanja e ka mbajtur për një dekadë.

Hispan thotë se Sanchez është dorëzuar. Kritika në adresë të Sanchez kanë shkuar edhe nga politikani tjetër spanjoll dhe anëtari i Kongresit, Pablo Casado.

 

Shpërndaje në: