Spanjë, grevë kundër “detyrave të shtëpisë” për nxënësit

Spanjë, grevë kundër “detyrave të shtëpisë” për nxënësit

Si pjesë e grevës, nxënësve të 12 mijë shkollave në vend do t’i kërkohet që të mos bëjnë detyra shtëpie në fundjavë, gjatë gjithë muajit nëntor.

Aleanca spanjolle e Shoqatave të Prindërve, e cila organizoi grevën, tha se detyrat e shtëpisë janë të dëmshme për fëmijët. Sipas një raporti të vitit 2012. nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Spanja është një nga vendet që cakton më shumë detyra shtëpie për nxënësit.

Raporti i “Pisa”-s zbuloi se fëmijët dhe adoleshentët spanjollë kanë 6.5 orë detyra shtëpie në javë, në krahasim me 4.9 orë të mesatares së 38 vendeve. Spanja ishte e 11-a në listën me 64 vende për ngarkesë detyrash shtëpie. Por, ngarkesa me detyra shtëpia nuk përkthehet detyrimisht në rezultatet më të mira dhe nxënësit spanjollë, tradicionalisht kanë pasur rezultate të dobëta në matematikë, shkenca dhe lexim.

Në kontrast, Finlanda dhe Koreja e Jugut, dy vende me performancat më të mira studentore, i japin më pak se 3 orë detyra në javë nxënësve. Kritikët në Spanjë thonë se arsimi në vend bazohet ende te metoda e mësimit përmendësh, diçka që pranohet gjerësisht si e dështuar në fushën e arsimit.

Debati për detyrat e shtëpisë është i pranishëm edhe në shumë vende të tjera dhe nuk janë vetëm prindërit e shqetësur. Një mësuese në Teksas i dërgoi letër familjeve të nxënësve, ku i thoshte se nuk do t’i caktonte detyra shtëpie, që ata të kalonin më shumë kohë me familjet.

Një shkollë në Britani hoqi dorë nga detyrat e shtëpisë për të praktikuar një qasje më të pavarur ndaj mësimit. Ndërsa në Korenë e Jugut, autoritetet po konsiderojnë mundësinë që të reduktojnë edhe më tej detyrat e shtëpisë për nxënësit.

Shpërndaje në: