Specialja ia bën edhe një favor Prokurorisë: E lejon të marrë pjesë kur mbrojtja i interviston dëshmitarët e vet

Specialja ia bën edhe një favor Prokurorisë: E lejon të marrë pjesë kur mbrojtja i interviston dëshmitarët e vet

Edhe një kërkesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, e ka marrë ‘aminin’ e Gjykatës. Manuali i intervistimit të dëshmitarëve të mbrojtjes është aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake. Bashkë me të, është pranuar kërkesa e Prokurorisë për të pasur qasje kur avokatët e krerëve të UÇK-së, i intervistojnë dëshmitarët e mbrojtjes.

Prokurorët e Hagës do të mund të marrin pjesë në secilën intervistë që avokatët e krerëve të UÇK-së, e bëjnë me dëshmitarët e tyre. Kështu të paktën thuhet në vendimin e fundit që e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake, në lidhje me manualin e intervistimit të dëshmitarëve. Në vendimin e siguruar nga ‘Nacionale’, thuhet se kjo duhet të bëhet me një kërkesë te trupi gjykues.

Korrupsioni / Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it kthehet në skenë: shfaq pretendime të reja për rastin Kleçka e korrupsionin
Prokuroria kishte kërkuar që të ketë qasje në secilën intervistë, Gjykata Speciale e ka pranuar të njëjtën. Vetëm se, ka vendosur si kusht që ZPS-ja t’i drejtohet trupit gjykues me kërkesë për të marrë pjesë në ato intervista.

Edhe pse në parashtrime përmendet “pala thirrëse” dhe “pala kundërshtare”, te çështja e intervistimit të dëshmitarëve kjo vlen më së shumti për mbrojtjen. Pasi, Prokuroria veç se ka përfunduar pjesën më të madhe të intervistave me dëshmitarët.

“Nëse një palë kundërshtare dëshiron ta intervistojë një dëshmitar të palës tjetër, duhet ta njoftojë palën thirrëse të paktën 10 ditë para intervistës së synuar. Pala thirrëse do të konstatojë në mirëbesim nëse dëshmitari pranon të intervistohet nga pala kundërshtare, dhe duhet ta infromojë dëshmitarin për mundësinë. Pala thirrëse do ta informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari ka dhënë pëlqimin. Përveç kësaj, kur pala thirrëse beson se siguria e një dëshmitari mund të jetë në rrezik, mund të kërkojë nga Paneli Gjyqësor që të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës tjetër dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshira e dëshmitarit”, thuhet decitivisht në vendim.

Rrjete Sociale / Kurti tha se ministri Sveçla udhëton për në Bruksel, ironizon Mushkolaj: Bravo për efikasitetin
“Në rrethana të jashtëzakonshme, një Palë ose pjesëmarrës, pasi të jetë konsultuar mjaftueshëm paraprakisht me Zyrën e Regjistrimit, mund t’i drejtohet Panelit për të kërkuar praninë shtesë të përfaqësuesve të Regjistrimit. Pala thirrëse do të informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari pranon. Përveç kësaj, kur Pala thirrëse beson se siguria dhe siguria e një dëshmitari mund të vihet në rrezik, ose për arsye të tjera legjitime, ajo mund t’i kërkojë Panelit që ta lejojë atë të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës kundërshtare dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshmia e dëshmitarit. Nëse pala thirrëse i tregon palës kundërshtare se do ta bëjë këtë, pala kundërshtare do të përmbahet nga intervistimi i dëshmitarit derisa Paneli të ketë nxjerrë vendimin e tij”, theksohet në vendimin e gjyqtarit.

Sipas gjyqtarit, ky vendim nuk cenon as barazinë e armëve e as gjykimin e drejtë. Kjo pavarësisht, se mbrojtja tashmë nuk ka asnjë gjasë të marrë pjesë në intervistat e Prokurorisë me dëshmitarët, sepse ato veç kanë përfunduar.

“Korniza gëzon bazë në ligj, dhe gjyqtari është i vetëdijshëm se kjo do të respektojë të drejtat e të akuzuarve sipas ligjit ndërkombëtare. Gjyqtari i drejtohet argumenteve të mbrojtjes duke pretenduar se Kornzia shkel një sërë komponentësh për gjykim të drejtë, në lidhje me barazinë e armëve. Ku GJEDNJ ka konstatuar se secilës palë duhet t’i jepet mundësi e arsyeshme për ta paraqitur çështjen e saj në kushte që nuk e vendosin në disavantazh kundrejt kundërshtarit”, thuhet në vendim.

“Së dyti, Mbrojtja pretendon se përfshirja e Prokurorisë në kërkimin e pëlqimit të një dëshmitari për t’u intervistuar dhe prania e Prokurorisë gjatë intervistave të mbrojtjes me dëshmitarët do të ketë një efekt ftohës. Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se shqetësimet hipotetike të ngritura nga Mbrojtja nuk e vë në pikëpyetje përfundimin se, në bazë të konsideratave të lartpërmendura, Korniza e propozuar i lejon ZPS-së të marrë pjesë në intervistat e Mbrojtjes me dëshmitarët. Siç pasqyrohet në Kornizën e propozuar, ZPS-ja do të veprojë me mirëbesim dhe, nëse ka një arsye konkrete dhe thelbësore për të konsideruar se nuk është kështu”, theksohet më tutje.

Në bazë të praktikave ndërkombëtare, kjo mund të shkaktojë vonesa edhe më shumë në procedurën gjyqësore.

E kur pala kundërshtare në këtë rast Prokuroria të kryejë intervistën me dëshmitarët, gjyqtari ka numëruar disa kushte: të sigurojë që intervista të kryhet në mënyrë efektive dhe e shpejtë, të përgatis kopje që i tregohen dëshmitarit me gjuhën që ai e kupton, të përmbahen nga bisedat jashtë kohës së intervistës, dhe të përmbahen nga veprimet kërcënuese.

Në këtë manual të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, gjytari i procedurës paraprake ka vendosur disa kushte edhe për trajtimin e informacioneve konfidenciale gjatë hetimeve.

“Palët dhe pjesëmarrësit kanë detyrim që të mos ua zbulojnë palëve asnjë document ose informacion konfidencial. Ky Kuadër përcakton se zbulimi i dokumenteve ose informacioneve konfidenciale, si pjesë e aktiviteteve hetimore nga një palë ose pjesëmarrës, është përjashtimisht i lejuar”, thuhet në vendim.

Një numër masash të tjera që janë aprovuar në këtë vendim, janë publikuar në faqen e Gjykatës Speciale. Aty parashihen deri në detaje mënyrat e intervistës, kohëzgjatjet, shpalosja e dokumenteve për dëshmitarët etj.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka akuzuar në vazhdimësi gjyqtarin e procedurës paraprake, se poi a mban në vazhdimësi anën Prokurorisë së Specializuar. Deri më tash, pjesa më e madhe e ankesave të avokatëve janë rrëzuar përfshirë Gjykatën e Apelit dhe atë Kushtetuese.

Shpërndaje në: