Spitalet me mungesë të madhe të anesteziologëve, disa reparte rrezikojnë të mbyllen

Spitalet me mungesë të madhe të anesteziologëve, disa reparte rrezikojnë të mbyllen

Hall për shëndetësinë kosovare po del të jetë mungesa e anesteziologëve. Numri i vogël i tyre, nuk po mjafton për t’i kryer shërbimet në spitalet e Kosovës. Një problem i tillë, është në Spitalin e Gjakovës e të Ferizajt.

Në atë të parin, janë vetëm 5 anesteziolog, ani pse kanë nevojë së paku për 10 sosh. Kështu ka thënë për Front Online, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari.

“Po momentalisht janë pesë anesteziologë. Kërkesat janë për 10 minimumi. Ne kërkesa kemi bërë vazhdimisht edhe ministrisë, edhe bordit të SHSKUK-së”, tha ai për Front Online.

Përveç kësaj, Zarari thotë se në Gjakove po rrezikohen të mbyllen tri reparte.

“Po rrezikohen të mbyllen tri reparte, pasi funksionojnë vetëm me nga një specialist, reparti i Pulmologjisë, ORL-së, oftalmologjisë”, deklaroi drejtori i spitalit në Gjakovë.

Edhe pse i ka mbi 6 reparte, Spitali i Ferizajt i ka vetëm katër anesteziologë.

Drejtori i këtij spitali, Selajdin Sallahu ka thënë se me këtë numër, kërkesat janë të mëdha.

“Anesteziolog i kemi katër në Spitalin e Ferizajt, por me numrin e intervenimeve dhe ndërhyrjeve ka kërkesa për më shumë. Spitali e ka kirurgjinë, gjinekologjinë, internon, pediatrinë, emergjencën dhe ambulancën specialistike, dhe hemodializa me transfuzion”, u shpreh Sallahu.

Ai thotë se e kanë lënë punën shefi i gjinekologjisë për të filluar në privat, si dhe një doktoreshë.

“Po kemi pasur mjek që e kanë lënë punën, është shefi i Gjinekologjisë ka kalu në spital privat, është edhe një gjinekologe, edhe ajo e ka lënë punën”, tregoi Sallahu.

Gjatë periudhës nëntë mujore të vitit 2022, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë larguar 10 anesteziologë.

E kjo, po pretendohet se mund të jetë për shkak të kushteve të punës.

Ligji i Pagave që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publikë, që do të zgjas deri më 6 tetor.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti

Shpërndaje në: