‘Spiunët’ e Kosovës iu blejnë dhurata fëmijëve për fundvit

‘Spiunët’ e Kosovës iu blejnë dhurata fëmijëve për fundvit

 

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kishte ndarë 7,000 mijë euro për tenderin për blerje të dhuratave për fëmijë. Në interesimin e KALLXO.com për numrin dhe të kujt janë fëmijët që do t’u gëzohen këtyre dhuratave, AKI nuk ka kthyer përgjigje.

Njoftimin për dhënie të kontratës me titullin “Furnizim me dhurata për fëmijë”, AKI e ka publikuar më 6 dhjetor 2016 në web-faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRrPP).

Tenderin e ka fituar kompania “Beni Dona Plast” nga Prishtina, e cila ka ofruar çmim më të ulët se tri kompani të tjera konkurruese.

Për realizimin e kontratës kjo kompani ka ofruar një çmim prej 6,896 euro. Pra, 104 më pak nga ajo që kishte ofruar Agjencia për Inteligjencë.

Ligji i ri i prokurimit publik i obligon të gjitha institucionet se pavarësisht që kontrata është e vogël me procedura të kuotimit nën 10 mijë euro duhet të publikohet në njoftimin për kontratë me specifikime teknike, ku përshkruhet edhe sasia e mallit dhe të tjera.

Ndërsa, në këtë rast, AKI nuk e ka publikuar në njoftimin për kontratë tenderin e dhuratave, sepse mungojnë të dhënat se sa dhurata do të blihen për ta gjetur sa ka qenë çmimi për një dhuratë.

AKI

Shpërndaje në: