S’shpëton lehtë ministri: Apeli rikthen rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare

S’shpëton lehtë ministri: Apeli rikthen rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Pas Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte hedhur poshtë aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj Liburn Aliut dhe disa zyrtarëve të tjerë, Apeli ka vendosur që ta kthej rastin në rivendosje.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale për rastin ku i akuzuar është ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit, transmeton Express.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P.

“Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, vlerësoj se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje”.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik të vitit të kaluar e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Përveç Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishin të akuzuar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Shpërndaje në: