Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret të mërkurën në Bruksel liderët e Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur zyrtarët nga këto dy shtete kanë ashpërsuar retorikën, pas ngritjes së barrikadave në veri tri javë më parë.

Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas secilit takim, është paralajmëruar se do të ketë konferencë për media.

Fillimisht, Stoltenberg do të zhvillojë takim me Vuçiqin në orën 15:30, ndërkaq takimi me Kurtin do të zhvillohet në orën 17:00.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti, sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiqin më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiqin./REL/

Shpërndaje në: