Studiuesit i japin një shpjegim misterit të humbjes së nuhatjes nga Covid-19

Studiuesit i japin një shpjegim misterit të humbjes së nuhatjes nga Covid-19

Rreth 80% e njerëzve me Covid-19 kanë çrregullime të nuhatjes ndërkohë që të tjerë kanë dysgeusi dhe ageusi, respektivisht çrregullim ose humbje e shijes. Janë raportuar gjithashtu edhe paaftësi për të ndjerë irrituesit kimikë.

Në fillim të pandemisë, mjekët dhe studiuesit u shqetësuan se humbja e nuhatjes dhe shijes mund të sinjalizonte se virusi hynte në tru përmes hundës dhe mund të shkaktonte dëmtime të rënda. Por studimet treguan se nuk ndodh kështu. Sandeep Robert Datta, një neuroshkencëtar në Shkollën Mjekësore të Harvardit, thotë se, “sulmi i virusit ndodh drejpërdrejt në hundë, në epitelin e hundës”. Sipas tij, virusi nuk godet neuronet, megjithëse kjo nuk do të thotë se neuronet nuk ndikohen.

Neuronet e nuhatjes nuk kanë receptorë të enzimës së njohur si ACE2, gjë që lejon hyrjen e virusit në qeliza, në sipërfaqen e tyre. Por qelizat sustenkulare, të cilat mbështesin neuronet shqisore në shumë mënyra, janë të mbushura me receptorë. Këto qeliza luajnë një rol të rëndësishëm pasi ndihmojnë neuronet që të çojnë sinjale në tru. Nëse ekuilibri prishet, kjo mund të çojë në mbyllje të sinjalizimit neuronal – për këtë arsye, humbet edhe nuhatja. Këto qeliza gjithashtu sigurojnë mbështetje metabolike dhe fizike të nevojshme për neuronet e nuhatjes, ku janë të përqëndruar receptorët që zbulojnë aromat. “Nëse dëmtohen, ju humbni aftësinë për të nuhatur,” thotë Datta.

Prishja e epitelit të nuhatjes mund të shpjegojë edhe humbjen e nuhatjes. Megjithatë mbetet e paqartë nëse dëmtimi bëhet nga vetë virusi apo nga qelizat imune pushtuese. Raportimet tregojnë se humbja e nuhatjes nuk është tipike për sëmundje të tjera të shkaktuara nga viruset dhe mendohet se është specifike për SARS-CoV-2. Me viruse të tjera, njerëzit humbasin aftësinë për të nuhatur për shkak të bllokimit të hundëve, por zakonisht, te simptomat e Covidit nuk përfshihet bllokimi i hundëve.

Të dhënat më të pakta lidhen me humbjen e shijes. Qelizat e receptorëve të shijes, të cilat zbulojnë kimikate në pështymë dhe dërgojnë sinjale në tru, nuk përmbajnë ACE2, kështu që ndoshta nuk infektohen nga SARS-CoV-2. Por qelizat e tjera në gjuhë përmbajnë receptorë, gjë që mund të shpjegojë pse shija zhduket.

Kur vini re probleme me nuhatjen, ka probleme edhe me shijimin e ushqimeve dhe kjo ndodh sepse zona e hundës i kontrollon të dyja shqisat. Kur përtypni ushqim, molekulat e aromës hyjnë në pjesën e prapme të hundës nga ku bëhet edhe dallimi mes të ëmblës, së thartës, të hidhurës dhe të kripurës. Hunda ju tregon specifikat për një ushqim të caktuar. Nëse bllokoni hundën, ushqimi nuk shijon njësoj sepse vështirë ta nuhasni.

Studiuesit thonë se epiteli i nuhatjes rregullisht rigjenerohet. Nëse nuk rigjenerohet për një periudhë të gjatë kohore – janë raportuar edhe humbje e nuhatjes/shijes për më shumë se shtatë muaj e deri në një vit – duhet të kërkoni ndihmë mjekësore. Studiuesit thonë se një gjendje e tillë është shqetësuese, sepse mund të rrisë rrezikun. Për shembull, njerëzit nuk janë në gjendje të dallojnë ushqimin e prishur, të kalbur ose të ndiejnë aroma si gazi. Ndër të tjera, nuk përjashtohen problemet me ushqimit.

Por, humbja e nuhatjes/shijimit nuk është 100% shenjë e infektimit me koronavirus, pasi duhen patur parasysh edhe shumë faktorë të tjerë, si:

Mosha: Me rritjen në moshë, njeriu humbet fibrat nervore të nuhatjes, veçanërisht mbi moshën 60 vjeç.

Bllokimet: Bllokimet në hundë ndodhin edhe për shkak të atyre që quhen nasal polyps – tumore jokanceroze që rriten në hundë dhe trajtohen me sprucues për hundët, ilaçe ose kirurgji.

Dëmtimet e kokës: Dëmtimet e kokës, qafës dhe trurit mund të dëmtojnë nervin përgjegjës për nuhatjen.

Kushte të caktuara mjekësore: Mjekët nuk e kanë kuptuar ende lidhjen, por studimet thonë se humbja e nuhatjes/shijes mund të jetë paralajmërim për sëmundje si Alzheimeri dhe Parkinsoni. Gjendje të tjera mjekësore që dëmtojnë nervat e nuhatjes janë: diabeti, paraliza Bell, sëmundja e Huntingtonit, sëmundje specifike të kockave, sindroma Sjorgren etj.

Kanceri dhe trajtimi: Disa lloje kanceri dhe trajtimet e tij ndryshojnë mesazhet në hundë, gojë dhe tru. Kimioterapia dhe ilaçe të caktuara të trajtimit të kancerit kanë efekt anësor edhe humbjen e nuhatjes dhe shijimit.

Mjekimi: Disa medikamente, qofshin këto edhe pa recetën e mjekun, mund të ndikojë te shqisat. Këtu bëjnë pjesë veçanërisht antibiotikët dhe medikamentet e marra për presionin e lartë të gjakut. Ilaçet ndryshojnë receptorët e shijes.

Mungesa e vitaminave: Humbja e aftësisë për të nuhatur dhe shijuar mund të jetë shenjë gjithashtu se trupi është duke ju thënë se keni nevojë për vitamina. Zakonisht mungesat e vitaminave A, B5, B12 dhe zinku e shkaktojnë këtë ndryshim.

Duhani, droga dhe kimikate të tjera: Tymi i duhanit dëmton dhe vret qelizat që ndihmojnë trurin të klasifikojë aromat dhe shijet. Pirja e duhanit dëmton mukozën dhe zvogëlon receptorët e shijes. Përdorimi i kokainës mund të ketë një efekt të ngjashëm. Kimikate të rrezikshme janë klori, tretësit e bojës dhe formaldehidi.

Shpërndaje në: