Super Liga Evropiane është e ardhmja e pamohueshme e futbollit, pluhuri para revolucionit zhduket shpejt

Super Liga Evropiane është e ardhmja e pamohueshme e futbollit, pluhuri para revolucionit zhduket shpejt

”Detyra primare e njeriut është të mendojë për vete.”

Sado e padrejtë dhe egoiste që mund të tingëllojë dhe sado që mund të shkaktojë frustrim fillestar në momentin kur lexoni diçka të tillë, është diçka që të piqet në tru dhe e gjykon si duhet vetëm atëherë kur mendon përtej ndjenjave e emocioneve.

Super Liga Evropiane përfaqëson pikërisht këtë… 12 grupe të interesit që punojnë për atë që e kanë në ADN dhe atë që i nxiti të themelojnë ato që sot i quajmë klube futbolli. Është përtej objektivitetit dhe përqafim i naivitetit të mendojmë se korporatat gjigante, po i quaj ashtu, si klubet e futbollit të refuzojnë benefitet e asaj që i pret në Super Ligën Evropiane, për hir të diçkaje subjektive si ”integriteti i lojës, fair playi” e shumë të tjera.

Fundja, pikërisht këto organizata janë të njejtat që e kanë bërë trend global futbollin dhe që kanë ndikuar në jetën e 4 miliardë fansave të këtij sporti.

Është proces i natyrshëm… si revolucionarizimi i sportit me këtë ligë, ashtu edhe pluhuri që çohet në prag të këtij ndryshimi enorm.

Matematikat janë të thjeshta dhe të qarta… UEFA përfiton 4 miliardë euro nga një edicion në Champions League, prej tyre 1.5 miliardë ndahen për klubet pjesmarrëse, ndërsa pjesa tjetër thuhet se shpërndahet nëpër programet e avancimit të grupmoshave rinore dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit.

Klubet e kanë kuptuar rëndësinë që kanë, edhe pse mund të duket lakmitare dhe jo korrekte sa i përket aspektit human, ato e duan të gjithë tortën dhe është luftë që nuk të dërgon askund t’i gjykojmë ato për këtë.

Ne duam të shohim mrekullira, sado që mundohem ta gjykoj objektivisht situatën, është e pamundur të them se nuk dua të shoh mrekullinë e Leicesterit të përsëritet, por pse duhet që barra e përgjegjësisë të bie mbi 12 grupe të interesit, të cilat punojnë për përfitime financiare… përndryshe, vështirë ta mendojmë se Florentino Perezi do të investonte në Real Madridin për hir të vullnetit të mirë dhe dashurisë që ka për sportin.

Revolucioni i tillë është, askush nuk e do në fillim por është i nevojshëm dhe proces i pandalshëm.

Njerëzit e bëjnë tërë kohën… e luftojnë, e kritikojnë, e gjykojnë, por pas një kohe e përqafojnë dhe jetojnë me të… ashtu siç do ta përqafojnë të gjithë këta që po e sulmojnë sot.

Fundja, çka mund të bëjnë… analistët, gazetarët dhe vetë organizatat mund ta nënçmojnë, por duhet të jenë pjesë e saj në të njejtën kohë.

Si do të mund ta injorojmë përballjen Real Madrid – Manchester United, apo Barcelona – Chelsea në mesjavë? Do ta bënit këtë vetëm pse këto klube përfaqësojnë antivlera dhe e cënuan integritetin e lojës me këtë iniciativë dhe do ta shkelni tundimin që ju vjen nga thellësia e zemrës për të shikuar një ndeshje kualitative futbolli?

Në fund të ditës, ne thjesht duam të shohim një ndeshje të mirë futbolli dhe të vazhdojmë jetët tona personale e sociale siç bëjmë gjithmonë.

Shpërndaje në: