Superliga me super tolerime, nga dallaveret e sotme e pësojnë Gjilani e 89’shi

Superliga me super tolerime, nga dallaveret e sotme e pësojnë Gjilani e 89’shi

Tri nga katër ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll po dyshohen se janë kurdisur, derisa kampionati po shkon drejt përfundimit.

Pati dyshime të hershme se ndeshjet e ditës së sotme do të kurdiseshin, por askush nuk e kishte pritur që gjërat të bëheshin kaq hapur, derisa ky fenomen po vazhdon ta njollos futbollin kosovar, tri vite pas pranimit në UEFA, shkruan Periskopi.

Nga katër përballje sa u zhvilluan sot, tri prej tyre duket qartë se janë kurdisur.

Drenica barazoi me Ballkanin 1-1, derisa dihej se barazimi i shpëtonte këto dy skuadra, derisa të njejtat pritet të marrin pikë të plota nga ndeshjet me Lirinë dhe Dritën në xhiron e fundit.

“Marre, marre” ishin brohoritjet e fansave të Drenicës gjatë ndeshjes me Ballkanin, derisa ishte mëse e qartë se kurdisja kishte ndodhur.

Skenari ishte i ngjashëm edhe në ndeshjen tjetër mes Llapit dhe Feronikelit, me llapianët që nuk dukeshin shumë të interesuar të bënin më shumë kundër “Niklit” që triumfoi me rezultat 3-1.

Drita, në anën tjetër, i dhuroi tre pikë jetike Flamurtarit.

Këto rezultate ishte në disfavor të Trepçës 89 dhe Gjilanit që pritet të marrin pjesë në barazh.

Për të nënvizuar edhe më shumë këto kurdisje, ju sjellim dëshmi duke marrë për bazë kuotat e gjigantit të basteve, “bet365”.

Drita-Flamurtari dhe Drenica-Ballkani pësuan ndryshime drastike në kuota nga momentet e publikimit e deri në fund.

Në fillim, vendasit nga këto dy përballje favorizoheshin nga “bet365”, varësisht edhe nga kualiteti i skuadrave.

Mirëpo, pati ndryshime astronomike në orët pasuese në këto kuota.

Derisa ndeshjet filluan, kuota e barazimit nga ndeshja Drenica-Ballkani ra dukshëm, derisa dihej se një barazim do t’i kryente punë të dy klubeve.

Në anën tjetër, fitorja e favoritit, Dritës, u kuotua 7.50 kundër Flamurtarit, ndërsa kryeqytetasit – të cilët po luanin si mysafirë – u favorizuan të fitojnë duke marrë kuotën 1.40.

Në fund, Flamurtari fitoi ndeshjen me rezultat 2-1.

Superliga e Kosovës, zonja dhe zotërinj! /Periskopi.com/

Shpërndaje në: