Surroi: Astriti do duhej të ishte në fakultet e jo në burg apo në varr, pushteti të jap përgjegjësi

Surroi: Astriti do duhej të ishte në fakultet e jo në burg apo në varr, pushteti të jap përgjegjësi

Publicisti Veton Surroi ka folur në lidhje me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Ai, pas rezultateve të autopsisë që u shpalosën dje nga prokurori Sylë Hoxha, ka thënë se meqë shkalla e besueshmërisë në institucionet e shtetit është e ulët, duhet të bëhet një ekspertizë shtesë dhe e pavarur.

Sipas Surroit, pushteti duhet të jap përgjegjësi për vdekjen e një kundërshtari politik. “Astrit Dehari ishte kundërshtar i veprimeve anti-demokratike dhe anti-ligjore të pushtetit”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i tij i plotë:

Debati mbi vdekjen e Astrit Deharit nuk guxon të degjenerojë në garë (Facebooku a tjetërfare) mes argumenteve se është vrarë apo vetëvrarë. Meqë shkalla e besueshmërisë në institucionet e shtetit, me arsye, është e ulët, nevojitet ekspertizë shtesë dhe e pavarur.

Përcaktimi mbi natyrën e vdekjes së Astrit Deharit është përcaktim se a ekziston veprim krimi apo jo. Por, nuk mund t’i largojë, çfarëdo që të ketë qenë natyra e vdekjes,  dy kategoritë e përgjegjësisë: atë institucionale dhe atë politike.

Shteti duhet të japë përgjegjësi institucionale, nëpërmjet të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë për arsyen e arrestimit të Astrit Deharit me akuzë për terrorizëm, mbajtjen e tij në paraburgim për 67 ditë nën masat e sigurisë që nuk janë për të dyshuarin për terrorizëm, mosmarrjen në pyetje nga ana e Prokurorisë dhe për krijimin e kushteve (në formë të vullnetshme apo jo) që shkaktuan vdekjen e tij.

Pushteti duhet të japë përgjegjësi politike për fundin e një jete njeriu në një konflikti politik. Astrit Dehari ishte kundërshtar i veprimeve anti-demokratike dhe anti-ligjore  të pushtetit. Kundërshtoi një rektor politik të Universitetit publik të emërtuar nga pushteti me shpërfillje ndaj kritereve ligjore dhe profesionale për përzgjedhjen e tij. Kundërshtoi Marrëveshjen për Asociacion të komunave serbe të cilën e nënshkroi pushteti në dy mandate, me dy kryeministra. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Astrit Deharit dhe kundërshtoi të gjitha pohimet e pushtetit.

Në një politikë konsensusi dhe shtetndërtimi, Astrit Dehari duhej të ishte në Fakultet dhe në tryezat  e debatit politik e jo në burg. Aq më pak në varr.

/Periskopi/

Shpërndaje në: