Surroi i drejtohet Vlora Çitakut pas reagimit për Enver Sekiraqën: Drejtësinë e bëri tabori juaj politik
Publicisti Veton Surroi ka reaguar ndaj shkrimit të ambasadores Vlora Çitaku me rastin e dërgimit të Enver Sekiraqës në burg shtëpiak.
Surroi ka thënë se ambasadorja nuk duhet ta vë veten në pozitë vështirë, pasi sistemi i drejtësisë a qenë produkt i drejtpërdrejtë i veprimeve të taborit politik , pjesë e të cilit ka qenë V.Çitaku.
Postimi i plotë i Surroit:
Një sugjerim ambasadorëve të Kosovës: komentimi publik për zhvillimet e brendshme në Kosovë ju vendosë në pozitë të vështirë.
Kur ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku thotë, me rastin e dërgimit të Enver Sekiraqës në burg shtëpiak, se “një kriminel ordiner, i përfshirë në dhunime, zhvatje, vrasje, sot është i lirë” obligohet të implikohet më thellë në kundërshtitë e brendshme në Kosovë. Pjesë e atyre kundërshtive mund të jetë kapja e sistemit të drejtësisë që ka qenë produkt i drejtpërdrejtë i veprimeve të taborit politik , pjesë e të cilit ka qenë V.Çitaku para se të bëhej diplomate.
Pjesë e kundërshtive mund të bëhet tashmë obligimi i ambasadores Çitaku që të deklarohet për ata që përmbushin përshkrimin “një kriminel ordiner, i përfshirë në dhunime , zhvatje , vrasje , sot është i lirë”, e që mund të jetë një liste jo e shkurtër emrash nga tabori politik pjesë e të cilit ka qenë V.Çitaku para se të bëhej diplomate.



