Suspendohen dy doganierët që nuk evidentuan daljen e autobusit të “Besa Trans” nga Maqedonia

Suspendohen dy doganierët që nuk evidentuan daljen e autobusit të “Besa Trans” nga Maqedonia

Drejtoria doganore informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Dy doganierë janë suspenduar për shkak veprimit të paligjshëm.

“Në lidhje me informatat që kanë dalë në opinion në raport me kompetencat e Drejtorisë Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë kontrolli për hyrje dhe dalje të automjeteve dhe transportuesve që bëjnë transport të lirë ndërkombëtar të udhëtarëve, si dhe për veprimin në rastin konkret ju informojmë se:

Në pajtueshmëri me nenin 49 nga Ligji për transport në trafikun rrugor, gjatë kryerjen së transportit të lirë të udhëtarëve në trafikun ndërkombëtar rrugor, varësisht nga lloji i transportit, transportuesi duhet të ketë: certifikatë të licencës, autorizim rrugor në origjinal, listë evidentuese për transport të udhëtarëve, marrëveshje të nënshkruar mes transportuesit dhe porositësit të shërbimit dhe listë të udhëtimit të plotësuar në mënyrë të duhur dhe të saktë të formularit të përcaktuar, të nënshkruar dhe verifikuar nga transportuesi dhe të verifikuar nga shërbimet kompetente doganore.

Në bazë të këtyre dokumenteve të bashkangjitura, Drejtoria Doganore e evidenton transportin edhe atë në hyrje apo dalje gjatë kalimit të parë apo të dytë të automjetit përmes vendkalimit kufitar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, varësisht nga relacioni i transportit.

Për automjetin me tabela të regjistrimit SK 0284 BA të transportuesit Besa Trans nga Shkup, në periudhën prej 15.10.2020 deri në 11.11.2021, Drejtoria Doganore ka evidentuar më shumë kalime, përmes vendkalimeve kufitare Deve Bair, Bllacë, Qafëthanë dhe Dellçevë, për lloje të ndryshme të transportit, përfshirë edhe evidencë të numrit të certifikatës së licencës për kryerje të transportit publik në trafikun rrugor ndërkombëtar – transport të lirë të udhëtarëve.

Vërtetësia e këtyre dokumenteve të bashkangjitura nga transportuesi do të kontrollohet në mënyrë shtesë.

Gjetjet e para nga kontrolli i brendshëm tregojnë se më 18.11,2021, nga ana e nëpunësve doganorë nuk është evidentuar në mënyrë elektronike dalja e automjetit me tabela të regjistrimit SK 0284 BA të transportuesit Besa Trans nga Shkupi, është bërë vetëm verifikim i listës evidentuese për transport të udhëtarëve.

Për parrëgullësitë e vërtetuara deri më tani, për dy nëpunës doganorë që kanë qenë në ndërrim kur automjeti ka dalë nga shteti, do të ndërmerren masa suspendim nga vendi i punës, ndërsa për përgjegjësin e tyre do të vijojë masa për sanksionim”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe, më 23 dhjetor një autobus i Besa Trans – Shkup u përfshi u aksidentua në autostradën në Bullgari, si pasojë e së cilit humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë janë plagosur. Hetimin po e bën Prokuroria e Bullgarisë, ndërkaq të kyçur janë edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut.

Ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin. Ajo që dihet, sipas udhëtarëve të mbijetuar, është që autobusi fillimisht e ka humbur kontrollin, pastaj është përplasur në bankina dhe më pas është ndjerë një shpërthim dhe për shkurt kohë i tëri është djegur.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe 12 fëmijë, por edhe të rinj dhe më të moshuar të cilët kishin qenë në një ekskursion në Turqi me agjencinë turistike “Besa Trans Shkup”.

Për shkak aksidentit tragjik, prej dje janë shpallur tre ditë zie në RMV dhe nga një ditë në Bullgari dhe Kosovë. Telegrame ngushëllimi arrijnë nga katër anët e botës./Portalb.mk

Shpërndaje në: