Sveçla: Do ta luftojmë krimin në çdo cep e skutë që ndodhet ai

Sveçla: Do ta luftojmë krimin në çdo cep e skutë që ndodhet ai

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se qeveria e tanishme ishte zotuar se do ta luftonte krimin dhe korrupsionin dhe, sipas tij, kjo është duke ndodhur.

Ai tha se do ta luftojnë krimin në çdo cep të vendit kudo që ndodhet ai.

“Që në ardhje të kësaj qeverie jemi deklaruar se do të luftojmë pa kompromis kriminalitetin dhe korrupsionin në vend. Gjatë këtyre muajve kemi publikuar shumë aksione e veprime në kuadër të kësaj lufte për të ndaluar ilegalitetin dhe krimin në vend”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Nuk do të kthehemi më aty ku ishim te krimi, korrupsioni e klientelizmi. Do ta luftojmë krimin në çdo cep të Kosovës dhe në secilën skutë kudo ku ndodhet ai”, ka shtuar ai.

Sipas tij, progresi i shënuar në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit nuk është i rastësishëm, por rezultat i lëvizjeve konkrete në terren.

“Shpreh mirënjohjen time për të gjithë akterët institucionalë të angazhuar në luftim të krimit dhe korrupsionit me zotimin që do të mbesim të përkushtuar për bashkëpunim maksimal, që këto suksese të mos stagnojnë dhe që Kosova të bëhet vend i jetueshëm, i qetë dhe i sigurt për të gjithë”, ka shtuar ai.

Sveçla tha se 14 shkurti ka qenë përcaktim i qartë i popullit të Kosovës që vendi të ndërrojë kursin e vlerave dhe orientimeve qeverisëse dhe një gjë e tillë, sipas tij, po ndodh.

Shpërndaje në: