Sveçla “marakli” i përgjimeve: Në objektin e MPB-së u instaluan kamerat me mikrofon dhe marrje të zërit

Sveçla “marakli” i përgjimeve: Në objektin e MPB-së u instaluan kamerat me mikrofon dhe marrje të zërit

Ish- Ushtruesi i Detyrës i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në kohën kur ka qenë në këtë pozitë, kishte instaluar kamera në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por këtu nuk qëndron problemi meqë në shumicën e objekteve qeveritare ka kamera të instaluara të cilat regjistrojnë vetëm pamjet, por jo edhe zërin.

Për dallim nga to, Sveçla kishte vendosur që kamerat në objektin e Ministrisë  së Punëve të Brendshme të instalohen të tipit që regjistrojnë pamjet, por edhe zërin.

Këtë e kanë thënë burime të sigurta të Gazeta Blic, e që sipas këtyre burimeve Xhelal Sveçla ishte paralajmëruar se një gjë e tillë është vepër penale, por që arsyetimi i tij ka qenë se nuk është ai  “që ka dhënë urdhër” për vendosjen e kamerave që regjistrojnë edhe zërin.

Vendosja e kamerave me zë është konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e MPB-së.

Sipas përgjigjes që kanë dhënë nga MPB përmes postës elektronike, thuhet se pasi që është vërejtur se kamerat janë me dëgjuese, rastin e kanë paraqitur tek Agjencia për Informim dhe Privatësi

MPBAP, që nga viti 2019 e ka identifikuar nevojën për zëvendësimin e kamerave që gjenden në objektin e MPBAP-së për arsye se ato ishin të vjetruara, pasi që nuk ishin ndërruar asnjëherë që nga koha kur ishin vendosur nga donatori që e ka ndërtuar objektin dhe që ka qenë Komisioni Evropian. Si rezultat, më 14 prill 2019, kur GIZ i ka ofruar MPB-së mundësinë që të paraqesë kërkesë për blerje të pajisjeve të ndryshme si donacion, MPB ka vendosur që të kërkojë kamera të reja për t’i zëvendësuar kamerat ekzistuese. Për shkak të vonesave në prokurim nga ana e donatorit, kamerat janë pranuar në prill të vitit 2020”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Pas pranimit zyrtar, sipas përgjigjes nga MPB, gjatë javës së kaluar ka filluar procesi i instalimit të kamerave dhe gjatë këtij procesi, është vërejtur që kamerat kanë mikrofon dhe përveç pamjeve vizuale ato mundësojnë edhe marrjen e zërit.

“Lejimi/ndalimi i regjistrimit të zërit në pajisje është i konfigurueshëm përmes softuerit për menaxhimin e kamerave”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Sipas MPB-së, në kërkesën e  dërguar tek GIZ përkatësisht specifikat për kamera të dërguara nga MPB tek donatori, nuk është kërkuar që kamerat të kenë mundësinë e marrjes së zërit.

MPBAP tashmë ka paraqitur kërkesë tek Agjencia për Informim dhe Privatësi, më qëllim që të na njoftojë nëse lejohet ose jo regjistrimi i zërit, vendosja e këtyre kamerave në pjesë të caktuara të objektit, si dhe a është i lejuar  përdorimi i këtyre lloj kamerave që kanë mikrofon. Përgjigjen nga kjo Agjenci akoma nuk e kemi marrë.

“Megjithatë, siç u cek më sipër, meqenëse regjistrimi i zërit (marrja ose pasivizimi i ruajtjes se zërit) në këto  pajisje është i konfigurueshëm përmes softuerit (d.m.th. mund të ndalet regjistrimi), kamerat që janë vendosur, gjatë instalimit janë konfiguruar në atë mënyrë që të regjistrojnë vetëm pamjet dhe të ju pamundësohet regjistrimi (ruajtja) e zërit, gjë që është konfirmuar dhe lehtësisht mund të dëshmohet nga pamjet e ruajtura në pajisjen e ruajtjes së videove digjitale (DVR) pas instalimit të disa kamerave”, thuhet më tej në përgjigjen përmes postës elektronike.

Sipas MPB-së, në softuerin për menaxhimin e këtyre kamerave ka qasje vetëm një zyrtar i MPBAP-së, ndërsa pamjet monitorohen nga Policia e Kosovës.

“Ligji nr.06/L-062 për mbrojtjen e të dhënave personale i aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2019, në kreun XVI, parasheh vëzhgimin e ndërtesave zyrtare dhe të biznesit me kamerë. Gjithsesi, jemi në pritje të interpretimit ligjor nga Agjencia për Informim dhe Privatësi si organ kompetent dhe do të veprojmë në përputhshmëri me rekomandimet e AIP”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Gazeta Blic ka provuar që ta kontaktoj edhe ish- ushtruesin e Detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, por ai nuk është përgjigjur as në thirrjet e as në SMS-të e dërguara.

Ai ishte akuzuar nga ana e presidentit Thaçi, që së bashku me ish- kryeminstrin Albin Kurti dhe me ish- zëvendëskryeministrin Haki Abazi kishin shkuar në Dhomën e Përgjimeve në PTK. Madje, sipas Thaçit, për tri dishtë rresht, ata kishin ndalur edhe kamerat.

Ndaj këtyre akuzave, kishin reaguar Kurti e Svecla, duke e quajtur gënjeshtër një pretendim të presidentit Thaçi.

 

Shpërndaje në: