Sveçla në Slloveni: Do të luftojmë krime të ndryshme “trafikim, narkotikët, kontrabandën e emigrantëve”

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mori pjesë në forumin ministerial mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, të organizuar nga Presidenca sllovene e Këshillit të BE-së, në Brdo të Sllovenisë.

Në këtë konferencë u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit të paligjshëm, si dhe terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sveçla theksoi se fokusi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është dhe do të vazhdojë të jetë në luftimin e krimeve të ndryshme si trafikimi i qenieve njerëzore, narkotikëve, kontrabandimi i migrantëve si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta.

Ai gjithashtu i paraqiti rezultatet e arritura deri më tani, si dhe nevojën për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike në luftën kundër krimit të organizuar.

Në margjinat e kësaj konference, Ministri Sveçla u takua edhe me drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle.

Në takim me De Bolle, ministri Sveçla ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar transnacional, si dhe u dakordua me De Bolle që të operacionalizohen dy marrëveshjet tashmë të nënshkruara me Europolin dhe të intensifikohen punët për nënshkrimin e marrëveshjes së radhës.