Sveçla veç e konfirmon se karantimi i veriut s’u bë me urdhër të qeverisë së Kosovës

Sveçla veç e konfirmon se karantimi i veriut s’u bë me urdhër të qeverisë së Kosovës

Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe Zveçanit janë future në karantinë për shkak të 16 rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se masat janë ndërmarrë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mirëpo pa treguar nëse karantinimi është rekomanduar nga institucionet e Kosovës apo IKSHP.

“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla ndër të tjera ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorin e policisë si dhe me KFOR-in.

Postimi i plotë:

Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse. Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes.

Po bëjmë gjithçka tërë kohën për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, i cili nuk njeh kombësi, fe, rajon apo moshë. Jemi të përkushtuar që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi.

Shteti ynë ndodhet para sfidës me të cilën shumë vende në mbarë globin po ballafaqohen. Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve ndodhet mbi të gjitha. Që ne të jemi sa më të sukseshëm në këtë qëllim ne ftojmë të gjithë të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate duke përsëritur apelet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e jo duke shpërndarë dezinformata apo informata të paverifikuara.

Vazhdojmë, me kujdes, pa panik.

Shpërndaje në: