Szunyog: S’ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen njësisë speciale në veri të Kosovës

Szunyog: S’ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen njësisë speciale në veri të Kosovës

Për shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, Kosova ka shënuar njëfarë progresi në një mori fushash. Ai thekson se asnjë marrëveshje në dialog s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror

“Kosova ka bërë përparim apo njëfarë përparimi: lufta kundër terrorizmit, ekonomia e tregut ose reformat strukturore; digjitalizimi i ekonomisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, investimet në burimet e ripërtëritshme, doganat, taksat, politikat e ndërmarrjeve dhe ato industriale”, përmend ai fushat ku ka pasur ecje.

“Progresi i kufizuar megjithatë është progres”.

Szunyog duke përmendur fushat ku nuk ka pasur përparim ka theksuar se raporti i fundit duhet të shihet si mundësi për veprime konkrete në periudhën pasuese njëvjeçare.

“Shpresojmë se vitin në vijim do të ketë më tepër vendime konkrete. Është me rëndësi të shikohet raporti si një grumbull rekomandimesh për hapa të mëtejmë – një udhërrëfyes për veprime. Puna për raportin e ardhshëm nis që tani. Kosova mund të bëjë më mirë: qytetarët e meritojnë më mire”, tha Szunyog për Klan Kosova.

Ai në disa përgjigje ka folur edhe për zhvillimet e muajve më parë në veri të Kosovës, duke potencuar se asnjë marrëveshje dialogu s’ia ndalon Policisë së Kosovës vendosjen kudo në territorin shtetëror.

Megjithatë për pjesën veriore thotë se ka njëfarë tradite njoftimi.

“Nuk ka asnjë marrëveshje në dialog që pengon vendosjen e njësive speciale policore nga jugu në veri, por që është një praktikë e zakonshme koordinimi i ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare si dhe njoftimi paraprak i KFOR-it”, tha ai.

Shpërndaje në: