A do ta marrë udhëheqjen e LDK’së Vjosa Osmani?

A do ta marrë udhëheqjen e LDK’së Vjosa Osmani?

Deputetja më e votuar nga radhët e LDK’së pas kandidatit për kryeministër nga kjo parti, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se a do të jetë ajo emir që mund ta marrë udhëheqjen e LDK’së.

Osmani nuk ka specifikuar lidhur me këtë çështje, por thotë se ‘është e gatshme të bëj çdo veprim që kërkon baza, në mënyrë që LDK të rikthehet e fuqishme në skenën politike’.

Pjesa e intervistës ku Osmani flet për REL lidhur me këtë çështje, e të cilën ua transmeton Periskopi.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni ju e gatshme të merrni timonin e udhëheqjes së LDK-së?

Vjosa Osmani: Sikur çdo herë tjetër që e kam thënë, e tëra që unë duhet ta përsëris është që nuk ka rëndësi posti që e kam, me rëndësi është që unë të jem pjesë e një procesi të ndryshimeve pozitive dhe reformave të thella në LDK.

Për këtë jam angazhuar për vite me radhë dhe për këtë do të vazhdoj të angazhohem pavarësisht pengesave që do të jenë. Tek e fundit, nuk është me rëndësi emri dhe mbiemri i kryetarit të partisë, me rëndësi është që LDK-ja të rikthehet si fuqi e parë në vend, dhe për këtë unë do ta jap kontributin tim, pavarësisht pozitës që e kam.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë që jeni e gatshme të udhëhiqni LDK-në?

Vjosa Osmani: Unë jam e gatshme që të vazhdoj të jem anëtare e devotshme e LDK-së, ashtu siç kam qenë deri më tani dhe të bëhem pjesë e cilitdo ekipi që e ka seriozisht procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë: Vetëm pjesë e ekipit apo të udhëhiqni një ekip, një parti, në këtë rast LDK-në?

Vjosa Osmani: Cilindo rol që e kërkon baza, që e kërkon elektorati dhe që do ta çonte LDK-në drejt kthimit si fuqi e parë politike në vend.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, ju do të mund ta bëni një gjë të tillë?

Vjosa Osmani: LDK-ja për ta bërë një gjë të tillë duhet ta merr seriozisht secilin anëtar të vet edhe në qoftë se ai anëtar pas vetes e ka vetëm një votë. Duhet t’i bashkojë të gjitha fuqitë, duhet t’i bashkojë të gjitha gjeneratat, mos të ketë logjikë përjashtuese por logjikë të bashkimit dhe atëherë besoj se qytetarët do ta shihnin fuqinë e vërtetë të LDK-së.

 

Shpërndaje në: