A do ta votojë LDK Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit?
Tashmë është bërë publik vendimi i koalicionit PDK-AAK-NISMA që kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij koalicionit të jetë Kadri Veseli. Kjo gjë është konfirmuar gjatë natës së kaluar nga nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti.
Madje në PDK janë shprehur të bindur që nuk do të jetë aspak problem që Kadri Veseli t’i sigurojë 61 vota për t’u rizgjedhur kryeparlamentar i Kosovës.
E burime të Indeksonline brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur se LDK-ja ende nuk ka vendosur nëse do të votojë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi.
“Pritet që sot të mbajmë një takim ku sigurisht do të diskutohet edhe rreth kësaj çështje”, ka thënë shkurt ky burim brenda LDK-së.
E ditë më parë, i nominuari për kryeministër nga VV, Albin Kurti është shprehur se për kryetar të Kuvendit do të duhej të kandidohej dikush më konsensual, dikush që përbashkon më shumë se sa që ndanë. Madje Kurti ka deklaruar se nuk është e thënë që PAN-i do të duhej të kandidojë Veselin për Kryetar të Kuvendit të Kosovës.



