Kurti bën homazhe tek varri i Adem Demaçit

Periskopi.com Lajme

Një delegacion nga Lëvizja Vetëvendosje i prirë nga kryetari Albin Kurti, mbajti homazhe tek varri i Adem Demaçit në njëvjetorin e vdekjes së veprimtarit.

Me këtë rast, Kurti tha se Demaçi na e bashkon të ardhmen me historinë e përpjekjeve tona për liri, vetëvendosje dhe barazi.

“Në figurën e tij bëhen bashkë mendimi dhe ndjeshmëria më e lartë për çlirimin. Falë tij kemi mësuar se përpjekja për çlirim është e domosdoshme, se liria na thërret për ta jetuar të gjithë jetën në shërbim të saj”, tha ai.

Kreu i VV-së, tha se ideja dhe ndjenja e lirisë bënë që Demaçi të edukohej, të luftonte dhe të vdiste brenda kësaj ideje

“Adem Demaçi u rrit, jetoi dhe vdiq i lirë. Ideja dhe ndjenja e lirisë e zgjodhën të edukohej, të luftonte dhe të vdiste brenda kësaj ideje. Adem Demaçi është zgjerimi maksimal i imagjinatës politike të popullit tonë. Jeta e tij është edukim dhe emancipim për ne, lavd lirie, ngazëllim jete”, përfundoi Kurti.