Ish-kandidati për deputet ia merr 10 mijë euro shtetit pasi e arrestuan në mënyrë të kundërligjshme

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e ish-kandidatit për deputet nga radhët e AAK-së, Muhamet Kelmendi, i cili kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Policia e Kosovës, 528 mijë euro dëmshpërblim, për rastin e arrestimit të tij që kishte ndodhur më 10 qershor të vitit 2015, në Mitrovicë.

Këtë shumë, ai e kishte kërkuar me pretendimin se ishte arrestuar në mënyrë të kundërligjshme me dyshimin se po planifikonte sulm terrorist në veri të Mitrovicës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç Kelmendit, pjesë e padisë kanë qenë edhe familjarët e tij, Arbënesh, Gentijana, Drinas dhe Qëndresa Kelmendi.

Nga shuma totale prej 528 mijë eurove, që kishin kërkuar në emër të dëmit jo material që u ishte shkaktuar me rastin e arrestimit, ai me aktgjykimin 21 tetorit të këtij viti, Kelmendi do të kompensohet nga shteti, në shumë prej 10 mijë eurosh.

Me këtë aktgjykim, gjykata pjesërisht ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Muhamet Kelmendi, ashtu që ka detyruar të paditurat, Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, që atij në emër të kompensimin të dëmit jo material, dhe atë për dhimbje shpirtërore t’ia kompensojë shumën prej 6,000.00 euro, ndërsa për frikën e përjetuar shumën prej 4,000.00 euro, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet prej datës 21 tetor 2019, e deri në pagesën definitive.

Gjithashtu, gjykata i ka aprovuar edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 3,041.00 euro.

Në aktgjykim thuhet se gjykata në bazë të provave ka vlerësuar se përgjegjësia për kompensimin e dëmit bie mbi palën e paditur, pasi që arrestimi ishte kryer nga pala e paditur dhe pasojat ishin shkaktuar për shkak të lëshimeve t gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata pjesën e aprovuar për kompensim të dëmit e ka mbështetur në ekspertizën nga lëmi i psikiatrisë, të përpiluar më 16 qershor 2019, nga psikiatri Muhamet Karameta, në të cilën kishte konstatuar se paditësi kishte përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit posaçërisht të lartë, dhe intensiteti të lartë.

Ndërsa, shumën prej 490,000.00 euro, gjykata e ka refuzuar si të pabazuar, ku siç thuhet në aktgjykim, caktimi i kompensimit të paditësit në shumë më të madhe se sa ajo e gjykuar, do të paraqiste dënim të veçantë në të holla, e në anën e paditësit, nuk do të ishte realizuar qëllimi i këtij lloji të kompensimit të dëmit jo material.

Gjykata, gjithashtu ka refuzuar në tërësi kërkesën për familjarët e tij, me të cilën kishin kërkuar nga të paditurat kompensim në shumë prej 28 mijë euro, për dhimbjet shpirtërore dhe frikën e përjetuar me rastin e arrestimit të bashkëshortit, gjegjësisht babait të tyre.

Sipas këtij aktgjykimi. një kërkesë e tillë, në rastin konkret nuk kishte bazë ligjore, duke iu referuar Ligjit mbi Detyrimet, gjykata kishte gjetur se kompensimi i dëmit jo material për anëtarët e familjes së personave të pësuar në fatkeqësi, parashihen vetëm me nenin 201 të LMD-së, paragrafi 3, sipas të cilit anëtarët e familjes, mund të kompensohen vetëm në rast vdekje, apo të invaliditetit, e në rastin konkret paditësi nuk ka pësuar paaftësi të plotë, apo të përmasave të tilla.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 3 shtator 2019, fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësve, avokati Hamdi Podvorica e kishte dorëzuar me shkrim.

Ndërsa, në këtë seancë nuk ishte prezent pala e paditur, për të cilët gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, kishte thënë se ishin ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kishin arsyetuar.

Fillimisht, paditës kishte qenë vetëm Muhamet Kelmendi, mirëpo me një parashtresë më 13 janar 2017, përfaqësuesi i paditësit, avokati Hamdi Podvorica, kishte kërkuar zgjerimin e padisë.

Në seancën e mbajtur më 3 shtator 2019, gjykatësi Tërshnjaku e kishte lejuar zgjerimin e padisë, në të cilën ishin përfshirë edhe Arbënesh, Gentijana, Drinas dhe Qëndresa Kelmendi.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 qershor 2015, paditësi Muhamet Kelmendi, ka kërkuar nga Republika e Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, kompensim për dëmin moral, që thotë se i është shkaktuar me rastin e arrestimit.

Sipas padisë, i padituri Muhamet Kelmendi, më 10 qershor 2015, në hyrje të Mitrovicës, derisa ishte nisur për të marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, nga Njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës ishte arrestuar në mënyrë të kundërligjshme me pretekst të dyshimit se po planifikonte sulm terrorist në veri të Mitrovicës.

Në padi thuhet se Muhamet Kelmendi, është një personalitet i shquar në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, është anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një nga themeluesit e UÇK-së, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, është dekan i Fakultetit Juridik të kolegjit AAB në Prishtinë, punëtor shkencor dhe ushtron funksione tjera të rëndësishme në jetën politike dhe shtetërore të Kosovës.

Sipas padisë, sipas nenit 13 të Ligjit për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Republika e Kosovës është përgjegjëse për dëmin që organi i administratës shtetërore e shkakton me punën e tij të paligjshme.

Gjithnjë sipas padisë, Njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës e ka arrestuar paditësin në kundërshtim me dispozitat e nenit 17.4 Ligjit të Policisë së Kosovës, sepse nuk e ka trajtuar me dinjitet dhe nuk e ka thirr paditësin për intervistë, por e ka arrestuar pa paralajmërim duke i drejtuar armët në drejtim të tij.

Në padi thuhet se qëllimi i arrestimit në mënyrë të kundërligjshme dhe ngarkimi me dyshimin e planifikimit të kryerjes të terrorizmit në veri të Mitrovicës në mënyrë të rrejshme, paraqet dëmtimin e integriteti moral të paditësit. /BetimipërDrejtësi

 

Arrestohen katër shqiptarë në Greqi, rrëmbyen një person për 10 mijë euro

Periskopi.com Lajme

Katër shqiptarë të moshës 19, 35, 41 dhe 49 vjeç kanë rënë në prangat e policisë greke për rrëmbimin e një bashkombasi të tyre 31 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë mbrëmjen e djeshme, 23 gusht 2019, në Nemea, Corinth.

31-vjeçari i rrëmbyer ishte zhdukur prej 20 ditësh dhe të afërmit e tij që jetonin në Shqipëri të alarmuar rreth fatit të tij kishin bërë denoncim në polici.

Megjithatë do të ishte një telefonatë e pengmarrësve drejt familjes, që do ti vinte ata në dijeni se çfarë po ndodh me djalin e tyre.

4 personat që rrëmbyen 31-vjeçarin kërkuan nga familja shumën prej 10,000 eurosh për ta liruar.

I riu u mor nga 49 vjeçari

49 vjeçari mendohet të ketë rol kryesor në rrëmbimin e të riut pasi ishte ai që e mori nga një stacion autobusi për ta dërguar më pas në shtëpinë në Nemea ku e mbajti në bashkëpunim dhe me tre shqiptarët e tjerë.

Celulari i futi në kurth

Pas denoncimit në polici, autoritetet shqiptarë vunë në dijeni menjëherë INTERPOL. Vendodhja e grabitësve u zbulua nga celulari i tyre.

INTERPOL njoftoi menjëherë departamentin e policisë në Corinthian, të cilët kryen bastisjen e banesës në Nemea.

Atje, ata gjetën 31-vjeçarin e lidhur dhe katër bashkatdhetarët e tij që e kishin marrë peng.

Sofra e Dardan Gashit kushton 10 mijë euro? (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, e udhëhequr nga Dardan Gashi, ka planifikuar t’i shpenzoj afro 10 mijë euro për organizimin e panairit dhe sofrës tradicionale për Ditët e Diasporës në Kosovë.

Në bazë të tenderit të publikuar për “Shërbime të vendosjes së tendave, organizimi i Panairit dhe sofrës tradicional 2019,të publikuar nga ky institucion me 9,500 euro planifikohen të organizohen 5 aktivitete në lokacione të ndryshme të Kosovës.

Për katër ditë me radhë Ministria e Diasporës dhe Investime Strategjike, do të organizoi aktivitete në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, Manifestim me 1 gusht në Prekaz dhe manifestimi qendror do ët mbahet me 2 gusht në Prishtinë, shkruan gazeta inFokus.

Në dosjen e tenderit kërkohet që Operatori Ekonomik, i cili dëshiron të fitoi këtë tender duhet të ketë të realizuara  minimumi një kontratë për shërbime të ngjashme, gjatë 3 viteve të shkuara para datës së publikimit te këtij njoftimit për kontratë.

Ia humbin komunës së Pejës 10 mijë euro, aktakuzë ndaj pesë të pandehurve

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.Sh., G.L., R.Zh., dhe G.Sh., për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar kundër të pandehurit I.K., për veprën penale mashtrim sipas Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit për medie, i pandehuri, D.Sh., akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Pejës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9.929 euro.

Ndërsa, të pandehurit, G.L., R.Zh., dhe G.Sh., si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës së lartcekur.

I pandehuri, I.K., në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, i ka shkaktuar dëme buxhetit komunal të Pejës në vlerë 9.929 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.