E tmerrshme, një 11-vjeçar rom dyshohet se u dhunua seksualisht nën Urën e Gurit

Periskopi.com Lajme

Nuk ka kaluar shumë kohë nga rasti i fëmijës në Fushë Kosovë, i cili ishte dhunuar seksualisht e më pas edhe ishte vrarë. Lajmi i cili tronditi tërë Kosovën ka bërë që të ketë reagime të shumta në shoqëri, jo vetëm për shkak të aktit barbar, por edhe se policia nuk kishte reaguar me kohë kur familja kishte bërë ankesë.

Por, jo më larg se dy ditë më parë, një fëmijë i moshës 11-vjeçare ishte viktimë e radhës së abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Fillimisht, gjatë kontaktit me policinë, ishte thënë se ky rast ishte vetëm tentim dhunimi.

Por fjalët e dëshmitarëve të rastit të cilët mund lirshëm të konsiderohen heronj, nuk e tregojnë të njëjtin version.

Fëmija 11-vjeçar, nga komuniteti rom i cili kërkon lëmoshë në qytetin e Prizrenit sipas dëshmitarëve është viktimë e dhunës seksuale në qendër të qytetit historik.

Ndaj tij jo vetëm se ishte tentuar të bëhej abuzim seksual, por disa prej dëshmitarëve tregojnë se abuzimi kishte filluar.

E para që arriti të vërente se diçka nuk është në rregull është një zonjë nga Prishtina me banim në Luksemburg, e cila së bashku me familjen e saj po e shijonte një kafe buzë Lumbardhit.

Një vizitë në këtë qytet i ishte kthyer në tronditje kur pa se përballë saj, në anën tjetër të lumit, diçka jashtë normales po ndodhte. Në kushte anonimiteti, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë treguar të gjithë ngjarjen se si ndodhi rasti.

“Ishim duke qëndruar në njërën nga kafenetë e qytetit afër lumit, kur e pashë rastin” tha ajo, e cila pasi e kishte vërejtur se skenat ishin shumë të dyshimta kur e pa një burrë me një fëmijë nën urën e gurit. “I tregova edhe bashkëshortit edhe ai e pa, e lajmëruam edhe kamerierin, por ai na tha mos ndoshta është ndonjë lypsar”.

E çifti shqiptar me banim në Luksemburg, reagojnë shpejtë në momentin kur viktimës, 11-vjeçar, abuzuesi ia kishte zhveshur pantallonat.

Më pas, çifti ishin nisur drejtë vendit të ngjarjes.

E para ishte zonja e cila i ishte afruar në një lokal tjetër afër lumit dhe e kishte pyetur dy persona të cilët rastësisht qëlluan aty se a mos është ndonjë polic këtu afër. E ajo rastisi që t’i flasë qytetarit të Prizrenit K.B. të cilin Express e ka kontaktuar.

K.B nga Prizreni ka treguar se gjatë kohës sa ishte duke pirë kafe me një kolegë i ishte afruar një zonjë e cila dukej se ishte e shqetësuar.

“Fillimisht unë isha me një kolegë, duke pirë kafe përballë përmendores. Ka qenë mesditë dhe për një moment afrohet një zonjë, me një shikim të brengosur, na pyeti ‘A ka policë këtu afër’, iu përgjigja që po qëndrojnë tek kisha”, tha dëshmitari K.B

Zonja nga Prishtina tregon se ajo kishte harruar edhe çantën e gjërat e tjera dhe i ishte afruar dy personave, në këtë rast K.B. “Më thanë se ka policë te kisha, por nuk e dija saktësisht se ku ishte kisha” dhe më pas i kishte kërkuar ndihmë të dy personave.

K.B kujton se zonja i kishte thënë që është urgjente dhe se dikush po e keqtrajton një fëmijë. Ai kishte menduar së pari se disa fëmijë janë duke u rrahur mes vete dhe e kishte pyetur ‘Si po e keqtrajton?’, por që zonja, nga tronditja që e kishte marrë nuk kishte arritur që t’i kthente përgjigje të plotë.

“Ajo nuk flitke shumë, thoshte ‘Te ura, te ura’! Unë shikova në anën e majtë të urës, ajo më tha që është në anën e djathtë” kujton K.B i cili thotë se në fakt nuk e kishte parë se i dyshuari kishte filluar aktin e dhunës.

E bashkëshorti i zonjës nga Lukesmburgu, pak para se K.B të ishte afruar, tregon se në atë moment dhunuesi vetëm e kishte filluar aktin. Në ato momente, bashkëshortja e tij kishte bërtitur me zë të lartë.

E ai thotë se “fëmija i kishte pasur pantallonat e ulura deri në gjunjë, ndërsa dhunuesi ishte i ulur në gjunjë”.

Pasi zonja kishte bërtitur, K.B ishte afruar dhe tregon se abuzuesi në atë moment ishte i veshur dhe nuk e kishte parë aktin dhe se kur kishte arritur fëmija ishte i veshur.

“I bërtita, thash ‘Dilni jashtë të dy menjëherë’. Ai u zgjua në këmbë, e pashë që nuk reagoi, dikur ia mbathi nga krahu tjetër i urës ndërsa i thash fëmijës eja tek unë” tha K.B duke shtuar se e kishte pyetur fëmijën se mos të ka bërë diçka, ai tha ‘jo jo asgjë’, e pyeta e je i sigurt, e pastaj më tha vetëm ‘deshi të më rrahë’” tregon K.B.

E në këtë moment, dëshmitari tjetër i rastit, E.S ishte duke kaluar afër qendrës së qytetit.

Ai tregon se në vendin e ngjarjes ishin edhe disa turistë nga Turqia të cilët i thanë se një fëmijë është abuzuar dhe se me të dëgjuar këtë, ai kishte vrapuar drejt personit që po vraponte e po ikte.

“Më thanë turistët ‘po ikë, po ikë” e me shpejtësi vrapova. Për një moment u shtira gjoja jam një polic, ai reagoi shumë ashpër nga distanca. E kam ndjekur nga Ura e Gurit deri tek objekti i komunës. Më pas e pashë që kishte diçka në dorë dhe u ndala. E dija se ka shumë kamera aty, për shkak se është edhe konsullata turke dhe se e dija që kamerat tashmë e kanë kapur”.

E.S e përshkruan të dyshuarin si një person rreth 40-vjeçar dhe gjatë kohës sa vraponte çalonte me këmbën e djathtë.

Pasi E.S u kthye në vendin e ngjarjes, kishte filluar që të bisedojë me fëmijën, por në momentin që ishte përmendur policia, fëmija ishte frikësuar, por ai e kishte qetësuar dhe se në bisedë e sipër me 11-vjeçarin, ai kishte treguar se i dyshuari i kishte ofruar një pije, e më pas i kishte thënë se do të bëjnë marrëdhënie seksuale orale e më pas edhe anale.

Dikur kishte arritur edhe policia dhe se ishin dhënë deklaratat nga të dyshuarit. Dëshmitarët K.B dhe E.S thanë se duhet që zonja nga Luksemburgu duhet të falënderohet për reagimin e saj. Madje E.S e cilëson si një heroinë të vërtetë për reagimin e saj.

E për faktin se qyteti ishte i mbushur me njerëz që nuk reaguan, kjo ka bërë që dëshmitarët ta shprehin shqetësimin e tyre.

Madje zonja nga Luksemburgu, që ka zgjedhur të qëndrojë anonim, është shprehur e habitur se si mund të ndodhë kjo gjë në mes të qytetit pa reaguar askush.

“Pse bëhen protesta pasi që gjërat ndodhin, pse nuk reaguan të tjerët? Kjo më shqetëson mua” tha ajo e cila u cilësua si një heroinë e vërtetë nga E.S

E mos reagimi i të tjerëve e ka shqetësuar edhe K.B

“Mua ajo që më brengos është fakti që ky fëmijë qëndron shpesh në qendër të Prizrenit e luan me tarabuka e kërkon lëmoshë. Ajo që do të kërkoja nga të tjerët është që ta dinë se me paratë që i japin ata fëmijët nuk i dërgojnë në shtëpitë e tyre, por tek persona të tjerë të cilët i detyrojnë të kërkojnë para” tha ai.

Ndërkohë, për këtë rast, Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë së Prizrenit. Prokuroria as nuk e ka mohuar as pohuar faktin se fëmija tashmë mund të jetë dhunuar apo vetëm mund të jetë tentuar të dhunohet.

“Referuar kërkesës dhe pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se lidhur me rastin në fjalë, jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar. Rrjedhimisht, rasti është në fazën fillestare të hetimeve” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Dhunimi dhe më pas vrasja e fëmijës nga Fushë Kosova, ka bërë që të ketë reagime të mëdha nga shoqëria dhe institucionet. Njëri nga dëshmitarët është ankuar gjithashtu se ka edhe mungesë të policisë në qendër të Prizrenit. I dyshuari është ende në arrati, ndërsa Policia e Prizrenit e ka konfirmuar se ai nuk është nga rajoni i Prizrenit.

I pari që e kishte bërë lajmin publik ishte Ilir Gashi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, i cili pak minuta pasi që kishte ndodhur ngjarja ishte kalimtar i rastit.