11 vjeçari shqiptar i cili jeton në kampin në Siri është nën kujdesin e “Save the Children”

Periskopi.com Lajme

Vogëlushi shqiptar Alvin Berisha i cili kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij Valbona Berisha u largua nga Italia për t’ju bashkuar luftës së shtetit islamik, është bërë kryetitull në mediat shqiptare.

Së fundi është raportuar se ISIS ka shfrytëzuar kaosin e pushtimit të Turqisë në Siri për të kapur kontrollin e kampit ‘Al Hola’ ku po mbahen dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të luftëtarëve xhihadistë.

Por mediat shqiptare njoftuan se Alvin i cili gjendet në kampin Al Hola, është marrë nga organizata “Save the Children”.

Ndërkaq çifti shqiptar, Afrim dhe Valbona Berisha, prindër të 3 fëmijëve, Alvin 6 vjeç e të dy vajzave më të rritura, jetonin në Itali prej vitit 1995.

Hetimet e autoriteteve policore duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbona Berishës kanë zbardhur rrugëtimin e saj deri në Siri. Nga aeroporti i Bergamos sipas hetimeve, ajo ka udhëtuar drejt Stambollit e më pas ka mbërritur në Siri.

Prej gati 5 vitesh Afrim Berisha është vënë në kërkim të djalit të tij, prej të cilit ka mundur të marr vetëm një letër ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë e donte të kthehej në shtëpi.

Gazetarët italianë kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin Al-Hol të Sirisë, vendi ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.

Autoritetet kurde kanë informuar se Valbona Berisha ka mbetur viktimë gjatë bombardimeve të fundit në Siri ku ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Ndërsa Alvin sot 11 vjeç është gjallë e i vetëm në kamp. Ai jeton së bashku me fëmijët e tjerë jetimë.

 

Organizohet marsh në Fushë-Kosovë për rastin e 11 vjeçarit që e përdhunuan dhe më pas e vranë

Periskopi.com Lajme

Të premtën në orën 14:00 tek Lagjia Meshari e deri tek stacioni policor në Fushë Kosovë do të bëhet një marsh më moton :Polici, gjyqësi edhe sa doni n’vorr me i shti?

Në thirrjen që është bërë në Facebook thuhet se: “Rastet e përdhunimeve të cilat po raportohen në polici nuk po adresohen dhe si pasojë e racizmit sistematik të rrënjosur në këto institucione qytetarët e Kosovës po vriten. Qytetarët e republikës së Kosovës është duke i vrarë vetë ky shtet racist”.

Më poshtë e gjeni thirrjen e bërë për marsh:

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po dështon të mbrojë qytetarët nga kriminelët, nga vetë institucionet dhe racizmi i tyre . Rastet e përdhunimeve të cilat po raportohen në polici nuk po adresohen dhe si pasojë e racizmit sistematik të rrënjosur në këto institucione qytetarët e Kosovës po vriten. Qytetarët e republikës së Kosovës është duke i vrarë vetë ky shtet racist.
Vrasja e fundit e 11 vjeçarit, të përdhunuar disa herë dhe i vrarë nga një kriminel i dyshuar 20 vjeçar është një nga rastet e tmerrshme që shpërfaqin shpërfilljen që institucionet e drejtësisë e kanë ndaj krimit e që po i bënë bashkëpunëtorë ata. Ky rast, i raportuar në janar e që përfundoi në vrasje pas neglizhimit të vazhdueshëm institucional po po e bënë çdo herë e më të pasigurtë shoqërinë në të cilën jetojmë.
Rastet e këtilla të injorimit, diskriminimit dhe racizmit institucional nuk duhet lejuar të bëhen norma! Policia dhe prokuroria duhet të japin llogari për këtë krim! Andaj, ju ftojmë që të premtën duke filluar nga ora 14:00 të ngrihemi të gjithë në protestë para policisë në Fushë Kosovë dhe të mos lejojmë që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të këtyre institucioneve që më së paku po na mbrojnë.
#PrejArkivesNeArkivol #EdheSa?

Të premten në orën 14:00 mblidhemi tek lagja Meshari (te pazari)për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë.

Rasti i vrasjes së 11 vjeçarit, kërkohet hetim edhe për neglizhencën e Policisë

Periskopi.com Lajme

Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë nëpërmjet një konference për media ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së 11 vjeçarit në Fushë Kosovë.

Drejtoresha e KOMF-it  Donjeta Kelmendi, tha se kërkojnë që Prokuroria të veprojë menjëherë për zbardhjen e rastit.

“KOMF kërkon veprime të menjëhershme nga Prokuroria për zbardhjen e rastit. Sipas Policisë së Kosovës viktima ka pasur shenja dhune. Raporti mjekësor i autopsisë ka bërë të ditur se viktima ishte dhunuar tri herë dhe plaga ka qenë e freskët. Akoma më shqetësuese mbetet se nëna e viktimës ka thënë se e ka njoftuar Policinë e Kosovës për shqetësimet se fëmija i saj ishte dhunuar nga i njëjti person”, tha ajo.

KOMF kërkon nga Inspektorati i Policisë së Kosovës që të hetojë nëse ka pasur neglizhencë nga Policia.

Ndryshe sot Policia ka njoftuar se për këtë rast ka arrestuar një 20 vjeçar si të dyshuar për vrasjen e fëmijës 11 vjeçar. I mituri fillimisht ishte dhunuar e më pas ishte vrarë

“Rasti i raportuar me datën 11.07.2019 fillimisht është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” ndërsa pas veprimeve hetimore dhe operacionale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ky rast është rikualifikuar si vepër penale “vrasje e rëndë””, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se S.O, i dyshuar për veprën penale “vrasje të rëndë”, me urdhër të prokurorit kompetent është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

 

Kërkohet i dyshuari për dhunim seksual të 11 vjeçarit rom që u gjet i vdekur

Periskopi.com Lajme

Të enjten që shkoi u gjet pa shenja jete 11-vjecari K.Veseli në Fushë Kosovë. Nëna e tij, Makfirja po e akuzon një person të moshës rreth 20-vjeçar për vdekjen e të birit. E policia e Kosovës tashmë është në ndjekje të të dyshuarit me inicialet S.O. Ndërkohë në shkurtin e këtij viti, viktima bashkë me nënën e tij kishin qëndruar në strehimore.

Autoritetet  janë vënë në kërkim  të të dyshuarit pas deklaratave që nëna e viktimës i ka dhënë për mediat se një 20 vjecar ia ka dhunuar seksualisht të birin tashmë të ndjerë.

Lajmin se  S.O. tashmë është në kërkim e ka konfirmuar për Express, prokurori kujdestar, Hivzi Bajrakari.

“Pas deklaratës që  ka dhënë nëna e të ndjerit, policia e ka marrë informatën dhe është në ndjekje të të dyshimtit.  Jemi në kërkim të të dyshuarit për involvim në këtë rast. Policia po i vazhdon hetimet”, ka deklaruar prokurori Bajraktari.

Viktima dhe nëna e tij kishin qëndruar në strehimore

Për shqetësimet që 11-vjecari i ndjerë po i përjetonte, nëna t tij, Makfirja, rastin e kishte lajmëruar në policinë e Kosovës. Këta të fundit Expressit dje i deklaruan se më 29 janar të këtij viti kanë pranuar informatën për një rast të keqtrajtimit seksual.

Por pas tetë ditëve  nëna e viktimës, bashkë me tashmë të ndjerin e fëmijët e tjerë ishin strehuar në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Por aty, ata kishin qëndruar vetëm një ditë. Kërkesa për dalje nga Qendra strehuese sipas zyrtarëve të qendër kishte qenë e nënës së viktimës.

“Me 7 shkurt ka ardhur, me 8 shkurt ka dalë. Nëna ka thënë se nuk e ndjenë vetën të rrezikuar. Institucionet e kanë parë të arsyeshme me e sjellë në strehimore.  Qendra për Punë Sociale dhe policia. Mezi e kanë bindur që të qëndrojë një natë në strehimore”, ka thënë , Zana Hamiti, drejtoreshë në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Ndërkohë, pas më shumë se 2 muajve, policia e Kosovës kishte ngritur kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për këtë rast. Pra me 15 prill.

“Më datën 15 prill është ngritur kallëzim penal ndaj personit te dyshuar dhe i njëjti rast është proceduar ne prokurori”, deklarojnë nga policia.

 

Rasti i 11 vjeçarit që nget autobusin në rrugët e Gjakovës përfundon në Prokurori

Periskopi.com Lajme

Kronika e Klan Kosovës me një 11 vjeçar duke vozitur autobus, ka bërë që rasti të përfundojë në Prokurori. Nga Policia e Kosovës, rajoni në Gjakovë, i kanë thënë Periskopit se rasti do të procedohet më tutje në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Edhe nga Klan Kosova, kanë një përgjigje për këtë…

Një kronikë e realizuar nga Klan Kosova, ku shihet një 11 vjeçar duke vozitur autobusin, ka bërë që Policia e Kosovës të nis hetimet ndaj familjarëve të fëmijës.

Olti Gjoshi, 11 vjeçar, shihet në kronikë duke vozitur autobusin në rrugët e një fshati në Gjakovë, përkatësisht rrugës pranë familjës Gjoshi.

Policia e Kosovës, pati konfirmuar për Periskopin javën e kaluar, se me të parë këtë kronikë, do të ftoheshin për intervistim personat përgjegjës për rastin.

“Nesër do të ftohen familjarët e tij në Stacionin e Policisë në Gjakovë, dhe do të shtjellohet kjo çështje se çfarë do të bëhët me tutje” ka thënë për Periskopin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirie Beqiraj.

Ndërkohë, Beqiraj i aka konfirmuar Periskopit se rasti është hapur në Prokurori.

“Ju njoftoj se Policia e Kosovës nga stacioni policor në Gjakovë, me të marrë informacionin mbi sjelljen joligjore në rastin konkret, kanë marrë masat e nevojshme në identifikimin e personave dhe në bashkëpunim me prokruorin e shtetit, ndaj tyre është inicuar rast penal. Rasti i kompletuar do të proceduhet më tutje në prokurorinë themelore në Gjakovë”, ka thënë Beqiraj.

Nga Klan Kosova, shprehin keqardhje për këtë, duke thënë se idea nuk ka qenë të promovohet diçka e jashtëligjshme, por të paraqitet talenti i 11 vjeçarit.

Blerim Xhemajli, kryeredaktor në Klan Kosova, i ka thënë Periskopit se ‘duke pasur parasysh që ka fëmijë të cilët dinë të ngasin vetura dhe mjete tjera, ka qenë interesant informacioni se diku në Kosovë një fëmijë di të ngasë edhe autobusin’.

Ai ka thënë se kanë qenë familjarët ata që kanë propozuar që 11 vjeçari të tregojë talentin e tij nëpër rrugët e fshatit dhe duke sqaruar tutje idenë e kronikës, ka shtuar se ‘atë ditë rastësisht kanë kaluar dy vetura në anën tjetër’. Xhemajli pranon se kjo është pasqyruar keq në sytë e publikut.

“Idea ka qenë më shumë për kuriozitet. Në paraqitje ka qenë për me demonstru aftësinë e një djali kaq të ri që ti të vozisë autobusin. Meqenëse nuk ka pasur kushte të bëhet diku tjetër, demonstrimi është bërë në një rrugë të fshatit. Pak i ka ra një hije e keqe edhe kronikës dhe në paraqitje nuk është dalë në mënyrën më të mirë. Në demonstrimin e asaj dite, kanë qenë dy vetura që kanë kaluar”, ka thënë Xhemajli për Periskopin.

Duke ndjerë keqardhje dhe duke  elaboruar qëllimin e kronikës, Xhemajli thotë se Policia e Kosovës mund ta kryejë punën e saj.

“Ata (familjarët v.j) na kanë treguar se nuk dalin në rrugë me autobus. Nëse policia dojnë ta hetojnë, është punë e tyre. Idea fillestare ka qenë qysh një 11 vjeçar nget një autobus. Në pasqyrën e shikuesve kjo nuk ka dalë mirë natyrisht pasi që djaloshi shihet duke vozitur autobusin në një rrugë të frekuentuar”, thotë Xhemajli.

Reagime të shumëta ka pasur ndaj kësaj kronike, sidomos në kohën kur janë shtuar aksidentet me fatalitet në Kosovë. Ka qenë edhe vetë Policia e Kosovës, e cila ka dalë me një apel para pak ditësh, ku u kërkon vozitëve në Kosovë që jenë më të kujdesshëm. E kjo, ka qenë një nga arsyet që ka shtyrë reagime të mëdha, se si promovohet një 11 vjeçar duke vozitur një autobus. /Periskopi/

 

11 vjeçari nget autobusin nëpër rrugët e Gjakovës, nesër familjarët e tij dalin para Policisë

Periskopi.com Lajme

Duke parë numrin e madh të aksidenteve me fatalitet  në rrugët e Kosovës, ideja për t’ia besuar një 11 vjeçari drejtimin e një autobusi  është tejet e  rrezikshme.

Por kështu ka vepruar familja Gjoshi nga Gjakova, e cila ia plotëson dëshirën djalit të tyre të vogël, Olti Gjoshit (11 vjeç) që ta ngas autobusin nëpër rrugët e qytetit të Gjakovës, raporton Periskopi.

Pas publikimit të stories në televizionin Klan Kosova, Periskopi ka kontaktuar zëdhënësen e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lirie Beqirajn, për ta pyetur nëse do të niset ndonjë procedurë për rastin në fjal, pasi një veprim i tillë përveç që është i rrezikshëm është edhe shkelje e ligjit.

Ajo për Periskopin ka  konfirmuar se qysh ditën e nesërme (e hënë), familjarët e 11 vjeçarit do të ftohen për intervistim në stacionin e Policisë në Gjakovë.

“Nesër do të ftohen familjarët e tij në Stacionin e Policisë në Gjakovë, dhe do të shtjellohet kjo çështje se çfarë do të bëhët me tutje” ka thënë për Periskopin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirie Beqiraj.

Kujtojmë se ditë më parë është shuar një familje pesë anëtarëshe nga Suhareka si pasojë e një aksidenti të rëndë ku ishte përfshirë edhe një autobus.

E  hiq më larg se sot Policia e Kosovës ka publikuar një apel tek ngasësit, që të kenë kujdes më të shtuar në trafik, si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve në Kosovës./Periskopi/