Vdes 19- vjeçarja, tragjedia e dytë në familjen e saj

Periskopi.com Lajme

U nis për të shkuar në punë, por nuk u kthye më, pasi një aksident fatal i mori jetën një 19-vjeçareje.

Laura Quinn, ishte duke ecur me makinën e saj, tip Fiat Punto, mëngjesin e së martës, teksa u përplas me një pemë. E reja nuk mundi dot të mbijetonte, pasi plagët e marra ishin të rënda, raporton Irish Mirror.

Edhe pse ambulanca shkoi menjëherë në vendngjarje, ishte tepër vonë, sepse 19-vjeçarja kishte ndërruar jetë. Laura jetonte me prindërit e saj në zonën Kilshane, midis qytetit Bansha dhe Tipperary në Irlandë.

Kjo ishte tragjedia e dytë për familjen e saj, pasi disa muaj më parë, kushëriri 24-vjeçar, Conor Quinn gjeti vdekjen, pasi u ther me thikë në rrugën Mallow, Co Cork.

Miqtë e Laurës dhe të afërmit janë prekur shumë nga ngjarja e rëndë dhe kanë shprehur ngushëllimet për familjen e saj.

“Ata janë një familje shumë e mirë. Është një humbje e madhe ajo që ju ka ndodhur. I njoh nga afër. Kjo është një tragjedi shumë e dhimbshme”, është shprehur anëtari i këshillit lokal, Michael Fitzgerald.