Lluka: Kodi +383 ende nuk funksionon në Serbi

Periskopi.com Lajme

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kodi +383 ende nuk funksionon në Serbi përkundër që shteti fqinj e ka pranuar një marrëveshje të tillë.

Ai ka thënë se Marrëveshja për Roamingun, që u arrit në Beograd ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, është historike dhe shumë e rëndësishme.

“Ky ishte Samiti i dytë Digjital, pas atij në Shkup, dhe u arrit marrëveshja për roamingun që është një arritje e madhe. Kosova me këtë rast ishte me fusnotë, por jo me UNMIK”, ka thënë Lluka.

Lluka më tutje ka shtuar se në vazhdimësi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq e ka përmendur taksën, derisa thekson se deri në momentin e fundit delegacioni i Kosovës nuk e ka ditur nëse do të nënshkruhej marrëveshja apo jo, dhe e gjithë kjo shkaku i Kosovës.

Lluka ka thënë se kodi +383 ende nuk është funksional në Serbi.

“Mes të gjashtë shteteve është nënshkruar marrëveshje. Tarifat më shumë se dhjetë fish do të zbresin, deri më 2021synohet të hiqen krejtësisht ashtu siç i kemi edhe ne në Kosovë. Dje e shpreha në panel një shqetësim, ku tentova ta thërras familjen nga Beogradi në numrin Vala dhe nuk bënte. Kodin +383 ende Serbia nuk e ka rregulluar përkundër që e ka pranuar atë. Në biseda e sipër na është premtuar se kur të nisë implementimi i marrëveshjes, pra në korrik, do të rregullohen këto probleme. Prandaj mbetet të shihet”, ka thënë Lluka.

Më tutje ai ka treguar për provokimet që u janë bërë gjatë këtij samiti.

“Nuk e kemi pritë se na presin me lule, e kemi ditur se ka me pas tension, por derisa ishte i organizuar edhe nga Komisioni Evropian nuk e kemi pritur që do të ketë mesazhe fyese të tilla ndaj Kosovës. Probleme teknike në zërim gjithmonë kishte kur flitej për Kosovën. E kemi përpiluar një raport dhe e kemi dërguar në të gjitha institucionet evropiane për këto probleme”, ka treguar Lluka.

Gjatë kohës sa u ishin ndalur fjalimet e delegacionit të Kosovës në ekran shfaqej “Kosova është Serbi”, të cilat Lluka i ka quajtur fyese.

“Shpend Lila tek ICK-ja kur fliste ia kanë ndalur fjalimin, derisa në prapavijë shfaqet mesazhi kundër Kosovës. E kjo ka ndodhur pothuajse në të gjitha panelet. Vet Qeveria e Serbisë ka pasur qasje për këto probleme. Edhe gjatë fjalimit tim kanë luajtur me vokal. Kurse problemet kanë ndodhur gjithnjë nga 2-3 minuta. Organizatorët ndërkombëtarë kanë qenë të shqetësuar, kanë kërkuar falje e janë ndier shumë të fyer nga këto veprime të Serbisë”, ka thënë Lluka.

Për tërë delegacionin e Kosovës në Beograd ka pasur një siguri të lartë.

“Në vazhdimësi kemi pasur rreth 10 veta të shërbimit sekret të Serbisë, kemi qenë nën vëzhgimin e tyre gjatë gjithë kohës. Nuk jemi lejuar as të dalim në darkë, gjatë secilit moment kam qenë i rrethuar prej tyre. Sjellja e personave që ishin pjesë e protokollit ka qenë korrekte, edhe pse ndoshta ka qenë me ndërhyrje te thellë, mirëpo në përgjithësi ishte sjellje korrekte. Tashmë janë publikuar në Twitter edhe dy video nga serbët që nuk i kanë përkrahur këto provokime nga ana e tyre. Ne kemi bërë edhe një përmbledhje të këtyre provokimeve”.

Ai pret që ky Samit të mbahet edhe në Kosovë gjatë viteve të ardhshme.

“Në vitin tjetër është Tirana, kurse pas saj Podgorica. E pas tyre mendoj se do të jetë Kosova, që nuk do të sillet ashtu ndaj Serbisë. Ne jemi fitues nga kjo Konferencë, pasi Serbia ka treguar se si reagon në këto raste”, ka thënë Lluka.

Më tutje ai gjithashtu ka folur edhe për problemet në Telekom.

“Kam kërkuar llogari për shuam gjëra, për punësimet, për borxhet, për marrëveshjen me një kompani amerikane etj. Tash është duke u bërë një vlerësim të performancës së Bordit, kemi parë që ka pasur punësime të mëdha gjatë muajve të fundit. Punësimet janë ndalur tani. Tash është tenderi për ekspertët që do të bëjnë një vlerësim të gjendjes së Telekomit se ku është saktësisht, e do të synojmë që të përmirësojmë gjendjen e saj”, ka thënë ai.

Lluka shtoi se Menaxhmenti merret me veprime të përditshme dhe është përgjegjës për secilën kontratë që ndodh aty, ajo raporton te Bordi e ky i fundit te Ministria.

Kurse mos qasjen në dokumente për Komisionin Hetimor e ka quajtur absurde.

“Nuk do të duhej të ndodhte që të mos raportohet para Komisionit Hetimor, pasi vjen nga institucioni më i madh i vendit që është Kuvendi. Logjikisht do të ishte që Komisioni Hetimor duhet të ketë qasje të 100 për qind, dhe është absurde të mos ketë qasje në këto dokumente. Ndoshta mund të gaboj ligjërisht në këto që po them. Nëse shohim se ka pasur keqpërdorime do të nisim të gjitha procedurat. Por, duhet të bëhet një vlerësim në këtë aspekt”, ka thënë Lluka.

 Vetëvendosje e kërkon sot kodin telefonik +383 të cilin e kundërshtonte dje si kod të Serbisë

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosje që dikur e cilësonte kodin shtetëror +383 si kod të Serbisë tashmë kërkon që ai të vihet në funksion. Një problem tjetër është edhe implementimi kodit +383 që është obligim i operatorve të shërbimeve mobile dhe fikse në Kosovë,  mirëpo është obligim edhe i ARKEP-it, si institucioni më përgjegjës për këtë çështje shumë të rëndësishme.

Posedimi dhe jetësimi i kodit shtetëror është jetësim i sovranitetit në sektorin e komunikimeve elektronike në Rpubliken e Kosovës.

“Ne kërkojmë nga ARKEP angazhim më të përgjegjshëm në  implementimit te kodit shtetëror +383”, ka thënë të shtunën Vetëvendosje në një konferencë për media, me rastin e gjashtëmujorit të miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës  të Rezolutës për Telekomin.

Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar më vitin 2015, së bashku me AAK dhe Nisma, peticion kundër katër marrëveshjeve me Serbinë të datës 25 gusht 2015, një prej të cilave ishte edhe marrëveshja për kodin telefonik +381. Këtë peticion e kishin firmosuar mbi 200.000 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në interpelancën e atëhershme të kryeministrit Mustafa në lidhje me kodin telefonik, kryetari i sotëm i Vetvendosjes kishte deklaruar se “vetëm sa e kanë maskuar zgjerimin e operatorit të Serbisë në Kosovë, e se kodi i ri telefonik mund të jetë kod i ri, por nuk mund të jetë kod i Kosovës”.

Ismet Hamiti, anëtar i Lëvizjes së Vetëvendosje, dhe ekspert në fushën e telekomunikacionit ka deklaruar vazhdimisht se ky kod është i Serbisë. “Me marrëveshjen me Serbinë, i njihet kompetenca në qeverisjen me sektorin e telekomunikimit në Kosovë”, pati thënë Hamiti, duke shtuar se me nënshkrim të Qeverisë së Kosovës, operatori shtetëror serb kthehet në Kosovë.

PETICION

 

 

 

 

 

 

Pas 15 janarit 2019 në Kosovë vetëm kodi +383

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi tha se ARKEP nuk ka pranuar zgjatje të afatit për përdorimin e kodeve tjera, por vetëm të 383.

‘Me fillimin përdorimit vetëm të kodit +383, IPKO konsideron se mund të ketë humbje komerciale, ndërsa VALA nuk ka investuar në rrjetin e saj”, tha Gashit sot në RTK3.

Sipas tij afati i implementimit ka qenë 18 muaj. “Ne konsiderojmë se operatorët kanë pasur mundësi të implementojnë kodin 383. Deri më 15 janar 2019 kanë kohë të implementojnë vendimet. Pas kësaj date do të ketë dënime në mënyrë automatike”, tha ai.

Gashi tha se do të ketë dënime nga 10 mijë euro, por ato mund të shkojnë deri në 150 mijë euro. “Ka edhe masa drastike, ku mund të ketë edhe revokim të licencës”, tha ai

Pse nuk po zbatohet në tërësi kodi +383?

Periskopi.com Lajme

Zbatimi i plotë i kodit shtetëror telefonik të Kosovës (+383) vazhdon të zvarritet.
Ndonëse ishte paraparë që zbatimi i plotë i këtij kodi të nisë më 30 qershor të këtij viti dhe pas ishte vendosur edhe një afat shtesë për datën 31 tetor, zbatimi i plotë nuk ka ndodhur ende.
Tani, afati i fundit për zbatimin në tërësi të kodit telefonik, që nënkupton edhe largimin e kodeve aktuale ndërkombëtare, është data 15 janar, 2019.
Dy operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, Vala dhe IPKO, janë deklaruar se si sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383 janë relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.
Në pamundësi për arritjen e afatit për zbatim të kodit +383, dy operatorët Vala dhe Ipko kishin kërkuar shtyrje të afatit, por kjo nuk është pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar me procedura për sanksione ndaj operatorëve të cilët nuk i janë përmbajtur afatit ligjor për largimin e kodeve paralele ndërkombëtare.
“Vendimi i fundit i ARKEP nuk pranon shtyrjen, por nxjerr vërejtjen përfundimtare dhe kërkon që të eliminohen parregullsitë brenda një afati sa më të shpejtë që është i mundur, derisa me masa sanksionuese fillohet nga data 15 janar, 2019”, tha Gashi.

Çfarë po ndodh me zbatimin e kodit +383?

Sipas Gashit, operatorët e telefonisë fikse dhe mobile Vala dhe IPKO do të mund të ndëshkohen me pagesë mujore prej 10.000 eurove, por si masë ndëshkuese kjo edhe mund të rritet.
Aktualisht në Kosovë, telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Kostot e përgjithshme të shkaktuara nga përdorimi i këtyre kodeve kapin shifrën në mbi 200 milionë euro.
Gashi thekson se sanksionet janë masa e fundit me anë të së cilës i kërkohet që të realizohet zbatimi i një vendimi të rëndësishëm shtetëror, siç është zbatimi i plotë i kodit +383.
“Ne i kemi parasysh disa sfida të operatorëve të cilat na kanë dokumentuar se një pjesë e madhe e trafikut ende kalon ndërmjet kodeve +386 dhe kodi +377, por jemi të bindur se pa fillimin e përdorimit të vetëm të kodit +383 do të ketë gjithmonë një përqindje të trafikut që do të kalojë në kodet tjera. Në këtë kuadër kërkojmë që sa më shpejt të bëhet zbatimi i kodit dhe të largohen kodet aktuale në mënyrë që ata të mos sanksionohen”, thotë Gashi.
Në anën tjetër, ekspert të çështjeve të telekomunikacioni e konsiderojnë neglizhencë të operatorëve telefonik mosrrumbullakimin në afat të caktuar të kodit shtetërorë telefonik të Kosovës +383.
Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se do të duhej të ndëshkoheshin operatorët për neglizhencën e treguar karshi zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës.
“Unë mendojë që kjo është neglizhencë e pafalshme. Rregullatori (ARKEP) është të vendosë menjëherë gjoba pasi që këta do të vonohen përsëri. Kjo nuk është problem i qytetarëve të Kosovës, por operatorëve të cilët duhet ta zgjidhin. Ata duhet të bëjnë maksimumin e vet për të bërë një shërbim si duhet për qytetarët. Po bëhet një kohë e gjatë që qytetarët kanë problem me komunikim, pasi që softuerët e këtyre sistemeve nuk janë adaptuar si duhet dhe nuk kanë bërë zgjidhje transitore për të kaluar në sistemin e ri në kodin +383”, thekson Dida.
Kodi shtetëror telefonik i Kosovës është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kërkohet dënimi i operatorëve që nuk kalojnë në +383

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik mbështetjen e tyre për t’i dënuar operatorët telefonik në rast se nuk e bëjnë kalimin në kodin 383 deri më 31 tetor të këtij viti.

Gashi ka thënë se arsyeja se pse nuk është implementuar kodi 383 në qershor të këtij viti është kërkesa e operatorit Vala që ky afat të shtyhet.

Gashi ka thënë se Telekomi i Kosovës pretendon se në investime në sistemin e tyre që duhet të bëjnë janë 3 deri në 5 milionë euro.

Sipas  Gashit gjatë vitit 2017 kanë arritur të ndërprenë sinjalin e të gjithë operatorëve të pa licencuar që kanë operuar në Kosovë, madje edhe në veri të vendit.

Ndërsa, në sistemin postar, Gashi ka thënë se në vitin 2017 ka një rënie të volumit të përgjithshëm të dërgesave. Po ashtu, ai bëri të ditur se Posta e Kosovës ka pasur rënie në të hyrat në shërbimet postare.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal është shqyrtuar projektligji për Produkte të Ndërtimit.

Kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha Shala bëri të ditur se anëtarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami pa  dhënë sqarime ka kërkuar që projektligji për produkte të ndërtimit t’i kthehet Qeverisë së Kosovës.

E për këtë një sqarim e pati anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari Lila e cila u shpreh se ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon që Departamentin e Ndërtimit ta kthej përsëri nën kompetencat e saja, ndonëse ky departament ka kaluar në Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sa ishte ajo në udhëheqje të MTI-së.

Përfaqësuesi i MTI-së Gurakuq Kastrati ka sqaruar se kjo Ministri ka kompetenca për mbikëqyrje të prodhimeve për ndërtim  duke filluar nga dizajnimi e deri tek vendosja e tyre në treg.

Këtë projektligji anëtarët e Komisionit u pajtuan që ta shqyrtojnë në një mbledhje tjetër./KosovaPress/

Kodi +383 i pa-aplikueshëm në thirrjet ndërkombëtare

Kodi telefonik shtetëror +383 aktualisht është i pa-aplikueshëm në thirrjet ndërkombëtare.

Periskopi.com Lajme

Thirrjet nga operatorët e shteteve të huaja në operatorin publik “Vala”  duke përdorur kodin 383 janë të parealizueshme. KALLXO.com e ka testuar thirrjet në drejtim të “Valës” nga disa shtete, por asnjë nga to nuk e kanë njohur numrin me kodin 383 dhe për pasojë thirrjet nuk kanë qenë të realizueshme .

Këtë e ka konfirmuar edhe kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Gashi thotë se Telekomi i Kosovës ka filluar fazën e implementimit të brendshëm të kodit telefonik +383, ndërsa për thirrjet ndërkombëtare nevojiten marrëveshje me operatorët ndërkombëtarë.

“Për implementim të plotë të  kodit operatorët telefonikë bëjnë marrëveshje të interkoneksionit dhe të roamingut me operatorët tjerë në botë,  ky është proces teknik në të cilin ARKEP nuk ka të drejtë të ndërhyjë”, tha kreu i ARKEP-it.

Gashi thotë se u takon operatorëve ekonomikë implementimi i kodit ndërkombëtar të telefonisë, ndërsa ARKEP-i i ka caktuar vetëm afatet maksimale deri kur mund të përdoren kodet e vjetra, nëpërmjet një plani të migrimit në kodin e ri telefonik.

Një shpjegim për mosfunksionimin e kodit telefonik në thirrjet nga jashtë e ka dhënë edhe drejtori teknik i Telekomit, Mehdi Latifi.

Latifi thotë se u kanë shkruar operatorëve ndërkombëtarë për t’i mundësuar thirrjet në drejtim të “Valës” duke aplikuar kodin 383.

“Ne sot kemi bërë veprimin e parë edhe u kemi shkruar letër të gjithë operatorëve ndërkombëtarë me të cilët kemi marrëdhënie kontraktuale dhe u kemi bërë thirrje që edhe ata të hapin routat numeracionin 383 drejt nesh”, tha Latifi.

Kjo shkresë nga Telekomi u ka shkuar operatorëve ndërkombëtar: Deutsche Telekom, Telekom Italia, Alb Telekomin, Turk Telekom, por edhe operatorëve të tjerë.

“Ftesa i është dërguar edhe Telekomit të Serbisë në mënyrë që të fillojmë marrëdhëniet kontraktuale edhe me operatorët tjerë në Republikën e Serbisë në mënyrë që të fillojmë raportet komerciale”, tha Latifi.

Ai tregoi edhe çfarë ka shkruar Telekomi i Kosovës në letrën drejtuar operatorëve.

“Në shkresën që e kemi dërguar (operatorëve) u kemi shpjeguar se cili është numeracioni jonë, i publikuar në buletinin e ITU-së me datën 15 dhjetor 2016 dhe cila është tarifa jonë, cilët janë numeracionet që ne i pranojmë këta operatorë,”sqaroi Latifi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Telekomi i Kosovës.

Zëdhënësi i tij, Arsim Bilalli tha se thirrjet nëpërmjet kodit të ri mund të jenë funksionale në një kohë më të shkurtër nga Shqipëria dhe Monako.

“Tani për tani kemi konfirmim nga AlbTelekom, Italian Telecom dhe Monaco Telecom. Italian Telecom ka premtuar që me datën 9 shkurt 2017 do të hapë numeracionin +383, ndërsa AlbTelecom dhe Monaco Telecom janë në fazën e sqarimeve teknike me Telekomin e Kosovës dhe mund të ndodhë që edhe sot gjatë ditës të hapen numeracionet +383 në drejtim të Kosovës, respektivisht rrjeti mobil dhe fiks të Telekomit të Kosovës… Në ndërkohë, presim konfirmim nga Deutche Telecom, Turk Telecom, etj, etj”, tha Bilalli në një përgjigje për KALLXO.com.

Kosova e ka marrë kodin 383 në dhjetor të vitit 2016, pas zbatimit të plotë të marrëveshjes për telekomunikacion në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas dhënies së lejes nga ARKEP-i, Telekomi i Kosovës është operatori i parë që ka bërë hapjen e numeracionit +383 për të gjithë konsumatorët për thirrjet e brendshme. Kodi është duke u njohur edhe në “Z-Mobile, operatorin virtual të “Valës”.

Gashi: Të gjitha thirrjet me +383 brenda tetë muajsh

Ditë që është pritur një kohë shumë të gjatë e ka quajtur atë të sotmen, kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi, kur Kosova ka marrë kodin telefonik +383.

Periskopi.com Lajme

Ani pse ai është cilësuar vetëm si kod gjeografik, ai ka thënë se ky kod e ka bërë rrumbullaksimin e identitetit shtetëror në fushën e telekomunikacionit. Njësoj kanë thënë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Kur ka folur për afatet kohore për këtë kod, Gashi ka thënë se marrja e kodeve shtetërore nuk ndodh shpesh.

“ITU-ja i ka disa afate e kushte që i vë për këtë. Rasti i fundit i marrjes së një kodi të ri në rajon ka qenë ai i Malit të Zi, që e ka marrë kodin +382”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

“Thirrjet e para do të fillojnë shumë shpejt. Thirrjet dalëse, që janë më lehtë për t’u realizuar do të bëhen brenda një muaji eventualisht brenda dy muajsh. Ndërsa të gjitha thirrjet besojmë se do të mund të realizohen brenda tetë muajsh”, ka thënë Gashi.

Ai nuk ka mundur të thotë se kush do të bëjë thirrjen e parë, por ka thënë se pret në garë të fortë mes operatorëve në Kosovë që të kthejnë numrat në +383.

“Ky është një proces i komplikuar”, ka thënë ai

Hamiti për kodin telefonik: E gjitha që dëgjuat sot ishte mashtrim

Eksperti kosovar i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, ka dhënë opinionin e tij rreth kodit telefonik, që sot e ka pranuar Kosova (+383).

Periskopi.com Lajme

Ai, në “Interaktiv” të KTV-së ka treguar se pozitën e fundit që ka pasur në ITU, ka qenë koordinues i zhvillimit të telekomunikacionit, sipas tij “për gjysmën e popullatës së këtij globit. Prandaj atë që do ta them e mbështes në përvojën time”.

Ai ka thënë se e gjitha që është dëgjuar sot në komunikata e njoftime të Qeverisë së Kosovës kanë qenë mashtrime dhe show, transmeton Koha.net.

“Gjithë ajo që keni dëgjuar sot është mashtrim, përpjeke e show i turpshëm i Qeverisë së Kosovës për të mashtruar kosovarët. Kodi që flasin ata nuk është as kod shtetëror as i Kosovës. ITU nuk e njeh në asnjë formë Kosovën, zyrtarët e Kosovës nuk mund të kalojnë as portën e ITU-së”, ka thënë Hamiti.

Eksperti Hamiti ka ripotencuar përsëri sikur në intervistat tjera se ky është kod gjeografik dhe i është ndarë Kosovës, sikur krahinë.

“Skema është që kodi të jetë i Serbisë. Flitet për një kod që është i është ndarë Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, pra gjeografik. Këta që flasin për kodin shtetëror, nuk kanë krijuar identitet me këtë kod”, potencoi Hamiti.

Bëhen testet e para të Kodit të ri +383, dalin me sukses (Foto)

​Pas zyrtarizmit nga ITU’ja për kodin telefonik të Kosovës, drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka postuar një fotografi ku tregon se po i festojnë testimet e para të kodit shtetëror +383.

Periskopi.com Uncategorized

Mustafa ka shkruar se pas një punë intensive dialoguese shumë vjeçare, sot zyrtarisht nga ITU, Republika jonë pajiset me kodin shtetëror telefonik +383.

“Testet e para vetëm se i kemi bërë sot dhe dolën me sukses”, ka shkruar ai.

Tahiri këmbëngul se me marrjen e kodit të ri shuhen operatorët ilegal të telefonisë së Serbisë në Kosovë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri thotë se shteti i Kosovës mori kodin telefonik ndërkombëtarë nga ITU dhe ky kod është 383.

Periskopi.com Lajme

E këtë, sipas Tahirirt, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se kjo është arritje e madhe historike për Kosovën.

“Unë uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për marrjen e kodit telefonik dhe falënderoj gjithë institucionet e shtetit tonë për arritjen e këtij objektivi madhor për shtetin dhe sektorin e telekomunikacionit. Falënderojmë BE-në, partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të, Gjermaninë dhe vendet tjera për mbështetjen për kodin. Falënderojmë gjithashtu Austrinë e cila ka aplikuar për kodin telefonik për Kosovën. Falënderojmë ITU-në, organizatën e specializuar të OKB-së për telekomunikimet për alokimin e kodit”, thotë Tahiri.

“Marrja e kodit telefonik për shtetin ka rëndësi të madhe. Efektet do të jenë shtetërore, të sovranitetit, ekonomike dhe të sigurisë. Kodi telefonik forcon subjektivitetin ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Me kodin telefonik, Kosova e fitoj identitetin shtetëror në fushën e telekomit. Kosova fitoi njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj në fushën e telekomit. Efektet ekonomike janë të mëdha, milionëshe, sepse nuk do të ketë shpenzime financiare siç kemi pasur deri tani me kodet e huaja|, thotë Tahiri.

Ajo thotë se Kodi telefonik krijon mundësi për shërbime më të mira të telefonisë dhe për kosto më të favorshme për qytetarët.

Tahiri, këmbëngul se kodi telefonik ndërkombëtarë është rezultat i marrëveshjes së Brukselit dhe se Kosova është pronare e Kodit.

“Kosova administron vetë me kodin e vet telefonik. Kosova do të bashkëpunoj direkt me ITU për implementimin e Kodit. Autoriteti Rregullator i Kosovës për telekomin (ARKEP) është institucioni kompetent për zbatimin e kodit. Kosova do të ketë vetëm një kod +383. Do të shuhen të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 me zbatimin e 383. Qytetarët e Kosovës do të identifikohen me kodin e shtetit të vet në të gjithë botën dhe jo si në të kaluarën me kodet e shteteve tjera.  Shuhen operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999.  Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.  Kufiri frekuencor vendoset në mes Kosovës dhe Serbisë. Hapet mundësia për realizimin e planit shtetëror për digjitalizim -përfshihemi në trendët globale të digjitalizimit”, thotë Tahiri./ Periskopi

ITU ia ndan Kosovës kodin telefonik shtetëror +383 më 15 dhjetor 2016

Në bisedimet që zgjaten tre ditë në Bruksel e që përfunduan sonte, u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovws thotw se ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të Marrëveshjes për telekomin ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, ITU do t’ ia ndaj Kosovës kodin telefonik 383 me datë 15 dhjetor 2016.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit dhe në përbërje të të cilit ishin edhe Kreshnik Gashi, kryetar i bordit i ARKEP-it dhe koordinator profesional për telekom, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator politik për telekom, Ilir Imeri, shef i departamentit për komunikime elektronike në ARKEP, Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës, Elona Cecelia, këshilltare politike dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.

Ministrja Edita Tahiri me këtë rast deklaroi se bisedimet e këtyre tre ditëve u përmbyllen me sukses, tashmë çdo gjë është e saktësuar se Kosova bëhet me kodin e saj telefonik shtetëror 383 të cilën ITU do t’ia alokoj këtë kod telefonik drejtpërdrejt Kosovës me datën 15 dhjetor 2016. Ajo tha se për herë të parë në histori Kosova do ta ketë kodi telefonik shtetëror.

Më tej, Ministrja Edita Tahiri theksoi se Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) me datë 15 dhjetor 2016 do të ia ndaj Republikës së Kosovës kodin e saj telefonik shtetëror që do të jetë +383. Me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare përmes kodit të saj telefonik.

Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Në këtë kuadër Kosova do të bashkëpunoj me ITU-në për zbatimin teknik të kodit telefonik. Kosova më në fund do ta kodin e vet telefonik ndërsa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të shuhen. Ministrja Tahiri potencoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Ajo po ashtu edhe njëherë e rikonfirmoi se të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Ajo tha marrëveshja për kodin telefonik do të ketë efekte pozitive të shumëfishta, si në planin shtetëror, të sovranitetit, ekonomik dhe telekomunikues.

Ajo theksoi se gjatë këtyre bisedimeve nga pala e Kosovës u konfirmua se autorizimi  i përkohshëm dhe i kufizuar në telefoni mobile do të realizohet sipas planit në ditën që Kosova e merr kodin e vet telefonik nga ITU, pala serbe konfirmoi se letra që Serbia do të ia dërgoj ITU-së ku shpreh pajtimin për kodin telefonik për Kosovën do të realizohet në afatin e paraparë. Delegacionet e dyja shteteve konfirmuan para BE-së se këto dokumente janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për telekomin dhe planin aksional.

Ministrja Tahiri tha se e falënderojmë Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin efektiv të kësaj Marrëveshje për telekomin dhe se ky proces po rezulton me sukses duke dëshmuar suksesin e radhës së Dialogut të Brukselit.

Ministrja Tahiri me ketë rast shprehu mirënjohje për gjithë delegacionin shtetëror të Kosovës për punën e madhe dhe të përkushtuar për gjithë këto vite për arritjen e këtij suksesi për Kosovën. Ajo në mënyrë të veçantë vlerësoi lart edhe angazhimin e kryetarit të bordit të ARKEP-it njëherit koordinator profesional i grupit shtetëror për telekomin i cili dëshmoi përkushtim shtetëror dhe profesional për këtë proces./ Periskopi

Gjuriq tregon planin për “pushtimin” telekomunikativ në Kosovë

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka folur sot në lidhje me zhvillimet e kodit telefonik të Kosovës dhe atë çka do të ofrojë Serbia.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se kjo marrëveshje do t’i ndihmojë shumë Serbisë, transmeton Koha.net.

“Kjo marrëveshje do ta rritë vlerën e Telekom Serbisë në tërësi, dhe jo për shifra të vogla, sepse do të jetë në dispozicion një territor i tërë (territori i Kosovës)”, ka thënë Gjuriq.

Ai më tej jep edhe premtime rreth telekomunikacionit në Kosovë.

“Për herë të parë pas shumë vitesh nga Hogoshti e deri në malet e Sharrit do të përfundojmë sistemin tonë të telekomunikacionit. Nuk kemi nevojë që të shpërndajmë valë nga Serbia, por do të jemi me kapacitet të plotë në Kosovë”, shtoi Gjuriq, duke vazhduar ende edhe për disa vendbanime në Kosovë, “Brezovica, Shtërpca, Graçanica e Kllokoti do të mbulohen me rrjet 3G dhe 4G, si dhe internet të shpejt për të gjithë banorët atje”.

Daçiq e kundërshton Tahirin: Thirrjet Kosovë-Serbi do të jenë lokale, jo ndërkombëtare

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha sot se marrëveshja e telekomunikacionin me Kosovën është shumë e rëndësishme për interesat e Serbisë.

Periskopi.com Lajme

“Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit nuk e ka njohur Kosovën si shtet, as Kosova nuk ka marrë anëtarësimin, pra Serbia do të kërkojë kodin për zonën gjeografike të Kosovës, derisa thirrjet ndërmjet Kosovës dhe vendeve tjera në Serbi edhe më tej do të mbetet thirrje lokale (ndërqytete)”, ka thënë Daçiq përmes një deklarate për media.

Sipas tij, mënyra se si është zgjidhur çështjen e “pronës tonë në Kosovë është me rëndësi jetike për Serbinë, për shkak se ajo është e rëndësishme për zgjidhjen e çështjeve të tjera të që mbetën pazgjidhura”, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, marrëveshja është një tregues për korrektësinë e politikës së Qeverisë së Serbisë, e cila ishte edhe konstruktive në dialog, por edhe e pa kompromis në mbrojtjen e interesave tona kombëtare.

Ai shtoi se Kosovës i dështuan të gjitha shantazhet dhe ultimatume që kërkoi për më shumë se dy vjet, pasi ajo donte të shembte formimin e komunave serbe.

“Serbia është partner i besueshëm që kujdeset për vendimet dhe fjalët e saj, por nuk lejon që të fyhet nga askush”, përfundoi ai.

Në Bruksel sot, pas tre ditë bisedimesh, është konfirmuar se është arritur marrëveshja për telekomunikacionin midis Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se kjo është një epokë e re e Telekomit të Serbisë, si dhe kompania do të jetë në dispozicion në të gjithë territorin e Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën,  sipas tij vlera e tij në tërësi do të rriten.

Në anën tjetër, ministrja Edita Tahiri tha sonte se thirrjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë ndërkombëtare dhe jo thirrje lokale, siç ka thënë Daçiq.

Tahiri thotë se thirrjet Kosovë-Serbi dhe anasjelltas, do të jenë thirrje ndërkombëtare

Edita Tahiri

Tahiri thotë se thirrjet Kosovë-Serbi dhe anasjelltas, do të jenë thirrje ndërkombëtare

Në Bruksel përfunduan bisedimet dy ditëshe, në të cilat u përcaktuan obligmet finale të palëve për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherit kryenegociatore në dialogun e Brukselit së bashku me delegacionin e ekspertëve të ARKEP-it dhe Telekomit të Kosovës, me sukses mbrojtën qëndrimin që obligimet e palëve të jenë në pajtim me marrëveshjen e vitit 2013 për kodin telefonik, planin aksional dhe konkluzionet e dakorduara më 13 shtator 2016, të zbatohen në mënyrë të përpikët dhe në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet në këto marrëveshje.

Ministrja Edita Tahiri, pas përfundimit të bisedimeve deklaroi se tashmë çdo gjë është përcaktuar në detaje për sa i takon obligimeve zbatuese të palëve dhe se Kosova do të bëhet me kod telefonik shtetëror më 15 dhjetor 2016, të cilin do t’ia jep ITU-ja.  Ajo shtoi se me këtë marrëveshje Kosova fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin e saj ndërkombëtar dhe njohjen në botë përmes kodit të saj telefonik. Po ashtu, kjo Marrëveshje hap rrugën e anëtarësimit të Kosovës në ITU dhe më këtë marrëveshje po bëhët njohja ndërkombëtare e Kosovës në fushën e telekomunikacionit.

Ajo poashtu tha se sipas marrëveshjes së Brukselit, Serbia obligohet t’i dërgoj një letër ITU-së më 3 dhjetor 2016 me të cilën shpreh zotimin se nuk do të pengojë në asnjë mënyrë që ITU t`ia ndajë kodin telefonik shtetëror Kosovës. Ministrja Tahiri, poashtu shtoi se Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera dhe se në Kosovë do të ketë vetëm një kod 383 dhe të gjitha kodet e huaja që janë përdorur 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin e shtetit të Kosovës. Do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Poashtu Kosova, sipas marrëveshjes, obligohet që t’i jap një licencë të përkohshme dhe të kufizuar një kompanie të re të regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, fushë-veprimtaria e së cilës do të jetë e kufizuar në disa zona të caktuara në Kosovë dhe me nivel të frekuencave që përcaktohet me ligjet e Kosovës. Funksionimi i kësaj kompanie është i kufizuar edhe në aspektin kohorë, veprimtaria e saj do të përfundojë në momentin që në Kosovë do të vie operatori i tretë i telefonisë mobile përmes një tenderi ndërkombtarë.

Në marrëveshje u përcaktua se Telekomi i Kosovës mund t’i jap me qira disa asete të telefonisë fikse për përdorim nga kompania e re, dhe për këtë çështje vendosë Telekomi i Kosovës sepse këto prona janë të saj.

Pas dakordimit të konkluzioneve të këtij takimi, tashmë Kosova po ecë sigurtë drejtë marrjes së kodit shtetëror nga ana e ITU-së. Takimi i radhës së ekspertëve të të dyja shteteve do të mbahet në Bruksel para datës 3 dhjetor 2016 ku do të bisedohet për të përcaktuar kufirin frekuencorë.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Tahiri kishte në përbërje edhe Kreshnik Gashin, koordinator teknik dhe kryetar i bordit të ARKEP si dhe anëtarët e bordit: Nijazi Ademaj, Hazir Hajdari, Bahri Anadolli dhe Shqiprim Pula. Poashtu Ilir Imeri, shef i Departamentit për Komunikime Elektronike në ARKEP, Visar Halimi, shef i Departamentit për Menaxhimin e Frekuencave në ARKEP, Astrit Ajvazi, shef i Departamentit për Monitorim të Radiove dhe Inspeksion në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të Telekomit të Kosovës dhe Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës.

 

Hahn mirëpret marrëveshjen për kodin telefonik, tregon çfarë na pret pas saj

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësim të BE-së kanë arritur marrëveshje për implementimin e Marrëveshje për Telekomunikacion nga viti 2013, respektivisht 2015.

Periskopi.com Lajme

Kosova nga 15 dhjetori i këtij viti zyrtarisht do ta merr prefiksin ndërkombëtar +383, duke i bërë të pavlefshëm prefikset e deritashëm të Serbisë (+381), Monakos (+377) dhe Sllovenisë (+386).

Marrëveshjen për implementimin e marrëveshjes së vitit 2013, respektivisht 2015 (Plani i Veprimit), e ka përshëndetur edhe komisionari evropian për zgjerim dhe negociata, Johanes Hahn, transmeton lajmi.net.

“E përshëndes marrëveshjen e arritur sot ndërmjet dy palëve për implementimin e mëtutjeshëm të marrëveshjes për telekomunikacionin. Shpresoj se ky përparim do t’i përshpejtojë marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe energjetikës”, ka shkruar komesari Hahh në llogarinë e tij në Twitter.

Luzha marrëveshjen për kodin telefonik e quan ‘fitore e Pirros’

Profesoresha universitare, Besa Luzha e ka ironizuar këtë marrëveshjen në Bruksel për kodin telefonik shtetëror të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Ajo e quan atë si “fitore të Pirros”.

“Edhe një fjollë e radhës që kurrsesi s’po shkrihet. Duhet me shpresu që Serbia na e jep kodin mbasi të shihet a po ia rehatojmë mirë kompaninë publike të saj në territor të Kosovës”, ka thënë Luzha, teksa ka cituar një pjesë nga njoftimi zyrtar i BE-së.

“Palët do të shqyrtojnë këto dokumente dhe në qoftë se ata bien dakord se dokumentet janë në përputhje me Marrëveshjen e Telekomunikacionit nga Marrëveshja e 2013-ës, Plani i veprimit dhe konkluzionet e lehtësuesit të BE-së të vitit 2015, Serbia do të dërgojë një letër ITU-së më 3 dhjetor duke rënë dakord se një kod treshifror mund të ndahet për Kosovën”, ka thënë ajo./ Periskopi

Këmbëngul Gjuriq: Marrëveshja ruan pronën e Telekomit të Serbisë në Kosovë

Marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për telekomunikacionin ruan pronën e Telekomit të Serbisë, marrëveshja do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet e përgjithshme, jo vetëm me Kosovën, por edhe me BE-në, ka thënë sonte, Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Periskopi.com Lajme

Ai theksoi, se të gjitha asetet e transferuara për MTS në Kosovë, janë në pronësi zyrtarisht nga MTS e Telekomit të Serbisë, transmeton lajmi.net.

“Pasuria e Telekomit të Serbisë është e mbrojtur në mënyrë të përhershme me këtë, si stacion bazë dhe çdo gjë tjetër”, tha Gjuriq.

Ai theksoi se kjo është një marrëveshje e rëndësishme për Telekomin e Serbisë dhe qytetarët, si dhe do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet tona të përgjithshme, jo vetëm me Kosovën, por edhe me BE-në.

“Astetet e Telekomit të Serbisë janë zyrtarisht të ruajtura përgjithmonë, si stacioni bazë dhe çdo gjë tjetër. Kosova ka dashur të rrëmbejnë asetet tona, ne nuk kemi pranuar. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, e sigurisht do të jetë positive në marrëdhëniet tona me Prishtinën dhe BE-në”, ka thënë Gjuriq.

Ahmeti e quan tmerr përfaqësimin e Kosovës për kod telefonik

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me kodin telefonik të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se Serbisë do t’i krijohen favore dhe të gjitha ato që t’i lejojnë Kosovës të ketë kod telefonik. E këtë përfaqësim të Kosovës, ai e quan tmerr.

“Thirrjet telefonike në mes të qyteteve në Serbi dhe qyteteve në Kosovë do te trajtohen si lokale. Serbia do ti ruaj asetet e veta në Kosovë e po ashtu do të ketë licence për operatorë serb brenda Kosovës. E për këto favore Serbia do t’i lejojë Kosovës ta ketë kodin telefonik. Pra ata e lejojnë. Tmerr çfarë përfaqësimi!”, ka shkruar Ahmeti.

Këshilltari i kryeministrit thotë se Kosova përfiton miliona euro nga kodi telefonik

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli ka thënë se kodi telefonik do t’i sjell Kosovës shumë përfitime.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, çdo vit Kosova do të ketë dhjetëra miliona euro përfitime nga kodi telefonik, transmeton lajmi.net

“Kemi diçka prej kodeve telefonike! Përveç se +383 është element i rëndësishëm i sovranitetit, Kosova do të ketë dhjetëra miliona euro përfitime çdo vit nga kodi telefonik! Urime”, ka shkruar Havolli në Facebook.

Kompania serbe e telefonisë asetet do i fusë në Kosovë pa doganë, pa taksa e detyrime

Për arritjen e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës, ka njoftuar edhe zyrtarisht BE-ja, në cilësinë e lehtësueses të dialogut mes dy vendeve.

Periskopi.com Lajme

“Sot, më 13 nëntor 2016, përfaqësuesit e dy palëve nën lehtësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje në implementimin e mëtejmë të marrëveshjes së dakorduar dhe të nënshkruar për Telekomunikacionin më 2013 dhe në Planin e Veprimit 2015 të rrjedhur nga kjo marrëveshje. Marrëveshja do të sigurojë një kod treshifror që është ndarë për Kosovën nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU)”, thuhet në njoftimin e BE-së, përcjell Koha.net.

Sipas njoftimit, marrëveshja i mundëson kompanisë së re “MTS d.o.o” të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile. Kosovës do t’i jepet kodi digjital treshifror nga ITU, në të njëjtën kohë që kjo kompani e re do të nisë operimet.

“Palët janë pajtuar që telefonia mobile, frekuencat dhe spektret t’i jepen ‘MTS d.o.o’ në Kosovë, për të mundësuar arritjen e nivelit të mbulueshmërisë për klientët e saj. Marrëveshja po ashtu i mundëson transferimin e aseteve të ‘MTS d.o.o’ pa doganë, taksa apo detyrime”, thuhet në njoftim.

Palët janë pajtuar në marrëveshjen dyvjeçare që numrat aktualë të përdoren në numeracion të dyfishtë, në mënyrë që t’i lejohet klientëve të rinj për të përdorur numrat që tashmë i posedojnë.

Sipas BE-së në javët e ardhshme, të dyja palët do të zbatojnë një sërë masash nën lehtësimin e BE-së për të zbatuar këtë marrëveshje. Të gjithë draft dokumentet e lidhura me licencat, transferimi dhe regjistrimi i pasurive do të përfundojë deri në 28 nëntor.

“Palët do të shqyrtojnë këto dokumente dhe, në qoftë se ata bien dakord se dokumentet janë në përputhje me Marrëveshjen e Telekomunikacionit nga Marrëveshja e 2013-ës, Plani i veprimit dhe konkluzionet e lehtësuesit të BE-së të vitit 2015, Serbia do të dërgojë një letër ITU-së më 3 dhjetor duke rënë dakord se një kod treshifror mund të ndahet për Kosovën. BE-ja mirëpret këtë rezultat dhe nxit të dyja palët që të përshpejtojnë progresin për zbatimin e Marrëveshjeve të tjera të arritura, në veçanti atë për Asociacionin / Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Energjinë”.