Gashi: Planifikojmë buxhet afër 40 milionë euro për sportin nga viti i ardhshëm

Periskopi.com Lajme

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka njoftuar përmes një postimi në facebook se ka nisur Java Evropiane e Sportit e cila do të zgjasë deri më 30 shtator, përcjellë Periskopi.

Gashi tha se vitin e ardhshëm planifikohet që për sportin të ndahet buxhet afro 40 milionë euro.

“Nga sot deri më 30 shtator, në Republikën e Kosovës në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, nën përkujdesjen e Ministrisë së Sportit janë të planifikuara rreth 84 ngjarje për tetë ditë, me rreth 22 mijë pjesëmarrës. Më 2019-tën ne kemi pasur një buxhet prej afër 3 milionë euro në subvencione dhe mbi 20 milion euro në investime kapitale në sport, ndërkaq për vitin tjetër planifikojmë që buxhetin për sportin të jetë afër 40 milion euro në tërësi. Kemi avancuar infrastrukturën ligjore dhe kemi filluar ta jetësojmë për herë të parë ligjin për sponsorizime. Fjalia, “na bëjnë të ndjehemi krenarë” dhe urimet që postojmë ne për sportistët tanë nuk mjaftojnë. Sportistët duan kujdes dhe përkrahje më të madhe dhe të vazhdueshme, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre dy viteve”, shkroi Gashi. /Periskopi