“Ikni asfaltit, investoni në shëndetësi”, FSSHK-ja thotë se mungojnë edhe 5 mijë mjekë e infermierë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Premtimet e partive politike për rregullimin e gjendjes në shëndetësi, po shihen me skepticizëm nga përfaqësues të punonjësve shëndetësorë. Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla në një intervistë për EO thotë se për t’u realizuar premtimet e politikanëve për shërbime efikase karshi qytetarëve të vendit, sistemit shëndetësor i duhen edhe 5 mijë mjekë e infermierë.

Ai thotë se një dëshirë e tillë do të mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar, teksa alarmon se mjekët dhe infermierët kosovarë po largohen në heshtje nga Kosovë drejt Gjermanisë, e vendeve të tjera të Evropës.

“Për me i dhënë një shërbim çfarë po thonë  politikanët tonë popullit na duhen edhe 5 mijë punëtorë, që ëndërr ka me qenë, sepse ju po e shihni që as nuk po duan me punësuar. Nevojat e Gjermanisë  e shteteve të Evropës janë në rritje  e sipër sepse atje kemi trend të plakjes dhe nuk kemi profesionistë shëndetësorë të mirëfilltë dhe këtu nuk kemi çfarë të fshehim. Nëse Gjermania brenda vitit kërkon afër 120 mijë punëtorë shëndetësorë duke përfshirë mjekë, infermierë sidomos për përkujdesje për pleq, ata kanë gjetur një teren shumë të përshtatshëm që quhet Kosovë dhe Shqipëri. Shqipëria veç është duke u zbrazur, ky fenomen veç ka filluar edhe në Kosovë. Vetëm përreth janë 2, 3 agjencione të cilat i rekrutojnë këta njerëz të ri të cilët ne i shkollojmë dhe shkojnë atje dhe i shërbejnë atyre, paguajmë tatime për ta”, thotë ai.

Kreu i FSShK-së, thotë se në bazë të një studimi të realizuar vitin e kaluar del se 75 për qind e studentëve të mjekësisë, janë shprehur se pas përfundimit të studimeve do të largohen nga Kosova.

Kjo sipas tij është shqetësuese, pasi që po investohet shumë në shkollimin e rinisë dhe më pas shteti po dështon t’u krijojë kushte për punësim.

“Vitin e kaluar e kemi bërë një studim dhe i kemi pyetur edhe studentët 75 % e studentëve kanë thënë ‘PO’, ne po e kryejmë fakultetin  e mjekësisë që të dalim jashtë, asnjëri edhe pse ne i shkollojmë këtu nuk mendon të qëndrojë, dhe këto janë për shkak të politikave të gabuara e që edhe një deklaratë e tillë ka me i nxit tash jo vetëm mjekët e rinj sepse nuk e shohin perspektivën. Duhet të mendohet mirë kur flitet për shëndetësi si do ta ndalim këtë rrugë, sepse normalisht që Evropa i pret me krah hapur, nëse i ke shkollua ke shpenzua si shtet si familje.  Po rrezikojmë shumë si Bullgaria, si Rumania si Serbia tash, si Shqipëria. Mirëpo këtu ende është duke shkuar në heshtje sepse nuk kemi marrëdhënie të mirëfillta  ndërshtetërore dhe kompanitë kanë filluar me ardhur duke i rekrutuar infermierët”, thotë ai.

Syla ka disa kërkesa për qeverinë e re që pritet të formohet nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Thotë se ato që i premtuan në fushatë zgjedhore duhet t’i realizojnë.

Ndërsa i këshillon që të lënë asfaltin anash dhe të investojnë në shëndetësi.

“Kërkesat janë të qarta duhet të mbahen premtimet të cilat janë dhënë para elektoratit. Kjo do të thotë rritja e buxhetit, federata insiston dhe kërkon që  buxheti të rrihet, LDK ka kërkuar 200 milionë, mirëpo le të i ikin asfaltit dhe të investojnë në shëndetësi. E dyta të rritet mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë, këtu nuk kemi as siguri as shëndet në atë vend të punës. E treta sistematizimi i vendeve të punës dhe depolitizimi, kemi vende ku nuk kemi mjek ne duhet të i sistemojmë ata mjek, sa ma shpejt të rregullohet furnizimi dhe të ndryshohet sistemi i prokurimit në shëndetësi, kemi një udhëzim administrativ për nivelizim dhe atë duhet me shfrytëzua”.

“Kjo qeveri duhet me u marr edhe me specializime, që 3 vite nuk ka pasur specializime të jepen ato specializime ku kemi nevojë   sepse kemi mangësi enorme, dhe e fundit që mjekët stomatologët të punësohen. Sa i përket infermierëve duhet të bisedohet me Ministrinë e Arsimit. Kemi një problem këtu  kemi shumë kolegje private të cilat  po prodhojnë shumë infermierë dhe tregu nuk po i përballon. Qeveria e ardhshme ka shumë detyra të cilat do të ia paraqes në mënyrë shumë të thuktë, nëse dëshirojnë do të bashkëpunojmë si me të gjithë  nëse jo normalisht sindikata është për sy kritik”, thotë ai.

Edhe pse të gjitha qeveritë e mëparshme premtuan sigurime shëndetësore, Syla më në fund thotë se i mbetet kësaj qeverie që të finalizojë këtë proces të nisur vite më parë.

“Pres shumë nga qeveria në ardhje që ta marr atë draft ta rishqyrtojë t’i mbledh komisionit dhe sa ma shpejt ta procedoj në parlamentin e ri të  të Republikës së Kosovës. Mekanizmat që i kam kritiku vazhdimisht, kemi arrit me i zbut është sistemi informativ që diçka është bërë, është lista e barnave është çmimorja dhe lista  shërbimeve, këto komponentë e ruajnë paranë nëse përshpejtohet me këto punë dhe implementohet pilot projekti atëherë unë shpresoj që brenda 1 vit e gjysmë do të fillohet me implementimin e tyre. Krahas kësaj duhet të investohet në aparaturë në sistemin publik që të jemi konkurrent në treg”, përfundon ai.

5 mijë vëzhgues ka angazhuar Vetëvendosja për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Periskopi.com Lajme

Rreth 5 mijë vëzhgues do të jenë nëpër qendrat e votimeve nëpër Kosovë, nga Lëvizja Vetëvendosje nesër.

Kështu kanë bërë të ditur nga kjo parti, e cila kandidat për kryeministër e ka Albin Kurtin.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë mbahen nesër më 6 tetor, pas shpërndarjes së Kuvendit, vendimin në të cilin qoi dorëheqja e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, me 18 korrik, me arsyen se ai mori ftesë nga Gjykata Speciale.

400 deri në 5 mijë euro janë gjobat për prerje ilegale të drunjve

Periskopi.com Lajme

Kosova çdo vit në sezonën e dimrit përballet me shkatërrimin e madh të pyjeve.

Kosovarët siç duket po e shohin shitjen e drunjve si një biznes të mirë, e sidmos kur temperaturat fillojnë të bien.

Por ata të cilët i presin drunjtë ilegalisht mund të dënohen nga 400 euro deri në 5000 euro.

Vetëm në periudhën janar-gusht 2019, sipas të dhënave, dëmi total i shkatërrimit të pyjeve është 14,701.97 m3 apo shprehur në vlerë monetare është 472,574.21 euro.

Besim Zogu, Drejtor i Drejtoratit  Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, për IndeksOnline ka thënë se gjendja e pyjeve nuk është e mirë për disa faktorë.

“Buxheti i ulët që ndahet nga shteti për këtë sektor, numri i vogël i rojtarëve të pyllit në raport me sipërfaqen pyjore dhe situatën e funksionimit të Institucioneve tjera. Numri i vogël i Inspektorëve të pyjeve, Parashkrimi i madh i lëndëve si pasojë e mos angazhimit adekuat nga  Gjykatat, mos ekzistimi  i alternativave tjera për ngrohje. Mos koordinimi në masën e duhur i politikave ndër sektoriale dhe ndër institucionale ku vendimet e pa analizuara mirë nxisin presion në pyje”, ka thënë ai.

E komuna e Ferizajt dhe Suharekës po del të jetë territori më i përshtatshëm për të prerë durnjtë në mënyrë ilegale.

Por sipas Zogut, as komuna e Kaçanikut, Podujevës, Novobërdës dhe në Veri në të Kosovës nuk qëndrojnë më mirë.

Furnizimi i qytetarëve me drunjë për nxemje fillon që nga muaji korrik.

Nga korriku deri në gusht, Zogu bëri të ditur se janë ushtruar kontrolla të ashpërta në tregje.

“Inspektorati Qendror i pylltarisë dhe Gjuetisë Agjencioni Pyjor i Kosovës për periudhën janar-shtator,2019   janë  ushtruar, 890 kontrolla, janë hartuar, 577 procesverbale, janë nxjerrë, 46 vendime, janë inicuar  69   fletëparaqitje kundërvajtëse  dhe 12 penale si dhe vetëm brenda tre muajve korrik-shtator  në  bashkëpunim me Policinë dhe njësitin për reagim  të shpejtë janë ushtruar kontrolla në tregjet, Rogovë- Gjakovë ku janë sekuestruar, 5 kamiona  me masë drunore, në Podujevë, 11 traktora dhe një kamion me masë drunore , në Malishevë dy kamiona me masë  drunore , në Vushtrri me datë  30.08.2019 kemi sekuestruar 24 traktora me masë drunore si dhe në Ferizaj me datë, 26.09.2019 katër ngarkesa me masë drunore”, ka thënë Zogu.

Ai ka thënë se shqetësuese mbeten politikat ndëshkimore për këto vepra penale që aplikojnë Gjykatat në vend.

“Por edhe më shqetësuese është numri i lëndëve të hedhje poshtë të procedurave nga gjykatat për shkak të parashkrimit relativ apo apsolut ku vetëm në vitin , 2018 kemi pasur 81 lëndë të parashkruara  dhe në  krahasim me vitin, 2017 kemi rritje e jo zvogëlim të  kësaj dukurie”.

Ndërsa, profesori në Fakultetin e Pyjeve dhe Mjedisit, Faruk Bojaxhiu ka fajësuar dikë tjetër për mosseriozitet të trajtimit të kësaj çështjeje.

“Që nga viti 2010 kur këto kompetenca i kane marrë Komunat, ka patur një regres të konsiderueshëm në kontekstin e mbrojtjes së tyre. Shumë Komuna nuk u kushtojnë aspask rendësi këtij sektori. Pa përgjegjësi nuk mbesin as organet e drejtësisë, që lëndet për veprat e vjedhjeve në pyje, nuk i trajtojnë fare, apo masat ndëshkuese kundër këtyre keqbërësve janë aq të vogla, sa qe pothuajse vetëm po i stimulojnë që teë shkatërrojnë pyjet edhe më shumë. Ka shume raste kur persona recidiviste thirren nga Gjykata, dhe përkundrejt argumenteve që shfaqin ngritësit e padive, prapë Gjykata i lëshon”, u shpreh Bojaxhiu.