Haradinaj nga Malisheva: Më 6 tetor konfirmohet vendimi historik

Periskopi.com Lajme

Pas Prishtinës, ku u mbajt një tubim i madh, Koalicioni AAK-PSD ka mbajtur tubimin tjetër në Malishevë.

Edhe në Malishevë, të nominuarin për Kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, e ka pritur salla plot, me brohorima e përshëndetje.

“Malisheva është e vendosur që më 6 tetor të konfirmojë vendimet historike, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, ushtrinë dhe taksën. Bashkë për Kosovën 100%”, ka shkruar Haradinaj.

Nesër ky koalicion do ta mbajë tubimin qendror në Gjakovë, kur edhe do të përmbyllet fushata zgejdhore.

KQZ-ja ofron asistencë për të votuar personat me nevoja të veçanta

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ofron asistencë për t’i ndihmuar persona me nevoja të veçanta të votojnë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Regjistrimi i personave me nevoja të veçanta për votim do të bëhet përmes ekipeve mobile duke filluar nga data 25 shtator deri më 1 tetor 2019.

Në videon e publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së në Facebook, thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i është i përkushtuar që këtyre kategorive të votuesve t’i ofroj asistencë për të votuar në qendrën e tyre të votimit apo në shtëpitë e tyre.

Për të realizuar këtë të drejtë ju duhet të plotësoni formularin e aplikimit i cili mund të shkarkohet nga web faqja www.kqz-ks.org , te linku shërbimet për votuesin pastaj linku “Lista votuese” , ose të merret në zyrën e komisionit komunal të zgjedhjeve në komunën tuaj .

Aplikacionit për regjistrim ju duhet t’i bashkëngjitni një kopje të dokumentit të identifikimit dhe një kopje të certifikatës së aftësisë së kufizuar të diagnozës mjekësore.

Për informata shtesë mund të kontaktoni linjën ndihmëse pa pagesë -0800 55 555.

Rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Dhjetëra-mija vëzhgues e komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhjet e 6 tetorit, në mënyrë që të parandalohet manipulimi i votave. Përpos vëzhguesve të partive politike dhe organizatave joqeveritare, gjatë zgjedhjeve nacionale pritet që në Kosovë të qëndrojë edhe një mision vëzhgues nga BE-ja, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’. 

Sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të angazhohet një numër i madh i vëzhguesve dhe komisionarëve.

Ndonëse ende nuk është caktuar numri i saktë tyre, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë thënë për gazetën se numri i vëzhguesve dhe komisionarëve pritet të jetë i ngjashëm sikurse në zgjedhjet e 2017-s.

Ndërkohë në zgjedhjet nacionale të mbajtura para dy vjetësh ishin angazhuar rreth 30 mijë vëzhgues dhe rreth 20 mijë komisionarë.

Në kuadër të kësaj përfaqësues të  rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) kanë bërë të ditur se vetëm nga DnV-ja do të jenë të angazhuar rreth 3 mijë vëzhgues gjatë procesit zgjedhor..

Zgjedhjet e 6 tetorit matin fuqinë reale të partive

Periskopi.com Lajme

Tri partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë vendosur t’i futen garës në zgjedhjet e 6 tetorit veç e veç. Vlerësohet se këto zgjedhje do t’i matin forcat reale të partive, mirëpo edhe do të kontribuojnë në rritjen e pazareve të tyre pas zgjedhjeve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Partitë me numër më të madh të deputetëve në legjislaturën e kaluar, PDK-ja, LDK-ja e LVV-ja, kanë vendosur që në garën e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit t’i matin forcat e tyre si të vetme. Ndonëse LDK-ja e LVV-ja kishin krijuar simpati për njëra-tjetrën gjatë kohës sa ishin në opozitë, një bashkëpunim parazgjedhor në mes tyre nuk ndodhi pas mosdarkodimeve të të dyja subjekteve lidhur me pozitën e kryeministrit.

Mirëpo ndryshe nga to, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) lidhën koalicionin e parë parazgjedhor, duke lënë kështu pas inatet që kishin me njëra-tjetrën ndër vite. Menjëherë pas tyre u bashkuan edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate, krerët e të cilave theksuan se janë bashkuar për të krijuar boshtin e fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit.

Përfaqësuesit e tri partive, LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, shprehen të bindur se vendimi për të hyrë të vetme në zgjedhje do t’u sjellë atyre më shumë vota nga qytetarët e për pasojë edhe do të dalin fitues nga këto zgjedhje.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike e shohin si pozitiv faktin se partitë do të maten të vetme, mirëpo ekziston rreziku që kjo gjë të kontribuojë në rritjen e pazareve të partive pas zgjedhjeve.

Befasitë pas zgjedhjeve të 6 tetorit

Periskopi.com Lajme

Mbrëmë në mesnatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin për aplikim për koalicionet parazgjedhore, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit. Koalicioni VAKAT, ai AAK-PSD, koalicioni NISMA-AKR-PD, pastaj PDS –NPK janë katër koalicionet që deri në afatin e fundit janë dorëzuar në KQZ.

Për njohësit e çështjeve politike, pas datës së zgjedhjeve dhe shpalljeve të rezultateve, mund të ndodhin ndryshime, meqë partitë “i heqin” vijat e kuqe. Sipas tyre, befasi në politikën kosovare mund të ketë në çdo kohë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, përveç koalicioneve tashmë të dorëzuara në KQZ, garojnë të vetme Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Këto të fundit deri pasditen e së premtes ishin në bisedime dhe krejt afër një arritjes së një marrëveshje parazgjedhore, por që nuk u arrit meqë subjektet nuk u morën vesh për postin e kryeministrit.

Megjithatë, mundësia e bashkëpunimit të partive, në koalicione paszgjedhore, shihet si e mundur për pothuajse të gjitha subjektet, ani pse shumë prej tyre kanë deklaruar në vazhdimësi se kanë vije të kuqe për subjekte të caktuara.

Për analistin politik, Behlul Beqaj, politika në Kosovë funksionon pa rregulla dhe befasi mund të ketë në çdo kohë dhe në çdo mundësi.

Beqaj: Në politikën kosovare befasi mund të ketë në çdo kohë dhe çdo variant

“Befasi të them se në Kosovë mund të ketë në çdo kohë dhe në çdo variant. Meqë nuk ka rregulla, pra politika kosovare e ka rregull që të funksionojë pa rregulla, por duke u motivuar ekskluzivisht drejt interesit politik, si të arrihet në pushtet. Pra natyrisht pushteti është një nga funksionet e të gjitha partive politike por nuk është i vetmi. Ne nuk kemi pasur deri tash shpjegime dhe programe të tjera të cilat na kanë dëshmuar sesi kjo apo ajo parti, ky apo ai lider fjala bie me e zgjidhë problemin në mënyrë konkrete dialogun me Serbinë. Nuk kemi pasur një program konkret sesi do ta eliminojnë çështjen e problemit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne kemi pasur deklarime edhe deklarata politike por ato mund të përfundojnë vetëm me deklarim sikurse ka qenë deri më tash” thotë ai.

E njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija thotë se dy subjekte të vetme politike në Kosovë nuk e kanë fuqinë të formojnë qeverinë, andaj mundësia e bashkimit të partive politike pas zgjedhjeve është e madhe.

Madje ai thotë se vijat e kuqe i heq pothuajse secila parti, pasi të përfundoi rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Alija: Partitë politike nuk kanë vije të kuqe pas zgjedhjeve

“Ajo çka do të jetë interesante sjellja e subjekteve politike pas zgjedhjeve ose pas rezultatit zgjedhor, siç e dini partia e parë fituese ose koalicioni i parë fitues e ka të drejtë me mandatuar kandidatin për kryeministër, këtu ka me u sill e gjithë loja tutje. Mendoj që të gjitha subjektet politike, përjashtuar Vetëvendosjen do t’i heq vijat e kuqe. Nuk do të ketë vija të kuqe, madje mund të kemi koalicione jo-parimore ose një koalicion të territ, siç ka qenë PAN-i i vitit 2017. Të gjitha opsionet, të gjitha vijat e kuqe binë pasi të publikohet rezultati zgjedhor, se dihet pak a shumë trendi i votimit për këto subjekte politike që garojnë, mirëpo edhe për koalicionet që garojnë në këto zgjedhje”, tha ai.

Pas përfundimit të afatit për koalicione në KQZ, deri më 6 shtator mbetët afati për aplikim për kandidat dhe parti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit u shpallën pasi deputetët shpërndanë Parlamentin. Shpërndarja e Kuvendit edhe një muaj pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.