74 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore

Periskopi.com Lajme

Dy shtatori 1945 konsiderohet si fundi i Luftës së Dytë Botërore pas dorëzimit të trupave japoneze më 15 gusht të po atij viti.

Më 2 shtator 1945, gjenerali i Ushtrisë amerikane, Douglas MacArthur, kryesoi një ceremoni me rastin e dorëzimit të Japonisë, me çka iu dha fund Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia e shkurtër u zhvillua në Gjirin e Tokios, në luftanijen Missouri të komandantit të Flotës së SHBA-së për Paqësorin.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të aleatëve të mbledhur në anije, gjenerali MacArthur tha se sikurse mbarë njerëzimi, ai shpresonte që pas kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, një botë më e mirë do të dilte nga gjaku dhe tmerret e së kaluarës, një botë që do t’i përkushtohej dinjitetit të njeriut dhe plotësimit të dëshirave më të shtrenjta të njerëzimit, lirisë, tolerancës dhe drejtësisë.

Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) ka qenë njëra ndër luftërat më të përgjakshme gjatë historisë së njerëzimit. Fillimi i saj është i lidhur me hesape të paqëruara mes shteteve të fuqishme nga Lufta e Parë Botërore.

74 vjet nga emetimi i parave shqiptare

Periskopi.com Lajme

Sot mbushen 74 vjet që nga koha Banka e Shtetit Shqiptar më 22 qershor 1945 shpalli vulosjen e kartëmonedhave dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Pas Luftës II Botërore dhe proklamimit të Qeverisë Demokratike, në Shqipëri, filluan të duken shenjat e para të inflacionit dhe keqësimi i gjendjes së kartëmonedhave, që vinte nga pamundësia për të shtypur kartëmonedhë të re dhe për ta zëvendësuar atë në qarkullim. Në pritje të normalizimit të situatës, më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli vulosjen e kartëmonedhave në qarkullim, si dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Vulosja e kartëmonedhave u bë në të gjithë vendin prej datës 27 qershor deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare. Ajo do të bëhej vetëm për prerjet 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vleftë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare. Vula kishte trajtën e një drejtkëndëshi, me përmasa 52×34 mm, që mbante përbrenda një shqiponjë dykrenare me yll mbi të dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”, e gjitha e vijëzuar me vija paralele horizontale, ku shqiponja dhe shkrimet janë me hije.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, vulosja e kartëmonedhave u bë pa asnjë kufizim shume. Kartëmonedhat dhe çekmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u konsideruan të pavlefshme dhe, për pasojë, dolën jashtë qarkullimit.

Sipas BSH-së, vulosja e kartëmonedhave dhe e çekmonedhave të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë pati efekte të ndjeshme në qarkullimin monetar. Ajo la jashtë vulosjes rreth 20% të monedhës në qarkullim, pasi nuk u vulosën kartëmonedhat me prerje nën 20 franga shqiptare. Në fund të vitit 1945, emisioni arriti në 286.100.000 franga shqiptare, nga 384.396.000 që ishte në fund të vitit 1944.