80 mijë persona të diagnostikuar me diabet në Shqipëri, 600 prej tyre fëmijë

Periskopi.com Lajme

Në mbarë botën diabeti po kthehet në një epidemi me 7 milionë të diagnostikuar çdo vit. Shqipëria nuk mund të mbetet pas.

Janë 80 mijë persona që jetojnë më këtë sëmundje dhe sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik vetëm vitin e kaluar u regjistruan 5 mijë raste të reja.

Diabeti nuk kursen as të vegjlit. Mjeku Endokrinolog Florian Toti thotë se janë rreth 600 fëmijë të prekur.

Ka disa simptoma përmes të cilave diabeti mund të dallohet.

“Nëse prindërit vënë re tek fëmijët urinim të shpeshtë gjatë natës, etje, apo nuk po shton në peshë të bëjnë një matje glicemie dhe e kuptojnë nëse ka diabet” , tha ai.

Por më i përhapur është tipi 2 që prek të rriturit. Mjekët thonë se mund të parandalohet nëse tregohet kujdes.

Një nga shqetësimet që ngrenë mjekët është mungesa e rimbursimit të fishave të matjes së glicemisë për pacientët mbi 25 vjeç.

Vitin e kaluar si pasojë e sëmundjeve endokrine, ku përfshihet edhe diabeti, humbën jetën 251 persona./OraNews/

800 mijë euro për këshilltarët juridik të projektit “Kosova e Re”

Periskopi.com Lajme

Pas tenderit katër milionësh për inxhinierët e pavarur për termocentralin Kosova e Re, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kontraktuar një kompani të huaj për ‘Shërbime Konsulente Juridike’.

Bëhet fjalë për kompaninë ‘Hunton Andrews Kurth LPP’ , e cila në Kosovë vepron që nga viti 2006.

Vlera e kontratës për këta këshilltarë juridik për nevojat e TC Kosova e Re është 800 mijë euro, raporton Indeksonline.

Siç shihet në këtë kontratë, kompania në fjalë është përzgjedhur për të dhënë shërbime juridike për termocentralin.

Ndërsa, kjo ministri me vendim të Qeverisë, ka bërë kërkesë për inicimin e procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit të kontratës për shërbime këshillimore juridike për nevojat e TC Kosova e Re, duke rekomanduar Qeverisë që të sigurohet kontraktimi i këshilltarëve gjegjësisht kompanisë Hunton William Kurth.

Në arsyetimin e MZHE-së, në dosjen e tenderit thuhet se Qeveria e Kosovës ka njohur nevojën për fillimin e procedurave për kontraktimin e shërbimeve këshillimore juridike duke u bazuar në rekomandimin e Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike Energjia nga Linjiti përgjegjës për projektin Termocetrali “Kosova e Re”.

Indeksonline ka dërguar pyetje në adresë të MZHE-së për të pyetur më shumë lidhur me kontratën me kompaninë e huaj.

MZHE ka thënë se kjo kompani e kontraktuar ka për detyrë që të këshillojë Komitetin për TC Kosova e Re lidhur me aspektet ligjore.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik në përputhje me Rekomandimin e Komiteti Drejtues të Projektit përgjegjës për TC Kosova e Re i datës 3 maj 2019, respektivisht në përputhje me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr. 11/02 i datës 7 maj 2019, pas zhvillimit të procedurave tenderuese në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik më 11 korrik 2019 ka bërë njoftim për dhënie të kontratës për shërbime këshillimore juridike për nevoja të TC Kosova e Re. Kompania e kontraktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të ketë për obligim që të këshillojë Komitetin Drejtues të Projektit përgjegjës për TC Kosova e Re, respektivisht Qeverinë e Kosovës në të gjitha çështjet mbi aspektet ligjore respektivisht të identifikojë dhe analizojë në mënyrë proaktive të të gjitha çështjeve që lidhen me dokumentet kontraktuale për projektin e Kosova e Re”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Ata kanë njoftuar se pos këtyre këshilltarëve juridik, është duke zhvilluar procedurat e prokurimit për angazhimin e një entiteti jurdik.

Kjo me qëllim të ofrimit të shërbimeve përmes emërimit të një Inxhinieri të Pavarur dhe një Konsulenti të Pavarur Mjedisor dhe Social, për t’u siguruar se të gjitha kushtet e marrëveshjeve dhe të gjitha obligimet që derivojnë nga dispozitat ligjore të aplukueshme në Kosovë dhe direktiva e BE-së do të jetësohet plotësisht.

“Inxhinieri i pavarur dhe konsulenti i pavarur për çështje mjedisore dhe sociale do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe i raportojnë drejtpërdrejt Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC), NPNH Ibër-Lepencit dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për ndërtimin e TC Kosova e Re. Funksionet dhe përgjegjësitë e inxhinierit të pavarur dhe konsulentit të pavarur për çështje mjedisore dhe sociale burojnë nga marrëveshja për blerje të energjisë dhe marrëveshja për furnizim me ujë dhe janë të ndara në shërbime thelbësore dhe shërbime shtesë të cilat mund të kryhen sipas kërkesës”, thuhet në përgjigjen e tyre për këtë çështje.

Sipas tyre, inxhinieri i pavarur do të rishikoj dhe komentoj të gjitha studimet e përfunduara deri më tani si dhe me kërkesë paraprake të Qeverisë do të ndërmarr çfarëdo studimi tjetër të nevojshëm për nevojat e projektit.

“Tutje, inxhinieri i pavarur gjatë fazës së ndërtimit dhe fazës së operimit do të monitorojë punën e kontraktuesit për EPC, do të bëj konfirmimin e raportit të ndërtimit, dëshmimin e testimeve të kapaciteteve dhe çdo ritestim të tyre, lëshimin e certifikatave të testimit të kapaciteteve, inspektimin e punimeve të kyçje, lëshimin e certifikatës së gatishmërisë për sinkronizim, lëshimin e certifikatës së gatishmërisë për komisionin, do të ndërmarrë testet vjetore mbi kapacitete e termocentralit si dhe ndërmarrjen e çdo aktiviteti tjetër që kërkohet nga Qeveria e Kosovës ose subjektet e saja. Po ashtu, entiteti i përzgjedhur do të ofrojë këshilla për masat korrigjuese ose riparuese që duhet të ndërmerren dhe, sipas nevojës, kontribut në lidhje me afatet kohor për përfundimin e këtyre masave”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, ata kanë theksuar se kontrata prej 4 milionë eurove për ekspertet e pavarur është krejtësisht e ndryshme prej kësaj kontrate, por që kanë për qëllim mbështetjen e punës së Qeverisë në raport me TC Kosova e Re.

Kompania Hunton që nga viti 2006 fillimisht të kontraktuar nga Banka Botërore, më pas si pjesë e konsorciumi me Raiffaisen Bank dhe së fundmi si nënkontraktues i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) , kanë këshilluar në të gjitha çështjet juridike pa përjashtim Komitetin Drejtues të Projektit, gjegjësisht Qeverinë e Kosovës./Indeksonline/