Talenti afgan pushton skenën, të gjithë mbesin të shokuar nga ngjashmëria e tij me Justin Trudeau

Periskopi.com Lajme

Një konkurrent në një shfaqje talenti në Afganistan është bërë i famshëm për shkak të ngjashmërisë së madhe që ka me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, ndonëse ai deklaroi se asnjëherë nuk ka dëgjuar për të – raporton Periskopi.

Abdul Salam Maftoon ka konkurruar në një shfaqje muzikore televizive që njihet si “Ylli afgan”.

Maftoonin e bëri të famshëm brenda natës njëri prej anëtarëve të jurisë, i cili vërejti ngjashmërinë që kishte ai me Trudeaun.

Trudeau vlerësohet si një nga udhëheqësit më atraktiv në botë, ndërsa Maftoon thotë se shpreson që ngjashmëria me të do t’i sjell më shumë vota atij në shfaqjen “Ylli afgan”.

“Njerëzit tashmë kanë harruar emrin tim dhe kanë filluar të më quajnë Justin Trudeau”, ka thënë ai për mediet ndërkombëtare.

Këngëtari deklaroi se nuk dinte asgjë për kryeministrin kanadez deri në momentin që pa fotografitë e tij në mediet sociale, derisa shprehi bindjen se ngjashmëria me të ia ka rritur shanset për të fituar garën deri në 50 për qind.

Abdul Salam Maftoon, 29

Ai është në mesin e tetë konkurrentëve që kanë vazhduar garën, finalja e së cilës do të mbahet më 21 mars.

Ai është përzgjedhur për të vazhduar tutje nga votat e shikuesve, për shkak të përzgjedhjes së këngëve popullore në gjuhën Dari dhe Pashto, dy gjuhët zyrtare në Afganistan.

Performancat e tij janë vlerësuar lart nga anëtarët e jurisë.

“Zëri i tij është shumë i këndshëm dhe ka aftësi të theksuara vokale” – citohet të ketë thënë muzikanti kanadez Qais Ulfan, i cili vërejti ngjashmërinë e madhe të Maftoonit me Trudeaun.

“Ai mund të jetë Justin Bieber i radhës”.

Këngëtari, i cili zakonisht kishte kënduar në festa të dasmave dhe ditëlindje, me parat që merrte kishte siguruar mbijetesën për gruan dhe katër fëmijët. Derisa, tani shpreson që me rritjen e famës do të rriten edhe të ardhurat nga biznesi i tij.

“Natyrisht që pas kësaj, kur të kthehem në qytetin tim, njerëzit do të më thërrasin më shumë për festa”, ka thënë ai. /PERISKOPI