Al-Baghdadit iu vodhën të brendshmet për të kryer testin e ADN-së

Periskopi.com Lajme

Kurdët sirianë kanë thënë se kishin arritur ta vendosin një spiun në rrethin e ngushtë të liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili i kishte vjedhur një palë të brendshme të këtij personi për ta vërtetuar identitetin e tij dhe më pas i kishte ndihmuar ushtarët amerikanë për ta gjetur vendin ku po fshihej ai.

The Guardian citon Forcat Demokratike Siriane të cilat  thonë se ato e luajtën një rol thelbësor në gjetjen e vendndodhjes së Baghdad-it në pjesën veriore të Sirisë, ku besohet se ai po e planifikonte largimin drejt kufirit afër Turqisë.

“Që nga 15 maji, ne kemi bashkëpunuar me CIA-n për ta gjetur al-Baghdad-in dhe për ta përcjellë atë për së afërmi”, tha një zyrtar i lartë i Forcave Demokratike Siriane. “Njëra nga burimet tona arriti të hynte në shtëpinë ku po fshihej Baghdadi. Ai e ndërronte vendbanimin shumë shpesh. Ai po planifikonte të vendosej në Serablus”, ka deklaruar anëtari I Forcave Demokratike.

Sipas tij, njëri nga spiunët kishte arritur që t’i marrë të brendshmet e ish liderit të ISIS-it, për të vërtetuar identitetin e tij.

“Burimi ynë na i solli të brendshmet e tij për ta kryer testin e AND-së dhe për t’u siguruar se personi në fjalë është vetë al-Baghdadi”./Periskopi/

Vrasja e Al Baghdadit, Trump: Do t’i publikojmë pamjet

Periskopi.com Lajme

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se mund të publikojë pamjet e aksionit për vrasjen e liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi në mesin e shumë pikëpyetjeve pas mënyrës se si ai e përshkroi atë.

“Ne po e mendojmë këtë. Mund ta bëjmë. A po e mendoj unë publikimin e pamjeve video të aksionit. Po. Ne mund të marrim disa pjesë të saj dhe ta publikojmë”, ka thënë Trump.

Vetë Trump e ndoqi operacionin e forcave speciale për vrasjen e al Baghdadit përmes pamjeve të një droni ndërkohë që marinsat nuk kishin kamera në trup, thanë zyrtarë të ushtrisë dhe inteligjencës.

Trump e njoftoi suksesin e aksionit në një konferencë për shtyp duke thënë se Baghdadi kish vdekur duke qarë dhe duke u çjerrë si një qen dhe si një frikacak.

Ai i cilësoi imazhet video që kish parë si diçka të jashtëzakonshme dhe se ishte sikur po shihje një film. Helikopterët dërguan forcat speciale amerikane në vendin ku Baghdadi ishte fshehur, afër Idlibit në Sirinë veriperëndimore.

Në anën tjetër të botës, Trump ndiqte aksionin në kohë reale përmes një lidhjeje video ndërsa trupat kishin rrethuar shtëpinë dhe e kishin detyruar militantin e shumëkërkuar të vraponte, në hapat e fundit të jetës së tij, para se të hidhte veten në erë.

Pamjet shfaqeshin në disa ekrane video në dhomën e emergjencave në shtëpinë e bardhë. Sidoqoftë, burime ushtarake thanë se presidenti nuk ka mundur të shohë se çfarë ka ndodhur brenda shtëpisë apo momentin kur Al Baghdadi vrapoi drejt tunelit pa krye bashkë me tre fëmijët e tij. Po ashtu nuk ka pasur as audio gjatë aksionit ndaj për tu njohur me detajet, Trump do të ketë pasur nevojë për raportime direkte nga komandot që morën pjesë në operacion apo përmes zinxhirit të komandës ushtarake./tch

Vdekja e liderit të ISIS, Meta: Një lajm i mirë për njerëzimin

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shpërndarë një video në Facebook, nga fjala e kreut të shtetit amerikan Donald Trump, ku ky i fundit konfirmoi ndarjen nga jeta të liderit të ISIS, Abu Al Baghdad.

“Ikja në ferr e Al Baghdadi është një lajm shumë i mirë për njerëzimin, për një botë në paqe dhe më të sigurt! Mbështes plotësisht deklaratën e presidentit Trump! Krenar që Shqipëria është pjesë e koalicionit botëror në luftën kundër terrorizmit!”, shkruan presidenti Meta.

Abu Al Baghdad u vra sot në një operacion të forcave amerikane në Siri. Presidenti i SHBA-së Donald Trump dha detaje rreth operacionit për vrasjen e kreut të ISIS-it

“Ai vdiq pasi hyri në një tunel pa dalje, duke bërtitur, qarë dhe ulëritur gjatë gjithë rrugës”, tha Trump. Krimineli që u përpoq aq shumë të tmerronte të tjerët, i kaloi momentet e tij të fundit i mbërthyer nga paniku dhe frika e forcave amerikane që po i afroheshin – shtoi ai.

Trump konfirmoi se nuk kishte pasur viktima mes trupave amerikane por një numër ndjekësish të Al Baghdatit ishin vrarë. Po ashtu sipas tij ishte mbledhur një sasi e madhe materialesh të ndjeshme dhe informacionesh.

Baghdadi u bë i njohur në 2014 kur njoftoi krijimin e një kalifati në zonat e Irakut dhe Sirisë. Shteti islamik ka kryer ndërkohë një numër mizorish që kanë shkaktuar me mijëra viktima.

Grupi xhihadist, imponoi një sundim brutal mbi thuajse 8 milionë njerëz në zonat e kontrolluara prej tij dhe qëndron pas një numri sulmesh në qytete të ndryshme të botës. SHBA e shpalli kalifatin të mundur, më herët këtë vit.