UEFA dhe FIFA e urojnë kryetarin e ri të FFK-së i cili pas pak ditësh do të përballet me Gjykatën

Periskopi.com Sporti

Pa asnjë kundër kandidat, Agim Ademi, me 6 korrik, ishte zgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e pasuar kështu të ndjerin Fadil Vokrri.

Megjithatë ardhja e tij në postin e të parit të FFK-së, mund të jetë problematike për Federatën, pasi Ademi akuzohet nga drejtësia kosovare për përfshirje në disa raste korruptive, dhe seancën e radhës gjyqsore të radhës  do ta mbajë me 20 korrik të këtij viti, raporton Periskopi.

Lexo edhe : https://periskopi.net/i-akuzuari-per-zhvatje-korrupsion-e-kercenime-pritet-ta-ze-vendin-e-fadil-vokrrit/

Megjithatë kjo nuk i ka penguar drejtuesit e UEFA-së dhe FIFA-s që ta urojnë atë me rastin e zgjedhjes në krye të FFK-së.

I pari që e ka uruar ka qenë kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, dhe pas tij e ka uruar edhe Giani Infantino – shef i FIFA-s.

Në letrat e tyre dërguar Ademit, Ceferin dhe Infantino e kanë përgëzuar atë për marrjen e postit të kryetarit, duke i dhënë mbështetjen e të dyja institucioneve më të rëndësishme të futbollit në botë.

Ndryshe Ademi Më 2012, kishte mbajtur 30 ditë paraburgim, pasi akuzohej për korrupsion e zhvatje.

Madje, paraburgimi ndaj tij ishte caktuar edhe për shkak të kërcënimit të mundshëm të dëshmitarëve për rastin në fjalë.

Përveç Ademit, të akuzuar ishin edhe biznesmeni Muharrem Rama, dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Sami Hamiti.

Biznesmenët Agim Ademi dhe Muharrem Rama nga Prishtina, ishin kapur në një incizim duke kërkuar ryshfet në emër të ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.

Atëkohë raportohej se incizimi ishte bërë nga Dritëro Kadolli, pronar i kompanisë “Capital Ring”, i cili kishte kërkuar leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës për ndërtime në lagjen Sofalia të Prishtinës.

Hetimet e nisura ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal, Sami Hamitit dhe dy biznesmenëve të tjerë, me dyshimin se kanë kërkuar 2 shtëpi dhe një veturë BMË, me kusht që të ndërrohet plani urbanistik i lagjes Sofalia në Prishtinë, për t’i lejuar “Capital Ring” ndërtimet, janë bazuar pikërisht në ato incizime.

Burime të Periskopit kanë sqaruar se tashmë janë mbajtur disa seanca gjyqësore për këtë rast, që po hetohet nga Departamenti i Krimeve të Rënda.