Grabitësi i milionave në Aeroportin e Tiranës kishte lëvizur edhe në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Grabitësi i milionave në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, i cili u vra, është identifikuar si Admir Murataj.

Gazetarja Lala, në Opinion, është shprehur se policia kishte shumë të vështirë ta identifikonte atë pasi veç maskës, kishte bërë dhe ndërhyrje estetike.

“Kjo ngjarje ka ngritur shqetësim për sigurinë kombëtare dhe me të drejtë. Dhe ky grup i strukturuar kriminal mund të kishte marrë peng këdo, kanë pasur armatim të rëndë. Një arsenal të jashtëzakonshëm armësh. Admir Murataj zyrtarisht është identifikuar mëngjesin e sotëm. Pasi policia ka vajtur në vendngjarje ka zbuluar që personi i vrarë nuk ishte ai që në dukej në foto. Më pas është zbuluar se kishte bërë ndërhyrje estetike, në pjesën e hundës dhe të mollëzave.

Shumë të ndryshëm nga ky që shikojmë në foto. Policia shqiptare ka dërguar gjurmët ë gishtërinjve në Greqi. Policia greke kishte profilin gjenetik, pra mëshumë informacione se policia shqiptare. Ka patur dëmtime të forta në fytyrë për shkak të plumbit. Jetonte në Shqipëri, 300 mijë euro sistem alarmi. Kamera të rezolucionit të lartë. Ka lëvizur mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjithë na rezultojnë se këta njerëz shëtisin shumë të lirë dhe rinë në shtëpi”, është shprehur Lala.

Identifikohet organizatori i grabitjes në Rinas që u vra: Ishte arratisur nga burgu në Greqi, organizoi edhe tri grabitje tjera

Periskopi.com Lajme

Personi që mbeti i vdekur nga shkëmbimi me armë zjarri mes policisë dhe autorëve të grabitjes mesditën e djeshme në aeroportin e Rinasit, dyshohet se është Admir Murataj.

Murataj është një emër i njohur për policinë.

Ai është organizatori i tre grabitjeve të blindave me para të bankave, dy në 2015 dhe një në 2017 në Rinas, teksa anëtarët e tjerë të grupit u dënuan pak ditë më parë.

Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

Pak muaj më vonë rreth 2 mln paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit.

Ngjarja e tretë për të cilën akuzohen të pandehurit ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë privatë, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 mln e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.

Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.

Murataj ndërkohë ishte arratisur në vitin 2013 nga burgu i Trikallas në Greqi, ku akuzohet për vrasje, grabitje, por edhe plagosje.

Sipas mediave greke, Murataj ka përdorur 15 emra të ndryshëm, ndërsa pas arrestimit arriti që të arratiset.

Pas arratisjes nga burgu dhe njohjes me Dash Kupën ai kreu grabitjet spektakolare te blindave me para në 2015 dhe 2017 në Rinas, shkruan Tema.

Mediet greke shkruajnë se ai është pikërisht personi që mbeti i vrarë një ditë më parë.

 

Ushtria merr kontrollin e Aeroportit të Rinasit, pas grabitjes spektakolare

Periskopi.com Lajme

Pas grabitjes spektakolare, ushtria ka marrë në kontroll të plotë Aeroportin e Rinasit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka.

Njësoj si institucionet e tjera të qeverisë, edhe Xhacka ia faturon dështimin e sistemit të sigurisë kompanisë koncensionare që administron aeroportin, shkruan lapsi,al.

Deklarata e Ministres së Mbrojtjes:

Ngjarja që ndodhi dje në aeroportin e Rinasit ishte sigurisht një ngjarje e rëndë.

I bashkohem shqetësimit të qytetarëve dhe kolegëve, që diçka e tillë, nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë.

Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncensionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.

Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil.

Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shume e rende e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete.

Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.

Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura.

Kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit.

Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët, që siguria e tyre është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka për ta garantuar atë.

Ekstradohet drejt Gjermanisë 60 vjeçari nga Gjilani, dyshohet për vrasje

Periskopi.com Lajme

Policia e Shqipërisë kohë më parë ka arrestuar një kosovar nga Gjilani, i kërkuar me fletarrest nga Interpoli për një vrasje të ndodhur në Gjermani.

Ekstradimi i J.S., vjeç 60, banues në Gjilan është bërë të enjten nga Aeroporti i Rinasit në Tiranë.

Kosovari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane të drejtësisë, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodit Penal Gjerman.

Aeroporti i Rinasit po i zhvat qytetarët me fluturimet

Periskopi.com Lajme

Kur qeveria ka nisur auditimin e koncesionit të Rinasit, Top Channel publikon të tjera fakte se si qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë miliona euro në vit kosto abuzive për të fluturuar.

Përveç monopolit të fluturimeve ndërkombëtare, në aeroportin e Rinasit funksionon edhe një tjetër monopol. Ky është furnizimi i avionëve me karburant, që ka ndikim të konsiderueshëm në çmimin e biletave.

Që nga fillimi i koncesionit të Rinasit, monopolin e këtij shërbimi e ka patur kompania “Air BP Albania”, sipas një marrëveshjeje të lidhur mes saj dhe koncesionarit të aeroportit. Top Channel publikon bilancet e “Air BP Albania” në dy vitet e fundit të disponueshme, 2015-2016. Sipas tyre, në të dy vitet kompania ka një normë fitimi bruto që luhatet nga 50 deri në 52 për qind, kur mesatarja e tregut të karburanteve varion nga 2 deri në 7 për qind maksimumi.

Por ky nuk është fakti i vetëm. Top Channel publikon një hetim konfidencial të kryer nga ekspertët e Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka krahasuar çmimin e shitjes së karburantit për avion në rinas me atë në aeorportet e vendeve fqinje. Sipas hetimit, çmimi i karburanteve në Rinas është 2 deri në 3 herë më i lartë sesa ai në disa aeroporte të Italisë.

Karburanti është zëri më i rëndësishëm në koston e fluturimeve, duke zënë mbi 30 për qind të kostos totale në çmimin e biletave të fluturimit. Kjo bën që vetëm për shkak të çmimeve të larta të karburantit, qytetarët shqiptarë të paguajnë miliona euro në vit tarifa abuzive për të fluturuar.

Të gjitha faktet e nxjerra nga hetimi i ekspertëve të konkurrencës ju dorëzuan Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Por, në mënyrë të çuditshme, në korrik të vitit të kaluar, Komisioni i Konkurrencës e mbylli hetimin jo vetëm pa asnjë masë korrektuese për të mbrojtur qytetarët nga tarifat abuzive, por edhe pa asnjë penalitet për “Air BP”, pavarësisht fakteve tronditëse.