Gjykata Supreme më në fund merr vendimin për Agim Ademin

Periskopi.com Sporti

Gjykata Supreme e Kosovës përmes një komunikate për medie të lëshuar sot, ka njoftuar se ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit.

Kolegji i Gjykatës Supreme aty ku kishte dërguar Agim Ademi apelin, ka kthyer në rigjykim lëndën ku edhe çështja do të kthehet në shkallën e parë.

Njoftimi i Gjykatës Supreme:

Gjykata Supreme e kthen në rigjykim lëndën ndaj A.A., dhe M.R.

Prishtinë, 25 gusht 2020 – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë.

Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim.

Kosovë-Greqi mund të luhet në Itali

Periskopi.com Sporti

Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjen e parë si vendase në kuadër të Ligës së Kombeve mund ta zhvillojë jashtë vendit.

Kosova e nis fushatën kualifikuese për në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve më 3 shtator teksa do të përballet me Moldavinë në stadiumin “Enio Tardini” në Parma të Italisë, raporton zëri.info, transmeton Periskopi.

Tri ditë më pas (6 shtator), Kosova pritej që ta sfidonte Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, mirëpo edhe kjo ndeshje mund të luhet jashtë Kosovës.

Në fakt, edhe kjo mund të zhvillohet në Itali.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim për Zeri.info deklaron se FFK-ja po përgatitet që ndeshja me Greqinë të zhvillohet në “Fadil Vokrri”, por si mundësi mbetet edhe Italia.

“Për shkak të pandemisë COVID-19, është parë si solucion që ndeshja me Greqinë të zhvillohet në Itali. Gjithsesi, ne jemi duke u përgatitur dhe shpresojmë që të zhvillohet në Prishtinë. Ndeshjet me Moldavinë dhe Greqinë luhen brenda tri ditëve dhe duke e ditur situatën me pandemi në vendin tonë, është parë si solucion edhe Italia. Unë shpresoj shumë se do të luhet në Prishtinë dhe jemi duke u përgatitur për Prishtinë”, ka thënë Agim Ademi të martën për Zeri.info.

Me ndeshjen në Parma nis paraqitja e Kosovës në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Për dallim nga edicioni i parë, në të cilin garoi në Ligën D (niveli më i ultë), Kosova tani do të garojë në Ligën C.

Kosova në grupin e tretë së bashku me Greqinë, Slloveninë e Moldavinë.

Por të gjitha ndeshjet duhet të konfirmohen pas situatës së rëndë të krijuar nga pandemia COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë takohet me Ademin, diskutojnë për fillimin e mundshëm të stërvitjeve

Periskopi.com Sporti

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës për të folur për fillimin e mundshëm të stërvitjeve te të gjitha kategoritë e futbollit.

Ai atje u prit nga presidenti i kësaj federate, Agim Ademi, si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, njofton Klan Kosova.

FFK u zotua para Zemajt se do të respektojë protokollin strikt për të ruajtur shëndetin e futbollistëve në rast se do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive që tashmë veçse janë ndaluar.

Po ashtu, gjatë këtij takimi krerët e FFK-së e njoftuan ministrin për situatën shëndetësore dhe nevojën për të filluar me stërvitje të gjitha kategoritë e futbollit, nga shkollat e futbollit e deri te klubet e të gjitha ligave dhe rangjeve, përfshirë edhe futbollin e femrave dhe futsallin.

Drejtuesit e FFK-së theksuan se është shumë e nevojshme që të fillojnë sa më parë stërvitjet përgatitore për kampionatin e ri, ngase garat planifikohet të fillojnë më 12 shtator, kurse ka mbetur shumë pak kohë për ekipet.

Federata thotë se janë vetëm pesë javë para fillimit të kampionatit, që është kohë jo e mjaftueshme për fazën përgatitore.

Zemaj tha se që nesër do ta mbledhë Këshillin për Parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe se “do t’i konsultojë ata për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e stërvitjeve, që futbollistët t’i mbajmë në formë”.

Agim Ademi e zbulon kërkesën e UEFA-s rreth Superligës së Kosovës

Periskopi.com Sporti

Kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi, ka komentuar mbylljen e garave në Ipko Superligë.

Duke folur për ‘Arena Sportive’, Ademi ka deklaruar se ndihet i lumtur që kampioni i Superligës u vendos në fushë.

Sipas numrit një të FFK-së, ishte kërkesa e UEFA-s që mos të ketë anulim të kampionatit dhe kampioni të fitojë në fushën e gjelbër.

“Ne jemi të lumtur që kemi arritur ta përfundojmë këtë kampionat, pasi ka qenë dëshirë e madhe e UEFA-s që kampioni të vendoset në fushë. Ka qenë e pamundur të përfundojmë të gjitha garat dhe shteti ka vendosur të na lejojë Superligën. Është shumë mirë që tre ekipe tani i kemi në Evropë. Kur i shohim të gjitha ndodhitë, mendoj që ky kampionat ka përfunduar mirë”, u shpreh Ademi.

E konfirmon Agim Ademi: Turneu ‘Fadil Vokrri’ do të jetë i përvitshëm, por jo në këtë format

Periskopi.com Sporti

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka konfirmuar se për shkak të pandemisë, është dashur të ndryshohet formati i ndeshjes revyale për ditëlindjen e legjendës, Fadil Vokrri, shkruan Periskopi.

Takimi mes Veteranëve dhe ekipit të Estradës, për ta nderuar Vokrrin në datën e lindjes së tij, u zhvillua më 23 korrik në stadiumin që e ka po të njëjtin emër “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Dhe Ademi, i cili ishte prezent në ndeshje, u shpreh:

“Ky turne është në kalendar të garave, për ditëlindjen e tij të përvitshme dhe është në një format krejt tjetër, por shkaku i pandemisë jemi detyru ta bëjmë në një tjetër format,” tha ndër të tjerash ai për ‘Sporti në KlanKosova’ /Periskopi.com/

Reagon kryetari i FFK-së, Agim Ademi reagon pasi u raportua se UEFA ka kërkuar dorëheqjen e tij

Periskopi.com Sporti

Të mërkurën në mëngjes një raport filloi të qarkullonte nëpër mediet lokale që theksonte se organizata më e madhe e futbollit në Evropë, UEFA ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ndër të tjerash, në këtë raport potencohej se tashmë kanë filluar lëvizjet për kandidaturën e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu për kryetar, shkruan Periskopi.

Sidoqoftë, të gjitha këto janë mohuar me një reagim të Ademit, i cili është publikuar përmes uebfaqes zyrtare të Federatës:

Reagimi i plotë:

Federata e Futbollit e Kosovës reagon ndaj lajmit spekulues të portalit “Gazeta Metro”, për kinse kërkesën e UEFA-s për dorëheqje të presidentit Agim Ademi.

Me këtë rast presidenti Ademi deklaron se:  Vazhdimisht kam qenë dhe jam në kontakt të drejtpërdrejt me organet e UEFA-s dhe çdo herë jam konsultuar për rastin tim gjyqësor dhe UEFA në çdo hap ka qenë e informuar mbi ecurinë e procesit.

Përkundër faktit se kam e ndje veten të pafajshëm gjithmonë kam besuar në drejtësi dhe për këtë arsye e kam kërkuar të drejtën time legjitime deri në instancën e fundit gjyqësore, me ç’rast jam duke e pritur vendimin përfundimtar. Për këtë është e informuar edhe UEFA, e cila asnjëherë nuk ka kërkuar dorëheqjen time.

Organet e UEFA-s më kanë përkrahur në ushtrimin e funksionit tim dhe të kërkoj të drejtën time deri në fund të procesit. Këtë gjë ma kanë mundësuar edhe KE dhe të gjitha Lidhjet Rajonale të futbollit, me çka i falënderoj  për mbështetjen dhe për mundësinë e dhënë.

Prandaj, lajmet e tilla spekuluese kanë për qëllim destabilizimin e federatës dhe sjelljes në konfuzitet të klubeve, të njerëzve të futbollit dhe organeve të futbollit në fund të këtij edicioni futbollistik.

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së /Periskopi.com/

Valon Berisha viziton Federatën e Futbollit të Kosovës, pritet nga presidenti Ademi

Periskopi.com Sporti

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot futbollistin e Kombëtares, Valon Berisha, i cili këto ditë ndodhet në vendlindje për pushime.

Në këtë takim krahas presidentit Ademi ishin edhe anëtari i KE-së, Xhelal Broja, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”.

Ademi i uroj mirëseardhje Valonit në vendlindje, duke i dëshiruar pushim të mirë afër familjes në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalon jo vetëm vendi ynë por i gjithë globi, si pasojë e pandemisë “Covid-19”.  Ademi i shprehu edhe njëherë mirënjohje Valonit që ishte lojtari i parë që zgjodhi Kosovën, duke e braktisur një kombëtare të madhe, teksa hyri në histori si lojtari i parë që shënoi gol për Kosovën në kualifikime.

Ademi theksoi se Valon Berisha u bë kësisoj shembull për t’u ndjekur nga lojtarët e tjerë.

Në anën tjetër, Valoni u shpreh i nderuar që sërish ndodhet në Kosovë, teksa falënderoi presidentin Ademi dhe tërë stafin e FFK-së për kushtet shumë të mira që kanë krijuar për ekipin kombëtar, si dhe për mbështetjen e madhe që gëzojnë nga i tërë populli, me shpresë dhe optimizëm se një ditë tërë këtë do t’ua shpaguajnë me kualifikim në Evropian apo Botëror.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi për gazetarët e sportit: Misioni juaj është i shenjtë

Periskopi.com Sporti

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka lartësuar gazetarët e sportit në vend, duke e quajtur të shenjtë punën e tyre, në Ditën Botërore të Gazetarëve të Sportit.

“Të dashur drejtues të SHGSK-së, të dashur gazetarë sportivë të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim, të KE-së së FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju përcjell urimet më të sinqerta, duke përfshirë këtu edhe doajenët e gazetarisë sportive që tashmë e gëzojnë pensionimin. Në muajt e ardhshëm na presin ndeshje të rëndësishme dhe sigurisht se ashtu sikurse ne dhe tifozët Dardanë, edhe ju i prisni me padurim sfidat e reja të Kombëtares së Kosovës, që tashmë është shndërruar në emblemë krenarie për shtetit tonë”, shkruhet në letër urimin e Ademit.

Ai u ka premtuar atyre, siç ka thënë, se federata do të jetë gjithmonë e hapur për ta dhe se do t’u dalë në ndihmë kurdo.

“FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë. Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet. Gazetarët sportivë dhe mediet ku ata i pasqyrojnë të arriturat por edhe brengat e futbollit, janë një segment tejet i rëndësishëm për informimin e opinionit dhe vlerë e rëndësishme e kësaj shoqërie.”

Dita Ndërkombëtare e Gazetarëve të Sportit shënohet më 2 korrik për t’i kremtuar shërbimet e gazetarëve të sportit dhe kontributin e tyre për promovimin dhe mirëqenien e sportit.

Agim Ademi: Lufta e UÇK-së ndaj kriminelëve serbë, e pastër dhe e lavdishme!

Periskopi.com Sporti

FFK ka mbështetur kauzën e pastërtisë së luftës çlirimtare për pvarësinë e Kosovës.

”Periskopi” ua përcjellë më poshtë komunikatën e plotë.

“Lufta e pastër dhe sakrifica e popullit tonë e viteve të 90-ta ditëve të fundit ka marrë goditje të rëndë. Çlirimtarët tanë, në radhët e të cilëve ishin edhe shumë sportistë e sportiste, 21 vjet më parë ia kthyen pushkën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë dhe duke luftuar me devotshmëri për çlirimin e Kosovës dhe për lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

UÇK dhe ushtarët e saj zhvilluan luftë të pastër edhe pse nuk ishin të barabartë për nga armatimi me pushtuesin serb. Falë heroizmit e gjakut të luftëtarëve, por edhe mbështetjes së botës së qytetëruar iu dha fund masakrave të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare dhe u arrit shtetësia e vendit tonë, të cilën tash e sa vite po e lartësojnë me suksese të njëpasnjëshme sportistët tanë.

Sakrifica e të bërit sport në fusha të improvizuara e të përbaltura është një histori e papërsëritshme, ashtu siç është edhe lufta e drejtë dhe e pastër e popullit tonë. Tani kur sukseset e sportistëve tanë janë mahnitëse dhe gjithnjë e më shumë flamuri i shtetit tonë po pushton arenat ndërkombëtare, madje edhe në vendet që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë, ka rifilluar një fushatë e egër kundër simbolit tonë të shenjtë UÇK dhe luftës së drejtë, ku me fakte të fabrikuara në ‘kuzhinën e Beogradit’ po bëhet përpjekje që të njolloset lufta e pastër e popullit të Kosovës për liri.

Në këtë periudhë të vështirë për ushtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, të cilët po ballafaqohen padrejtësisht me inicime të aktakuzave për krime lufte, Federata e Futbollit e Kosovës dhe i tërë komuniteti i futbollit shpreh fuqishëm mbështetje për të gjithë ata që kanë kontribuuar që ne sot të jemi lirë dhe të jemi pjesë e dy institucioneve më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA. #meçlirimtaret

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së”, thuhet në njoftim.

Vjen reagimi i Eroll Salihut lidhur me deklaratën e Presidentit të Tepcës:“Me përgjegjësi të plotë konfirmoj se në FFK nuk ka ardhur asnjë shkresë lidhur me Presidentin Ademi”

Periskopi.com Sporti

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka thënë se vetë sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ia ka konfirmuar atij se UEFA i ka dërguar Federatës letër për t’ia kërkuar presidentit Agim Ademi largimin nga posti, ose ta zgjidhë problemin me dënimin me burg.

Pas kësaj deklarate nga presidenti i Trepces, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-së, Eroll Salihut, i cili për Periskopin tha se: Pas deklarates se dale ne media, deklaroj si vijon:

Me përgjegjësi të plotë konfirmoj se në FFK nuk ka ardhur asnjë shkresë lidhur me Presidentin Ademi e as qe kam biseduar me ndonjë zyrtar për këte gjë pasiqë vetem Presidenti dhe KE janë vendimmarrës dhe kompetent për këtë.

UEFA e njeh situatën dhe ka kontakt të drejtpërdrejtë me Presidentin Ademi dhe ai na informoi se situata do të sqarohet shumë shpejt.

Shpresoj se keto dezinformata mos të perseritën sepse dëmtojne besueshmerinë tek njerezit e futbollit.

Me respekt,

Sekretari i Pergjithshem

Eroll Salihu.

FFK rikujton legjendën e futbollit prizrenas

Periskopi.com Sporti

Me rastin e përvjetorit të tretë të vdekjes së legjendës së futbollit prizrenas, Agim Maloku, FFK përkatësisht kryetari, Agim Ademi ka reaguar me një letër.

Më poshtë, reagimi i plotë:

Sot bëhen tri vite nga ndarja fizike me Legjendën e futbollit prizrenas, Agim Maloku. Këto tri vite kanë qenë të vështira jo vetëm për familjen, por edhe për ne miqtë e tij të ngushtë dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës në përgjithësi.

Vlerat e tij, qoftë si futbollist e qoftë si drejtues i Lidhjes Rajonale në Prizren, por edhe si anëtar i KE të FFK-së ishin të jashtëzakonshme.

Agimi ishte vizionar, me vullnet të madh për punë dhe i vendosur për progres të futbollit. Si anëtar i KE të FFK-së ishte po aq entuziast sikur në vitet e tij të hershme të rinisë kur e kishte bartur me besnikëri e krenari fanellën e Lirisë.

Karriera e tij e suksesshme si futbollist, por edhe përkushtimi dhe kontributi i tij i çmuar në futboll bëri që jetë mik i respektuar dhe i vlerësuar kudo.

Së bashku me Adashin, siç e thërrisnim njëri-tjetrin nga dashamirësia, e kishim fatin që të ishim pjesë e misionit të vështirë por frytdhënës të anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Iu gëzuam bashkërisht këtyre dy të arriturave historike, me shpresë e optimizëm të madh se do të kishim edhe shumë festime tjera, por ja që jeta ndonjëherë është e pamëshirshme dhe na ndanë nga miqtë e më të dashurit tanë shumë më herët se sa e mendojmë.

Në këtë përvjetor të tretë të ndarjes nga ne e kujtojmë me pietet dhe respekt maksimal për tërë atë çfarë i dha futbollit të Kosovës.

Gjithmonë në kujtimet tona Adash!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Indeksonline: Ademi i FFK-së po provon ta shmang burgun me probleme shëndetësore

Periskopi.com Sporti

Pikërisht sot më 18 qershor, kryetari i FFK-së Agim Ademi e ka pasur afatin e fundit të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Kosovës për të vuajtur dënimin me burg prej 9 muajsh.

Ademi ishte shpallur fajtor nga dy shkallë të gjykatës pasi i njejti kishte dëmtuar një person në vlerë prej 30.000 euro ose një BMW X5 derisa po provonte t’i ndërronte statusin një ngastre toke në mënyrë që të kryente ndërtime.

 

 

Portali Indesksonline mëson se Ademi nuk është paraqitur në Burg dhe si duket po e shfrytëzon një mundësi të fundit për ta shmangur ose shtyrë dënimin.

Burime brenda FFK-së bëjnë të ditur se kryetari i shtëpisë së futbollit të Kosovës do të shfrytëzoj disa probleme shëndetësore si shkas për ta vonuar ekzekutimin e dënimit.

Redaksia e këtij portali ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës për ta pytur në lidhje me mundësinë që Ademi t’i shmanget dënimit.

Ju informoj se dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve penale parashohin mundësin e shtyrjes së ekzekutimit të dënimit, sipas lutjes së personit të dënuar dhe kritereve të përcaktuara, për të cilin vendos Kryetari i Gjykatës kompetente Themelore”, ka thënë SHKK për Indeksonline.

Nëse kreut të FFK-së nuk i është dhënë leje për të mos u paraqitur në burg, atëherë do të lëshohet fletë arrest për të.

Sipas dispozitave të Ligjit Nr.04/l-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, gjykata kompetente e urdhëron me shkrim personin e dënuar që në ditën e caktuar të paraqitet në institucionin korrektues për mbajtjen e dënimit me burgim, ose me burgim të përjetshëm”.

Gjykata kompetente e informon institucionin korrektues për datën kur personi i dënuar duhet të paraqitet në institucion dhe ia dorëzon vendimin e formës së prerë së bashku me të dhënat personale për personin e dënuar të cilat janë mbledhur gjatë procedurës penale”.

Institucioni korrektues e informon gjykatën kompetente se a është paraqitur personi i dënuar për mbajtjen e dënimit, (Gjykatat Kompetente njoftohen për të gjitha rastet kur personi i dënuar nuk paraqiten në mbajtje të dënimit në datën e caktuar) pas njoftimit të Gjykatës për mos paraqitjen e të dënuarit, Institucioni Korrektues të njëjtin e fut në listën e pritjes për ekzekutim të dënimit”, ka thënë Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Në momentin kur u është prerë vendimi, Agim Ademi është dashur të japë dorëheqje nga posti I kreut të FFK-së, pasi statute nuk e lejon që një person I dënuar të mbaj pozitë drejtuese në Federatë.

Ademi sot u pa në një takim edhe me të birin e ministrit të Punëve të Brendshme, z.Shkumbin Veliu.

SKANDAL: Agim Ademi i FFK-së takon djalin e minsitrit të Punëve të Brendshme mu në ditën kur duhet të shkojë në burg

Periskopi.com Sporti

Pikërisht sot përfundon afati për kreun e FFK-së, Agim Ademin, që të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Dhe, pikërisht sot ai ka vendosur të takohet me hiç më pak se të birin e ministrit të Punëve të Brendshme, z.Shkumbin Veliu.

Agim Ademi sot ka zhvilluar një takim Shkumbin Veliun, i cili është djali i Agim Veliut, ministritë të Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti.

Djali i Veliut madje ka postuar foton e takimi në Facebook me mbishkrimin “takim miqësor”, ku të pranishëm ishin edhe sekretari i FFK’së, Eroll Salihu dhe kryetari i tifozëve “Dardanët”, Lul Berisha.

Një takim i tillë do të duhej të hetohej nga organet e rendit në vend – për shkak të mundësisë që të ndikohen vendimet e gjyqësisë kosovare.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Sipas kësaj urdhërese, Ademi obligohet që të paraqitet më 18 qershor 2020, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Në rast se Ademi nuk do të paraqitet vullnetarisht, atëherë sipas urdhëresës, gjykata do të lëshojë urdhërese për ndalim, arrestim dhe dërgimin me forcë në Shërbimin Korrektues përkatësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Deri te lëshimi i kësaj urdhërese vjen pasi që në muajin shkurt 2020, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë më 5 korrik 2019, ia kishte shqiptuar kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Gjithashtu, dënimi me burg me efektiv prej një viti, gjykata e shkallës së dytë ia kishte vërtetuar edhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.

Të dy këtë ishin shpallur fajtor për veprën penale “Detyrim në tentativë”.

Ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë dhe Apelit, mbrojtja e Ademit dhe Ramës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Për çka akuzohet Agim Ademi?

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Eroll Salihu zbulon çka do të ndodhë nëse Agim Ademi shkon në burg

Periskopi.com Sporti

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, gjatë një interviste në emisionin sportiv “Favorit” në T7, e ka pranuar se Federata do të duhet të mbajë zgjedhje për president të ri nëse kryetari aktual, Agim Ademi, detyrohet të shkojë në burg.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte dënuar më parë me nëntë muaj burgim për një çështje jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012. Ai fillimisht ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit e përkrahi vendimin fillestar, që çoi deri te ankesa e Ademit te Gjykata Supreme.

Ditëve të fundit është bërë e ditur se Ademi është urdhëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të paraqitet në Shërbimin Korrektues në Prishtinë më së largu deri më 18 qershor. Përderisa Ademi ende nuk e ka bërë të qartë se çfarë do të ndodh me këtë urdhëresë, Salihu paralajmëron se në rast burgimi të kryetarit, FFK-ja do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kjo është një çështje e kryetarit Ademi dhe Komitetit Ekzekutiv. Unë mendoj se brenda pak ditësh vetë kryetari do të dalë vetë ta sqarojë. Mendoj se nuk duhet të përfitojmë nga fatkeqësia e dikujt, por ta lëmë atë ta zgjidhë këtë në mënyrë të dinjitetshme”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Ai më tutje i shpjegoi procedurat për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Ademi burgoset, Salihu në “Favorit” tha: “Po, është e qartë. Duhet të shpallen zgjedhje të reja. Duhet të shpallen zgjedhjet pastaj edhe kandidatura, por nuk duhet të merret me eufori, apo me veprime që do ta dëmtonin imazhin e futbollit, që, dorën në zemër, kohën e fundit është dëmtuar shumë”.

“Shpallen zgjedhjet brenda një afati njëmujor, ose edhe më shumë nëse ka nevojë. Pastaj vendosen rregullat që duhet t’i përfillë çdo kandidatët, duhet të vlerësohet a i plotësojnë kushtet kandidatët dhe pastaj duhet të kenë planprograme e pastaj edhe përkrahje nga anëtarët e Kuvendit”, shtoi Ademi.

Kryetari i FFK-së në telashe: Agim Ademi urdhërohet nga Gjykata që të mbajë dënimin me burg

Periskopi.com Lajme

Edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk është mbi ligjin. Kjo dëshmohet në urdhërin e fundit që Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dërguar atij.

Kjo gjykatë i ka dërguar urdhër për paraqitjen në institucionin për mbajtje të dënimit me burgim kryetarit të FFK-së, që ishte dënuar për vepra të rënda penale.

Sipas një dokumenti të siguruar nga portali Koha, Ademi duhet të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Kosovës me qendër në Prishtinë, deri më 18 qershor në orën 12:00.

Nëse Ademi nuk paraqitet deri në datën e caktuar, atëherë sipas urdhëresës, Gjykata Themelore do të lëshojë urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgim me forcë në Shërbimin Korrektues.

Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë, për një rast jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012. Kundër këtij vendimi, Agim Ademi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme.

Arkiva/ Kur presidenti i FFK-së dhe ish-drejtori i Flamurtarit pozonin në stadiumin e stërmbushur më 1999

Periskopi.com Sporti

Në kohë kur futbolli është prezent në përmasa minimale, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është t’u drejtohemi arkivave.

Momente të ndryshme na rikthejnë në kohë kur shikojmë foto apo shkrime të vjetëra, të cilat padyshim se janë të mirëseardhura për fansat e futbollit, shkruan Periskopi.

E nostalgji na ngjallë edhe fotoja e mëposhtme e presidentit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me Bashkim Hasanin, ish-drejtor i KF Flamurtarit në vitet e 90-ta.

Fotoja është shkrepur më 14 tetor të vitit 1999 në një ndeshje miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në fokus është Ademi dhe Hasani, teksa prapa vërehet stadiumi i stërmbushur me fansa. /Periskopi.com/

Image may contain: 3 people, people standing and crowd

Presidenti i FFK-së, Ademi zbulon për Periskopin kur mund të merret vendimi – nuk përjashtohet mundësia e anulimit të sezonit

Periskopi.com Sporti

Fati i sezonit 2019/20 në Superligën e Kosovës në futboll ende është mister, derisa nuk dihej ende kur do të merret vendimi për vazhdimin e kampionatit.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është në pritje të ftesës nga Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia, për të vendosur rreth datës së rikthimit, apo anulimit, shkruan Periskopi.

Redaksia e Periskopit ka kontaktuar sot (e premte) me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, të cilin e ka pyetur rreth datës kur mund të merret vendimi.

“Presim me na kontaktu. Besoj që nesër (e shtunë) na thirrë Ministri,” ka thënë ai.

I pyetur nëse ka gjasa që sezoni të anulohet, ai ka shtuar:

“Nuk e di, vendoset në bazë të gjendjes në terren me virusin, nëse nuk ka të infektuar, varet nga vendimet e Qeverisë.” /Periskopi.com/

Katër vjet nga pranimi i Kosovës në FIFA: Ky është mesazhi i presidentit Ademi

Periskopi.com Sporti

Kanë kaluar katër vite nga pranimi i Kosovës si anëtare me të drejta të plota në FIFA.

Sukseset gjatë kësaj periudhe nuk kanë të adresohen, pasi janë shumë mirë të dokumentuara, shkruan Periskopi.

Vështirë se ndonjë anëtare e kësaj organizate ka pasur start më të fuqishëm se “Dardanët”, derisa pas vetëm katër viteve, po flasim për pjesmarrje në Kampionatin Evropian.

Në këtë ditë speciale, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Acdemi i është drejtuar audiencës me një letër, lexoni më poshtë:

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, ish-zyrtarë të futbollit, ish-futbollistë, anëtarë të FFK-së, ju Dardanë e tifozë tjerë të klubeve, partnerë afaristë, sponsorë e donatorë, gazetarë sportivë;
Të nderuar qytetarë të Kosovës!

3 maji dhe 13 maji janë dy datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Derisa para 10 ditësh e shënuam 4–vjetorin e anëtarësimit në UEFA, sot e shënojmë 4-vjetorin e anëtarësimit në familjen botërore të futbollit – FIFA. Këto dy data i dhanë vlerë dhe hov zhvillimit të futbollit tonë, i cili në këto vite ka bërë hapa të mëdhenj përpara.

Puna e drejtë dhe rezultatet e arritura na kanë mundësuar që të kemi raporte të shkëlqyeshme me UEFA-n dhe FIFA-n, me mbështetjen e të cilave kemi realizuar shumë projekte, për çka i jemi falënderues.
Në ditë si kjo nuk është asnjëherë e tepërt të kujtojmë me krenari sakrificën e shumë gjeneratave, të cilat organizuan futbollin dhe luajtën në fusha të improvizuara për ta mbajtur gjallë këtë segment të rëndësishëm të institucioneve të Kosovës, që në fillimvitet e 90-ta vunë themelet e para të shtetit që sot e gëzojmë.

Prandaj, sot edhe një herë dua të falënderoj të gjithë ata që arat e livadhet e tyre i dhanë në shfrytëzim për t’u bërë fusha futbolli, pastaj futbollistët, trajnerët, gjyqtarët e punëtorët e tjerë sportivë që e rrezikuan jetën e tyre për t’i organizuar garat nën petkun e Federatës së Futbollit të Kosovës. Një respekt i përhershëm për futbollistët që e sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e vendit.

Falënderim i veçantë për të gjithë donatorët, për ata që drejtuan klubet e futbollit në të gjitha periudhat që nga mëvetësimi, si dhe për udhëheqësit e FFK-së që punuan pareshtur që gjeneratat e sotme ta shijojnë futbollin në arenën evropiane.

Lavdi dhe nderim i përjetshëm për Legjendën tonë, Fadil Vokrri, i cili së bashku me anëtarin e KE-s, Flamur Bunjaku, më 13 maj të vitit 2016 në Meksikë arriti të realizojë ëndrrën e radhës – Kosova u bë anëtarja e 205-të e FIFA-s.

Gjatë këtyre katër vjetëve kemi punuar me përgjegjësi maksimale dhe tani jemi më afër se kurrë që ta realizojmë objektivin madhor – kualifikimin në Evropian.

Jemi vetëm 180 minuta larg që ëndrrën ta bëjmë realitet, prandaj na mbetet që të vazhdojmë punën me përkushtim e të bashkuar për t’u bërë për herë të parë në histori pjesë e turneut final të Evropianit.

Ky vit na vuri përballë një gjendje të pazakontë dhe të vështirë, jo vetëm neve si komunitet i futbollit, por në përgjithësi globin. Pandemia Covid-19 ka bërë që futbolli të ndërpritet po thuajse në tërë botën për më shumë se dy muaj dhe primar të jetë shëndeti i popullatës.

Ne si federatë me të gjitha kapacitet tona u vumë në mbështetje të gjithë anëtarëve tonë, duke i ndihmuar financiarisht, ngase jemi të vetëdijshëm për situatën e vështirë.

Tani kudo po bëhen përpjekje maksimale që me rekomandimet e institucioneve shëndetësore të rikthehet futbolli, pasi ky sport shihet edhe si mënyrë e ngritjes së moralit të popullatës edhe në periudha të këtilla të vështira.

Shpresoj se edhe ne do ta kalojmë së shpejti këtë gjendje dhe do t’i kthehemi jetës normale, për t’i vazhduar aktivitetet dhe projektet tona të shumta, me urimin që këtë pandemi ta kalojmë me sa më pak viktima dhe të prekur.

E gëzofshim përjetë anëtarësimin në familjen botërore të futbollit!

Vazhdojmë – me Krenari e Përgjegjësi!

 

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Për deklaratën e fundit të presidentit të FFK-së po flasin edhe mediet ndërkombëtare, fillojnë spekulimet

Periskopi.com Sporti

E ardhmja për Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën, dy yjet e Kosovës duket mjaft e ‘nxehtë’.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ditë më parë deklaroi se dy yjet kosovarë janë shumë të kërkuar nga super-klube.

“Ka shumë kërkesa për lojtarët tanë. Rashica kërkohet nga Liverpooli, por dhe Leipzig e do me patjetër. Kam besim sepse Altin Lala do e këshillojë si duhet”.

“Muriqin e kërkon me ngulm Tottenhami, por dhe disa skuadra në Itali. Zhegrova është një tjetër emër i nxehtë, pasi e duan disa skuadra në Francë, së fundmi ka dhe një ekip në La Liga”, u shpreh ditë më parë Ademi.

E, këto deklarata të numrit një të FFK’së bënë bujë të madhe në mediat botërore, të cilat raportuan për interesimin e klubeve karshi lojtarëve kosovarë.

Presidenti Ademi zbulon detaje të rëndësishme në lidhje me kontratën e Challandes, ardhjet e reja dhe Arbër Zenelin

Periskopi.com Sporti

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka zbuluar detaje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e përzgjedhësit, Bernard Challandes në Kombëtare, ardhjet e reja në reprezentacion, si dhe gjendjen e Arbër Zenelit pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit.

Ka pasur zëra të vazhdueshëm në lidhje me ardhjet e reja në Kombëtare, e cila sigurisht se ka nevojë për freski dhe kualitet të shtuar, shkruan Periskopi.

E në këtë aspekt duket se po punon FFK, me Ademin që e konfirmoi sonte se është në kontakt edhe me dy futbollistë të rinj, të cilët pritet t’i bashkohen grupit në të ardhmen e afërt.

“Sigurisht se do të ketë futbollist të rinj që do t’i bashkohen Kombëtares,” ka thënë Ademi.

“Jemi në kontakte të vazhdueshme me futbollistët që do të vijnë, me menaxherët dhe familjarët e tyre.

“Besoj që dy emra të rinj do të vijnë, njëri nga regjioni i Ferizajt dhe tjetri nga Mitrovica.”

Ademi e ka komentuar edhe situatën e Zenelit, i cili së fundmi është kthyer pas një lëndimi që e mbajti shumë gjatë jashtë fushave.

“Arbëri është i vendosur se është rikthyer në formë tashmë,” ka thënë numri 1 i FFK-së.

“Atë e ka dëmtu shumë lëndimi pasi ka qenë në fazën më të mirë, sidomos te klubi ku kishte filluar të aktivizohej rregullisht dhe po fitonte vëmendje të madhe nga skautët dhe menaxherët e klubeve tjera.

“Kështu që, këta nëntë muaj, e kanë ngadalësuar zhvillimin e tij dhe kalimin në një klub më të madh, por besoj se prapë do të vazhdojë edhe më fuqishëm se që ka qenë.”

Në fund, u zbuluan detaje nga ajo që u intereson të gjithëve – e ardhmja e Challandes në Kombëtare.

Ademi ka thënë se vetëm shëndeti mund ta ndalojë aventurën e zvicëranit te “Dardanët”, pasi ekziston vullneti i dy palëve që të vazhdohet bashkëpunimi.

“Disponimi i dyanshëm është pozitiv, vetëm shëndeti mund ta ndalë atë që mos të vazhdojë, por tash është edhe me shëndet mirë dhe besoj se do të jetë me ne.” /Periskopi.com/