Nisin përgatitjet për regjistrimin e popullsisë

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka filluar përgatitjet për regjistrimin e popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të nisë në prill të vitit 2021, një dekadë pas regjistrimit të fundit të vitit 2011.

Zyrtarë të ASK-së thonë se përgatitjet kanë filluar në vitin e kaluar por tani po shkojnë duke u intensifikuar.

Javën që vjen ASK organizon konferencën ‘Java e regjistrimit të popullsisë 2021’ ku për pesë ditë me radhë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve e profesionist të fushës.

“Konferenca që do të mbahet ‘Java e regjistrimit të popullsisë 2021’ ka ftuar fokus grupet, kryesisht do të flitet buxhetin, mënyrën e financimit, do të flitet për metodat e aplikimit në regjistrimin e popullsisë”  tha për RTK, Hazbije Qeriqi , zyrtare për medie në ASK.

Për regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 në vazhdimësi ka pasur vërejtje e debate të shumta.

Kësaj radhe të dhënat do të mblidhen me tablet e kjo do të përshpejtoj përpunimin e tyre.

ASK: Mbi 1000 të mitur janë akuzuar nga Gjykatat Themelore të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Jurisprudencës për Persona të Mitur  2018”, shkruan Periskopi.

Raporti tregon për personat e mitur të akuzuar dhe të dënuar  për  vepra penale në vitin 2018.Të dhënat për personat e mitur ofrohen sipas gjinisë, nacionalitetit të  kryerësit  të veprës penale, sipas mënyrës së  zgjidhjes së aktakuzës, paraqitësit të aktakuzës,  llojit të dënimit dhe masave të shqiptuara për kryerësit e veprave penale.

Sipas  rezultateve të  dala nga ky publikim del se numri i personave të mitur të akuzuar në Gjykatat  Themelore të Republikës së Kosovës në vitin 2018 ishte  1,179 persona. Numri më i madh i të akuzuarve ishte  në Gjykatën Themelore të Prishtinës me gjithsej  389 persona, ose 33 % e numrit të përgjithshëm.

Nga gjithsej 1,179 persona të akuzuar, prej tyre janë dënuar 713 persona ose 60.5 % e të akuzuarve. Po ashtu numri më i madh i të dënuarve ishte në Gjykatën e Prishtinës me gjithsej 250 persona   ose  35.1% e numrit të përgjithshëm./Periskopi/

ASK publikon statistikat: Shënohet rënie e lindjeve në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Lindjeve në Kosovë 2018”.

Numri i lindjeve në Kosovë ka shënuar rënie. Brenda shtatë viteve, vendi ka shënuar 10 mijë lindje më pak.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2010 u regjistruan 33.966 lindje, e në vitin 2016 ishin 10 mijë më pak. Arsyet për rënie të natalitetit janë të ndryshme e një ndër to është puna e karriera. Andaj, pushimi i lehonisë dhe ai prindëror i kontribuon parandalimit të rënies së natalitetit.

Viti 2018

Të dhënat në ketë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave Administrative për vitin 2018, nga zyrat e gjendjeve civile ku janë grumbulluar gjithsej 29080 fleta statistikore për lindje DEM-1.

Këto të dhëna tregojnë se  22870 janë lindje që kanë ndodhur në Kosovë prej tyre lindje të gjalla janë 22761 kurse 109 janë lindje të vdekura, kurse lindjet qe kane ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar 6210 lindje.

Koeficienti i vitalitetit është 2.5 (raporti në mes të lindjeve të gjalla dhe vdekjeve të ndodhura në Kosovë). Koeficienti i maskulinitetit është 109. Koeficienti i lindjeve të vdekura(shkalla e të lindurve të vdekur) në 1000 të lindur  ishte 4.8 promil(Lindjet në Kosovë). Në institucione mjekësore kanë ndodhur 99.9% lindje, ndërsa pjesa tjetër ka ndodhur në vend tjetër.

Numri më i madh i nënave që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave 25-29 vjeç me 35.9%, grup-moshat 30-34 vjeç me 25.9%, grup-moshat 20-24 vjeç me 19.6% dhe grup-moshat tjera përbëjnë 18.5% të numrit të përgjithshëm të lindjeve.

Mosha mesatare e femrave që kanë lindur fëmijë në vitin 2018, është 29 vjeç.

Fëmijën e parë e kanë lindur  37.4% e nënave, 32.0% e nënave kanë lindur fëmijën e dytë dhe  19.9% nënave fëmijën e tretë e kështu me radhë.

Sipas peshës së fëmijët të lindur, në institucione shëndetësore, numri më i madh i foshnjave është me peshë 3000-3499gr. apo 37.4%, 3500-3999 gr. 31.5%, 2500-2999 gr. 13.2% etj. Foshnjat e lindura gjallë me peshë më të vogël se 1000 gr. përbëjnë vetëm 0.2%.

Për fëmijët e lindur jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit nuk kërkohen të dhënat për peshën e tyre.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë nënat me shkollë të mesme  me 40.8%, shkolla e lartë dhe fakulteti marrin pjesë me 27.8% shkolla fillore e kryer  24.2% , etj.

Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2018 për vajza ishte emri, Alea 118, Jara 97 etj, ndërsa për djem ishte emri Ajan 153, Amar 144 etj.