Fuqizohen kapacitetet shtetërore të mbrojtjes së prodhimtarisë bimore

Periskopi.com Lajme

Gjatë ditës së sotme u mbajt takimi përmbyllës i projektit të Binjakëzimit “Mbështetje në fuqizimin e kapaciteteve të sistemit të  prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti është realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shtetëror për Mbrojtjen e Bimëve të Letonisë. Të dy autoritetet arritën me sukses hartimin e ligjeve dhe procedurave të reja për kontrollin e bimëve, sipas praktikave të mira bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian. Projekti zgjati 2 vite dhe përfitues ishin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet tjera përgjegjëse në vend, duhet shtojmë përpjekjet që të rrisim ndërgjegjësimin e politik-bërësve dhe publikut për rëndësinë e shëndetit bimor dhe  ne si autoritet do të bëjmë punën tonë në ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e tyre për të arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ngritjen e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik”, tha z. Valdet Gjinovci, Drejtor Ekzekutiv i AUV-së.

Znj. Kristine Lifanova, Drejtoresha e  Shërbimit Shtetëror për Mbrojtjen e Bimëve të Letonisë dhe udhëheqësja e projektit nga shteti anëtar me këtë rast u shpreh se realizimi i suksesshëm i projektit u arrit falë një pune të madhe dhe bashkëpunimit të ngushtë me vendin pritës. “Nga ana jonë nuk kemi kursyer asgjë që të ofrojmë gjithçka nga njohuritë e ekspertëve tonë që të vendosim një sistem të mirëfilltë të kontrollit dhe mbrojtjes së bimëve. Vlerësoj se këtë ia kemi arritur, është një volum i madh i dokumenteve që është hartuar e amandamentuar, janë shumë ekspertë vendor të cilët janë trajnuar certifikuar, njëkohësisht edhe pjesën analitike të laboratorit e kemi mbështetur me trajnime per testime laboratorike. Tani jeni ne rrugë të mirë qe me kapacitetet e krijuara t’i mbroni dhe zhvilloni bimët e shëndetshme.

Nga ana e tij, Kapllan Halimi, Sekretar i MBPZHR u shpreh se projekti ka arritur me sukses vendosjen e standardeve të mbrojtjes së bimëve të nivelit Evropian. “Shkëmbimi i përvojave të ekspertëve të Kosovës dhe atyre të Letonisë, mundësia që ne kemi pasur të punojmë ngusht me një vend me përvojë në mbrojtëse të bimëve, sot e ka ngritur standardin e kontrollit fitosanitar në vend”.

Ky projekt arriti të krijoj një sistem shtetëror të kontrollit fitosanitar i cili funksionon me sukses dhe siguron qe të mbrohen interesat publike dhe ndihmon vet fermerët në mos shkatërrim të bimëve dhe të ruhet ambienti, duke kultivuar kështu bimë të cilësisë së lartë të cilat zhvillojnë ekonominë e vendit. Përmes një sistemi efektiv të kontrollit të organizmave të dëmshëm të bimëve dhe produkteve bimore, në përputhje me standardet dhe rregullat e mbrojtjes së bimëve të BE-së. Fuqizimi i resurseve administrative dhe teknike të sektorit fitosanitar në zbatimin e legjislacionit shtetëror dhe atij të BE-së në fushën e shëndetit të bimëve, produkteve për mbrojtjen e bimëve, sigurinë e ushqimit me prejardhje bimore, farërat, materialin fidanor dhe të drejtat e varieteteve të bimëve.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes rezolutës së saj ka shpallur vitin 2020 si vit ndërkombëtar i shëndetit të bimëve.

Prokuroria po heton BIK-un, i bllokohet edhe një sasi tjetër e mishit të prishur

Periskopi.com Lajme

28 krerë kafshë të therura, është sasia e radhës e mishit të Bashkësisë Islame të Kosovës të cilën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka vlerësuar si të rrezikshëm për konsumim.

Inspektorët e AUV-it kanë bllokuar këtë sasi mishi, e cila gjendet në thertoren e shfrytëzuar nga BIK-u në Istog, raporton KTV.

Sipas AUV-it, të premten pritet që edhe kjo sasi të asgjësohet.

Sipas Lamir Thaqit, zëdhënës i AUV-it thertorja në fjalë është e licencuar dhe i plotëson kushtet higjienike dhe sanitare për therje të sigurt.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetime për prishjen e sasisë së mishit prej 21 mijë kilogramësh dhe deklarimeve se një pjesë e këtij mishi është shpërndarë te qytetarët.

“Patjetër që do të merremi me këtë rast, hetimet kanë nisur. Është rast serioz sepse bëhet fjalë për tonelata. Për këtë rast është caktuar prokurori Hivzi Bajraktari”, ka thënë për KTV-në, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Themelores në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Gjatë së enjtes, BIK-u ka reaguar përmes një komunikate për medie. Aty thuhet se kur është kuptuar shqetësimi për mishin e prishur në depon në Prishtinë, është ndërprerë shpërndarja si dhe është tërhequr mishi i shpërndarë.

“Me të marrë këtë shqetësim, kryesia e BIK-ut fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë. Kryesia e BIK-ut njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, do t’u shpërndahet kategorive sociale. Kryesia e BIK-ut sqaron për besimtarët që kanë porositur kurbane në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të gjetjeve do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla”, thuhet në përgjigjen nga BIK-u.

Në komunikatën për media, Bashkësia Islame bën të ditur se aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari ku janë therur 1150 krerë lopë, dhe një në Istog ku janë therur 241 krerë lopë. Sipas BIK-ut, mishi i asgjësuar dje i përkiste një sasie të mishit të therur në Istog.

Sipas AUV-it, edhe inspektimi në thertoren në Istog është bërë me kërkesë të BIK-ut.

Zëdhënësi i kësaj agjencie ka konfirmuar se depoja e kontraktuar nga BIK-u në Prishtinë nuk është licencuar nga agjencia.