Pasojat e përjashtimit të Kosovës nga ENQA, izolohen studentët kosovarë

Periskopi.com Lajme

Për më pak se dy vjet, Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), derisa dje u bë e ditur se është përjashtuar edhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ky po shihet si dështimi më i madh në arsim në 20 vjetët e fundit. E njëjta gjë do të ndikojë në ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve kosovarë në sistemin evropian të arsimit të lartë.

Më 19 shtator Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e lartë  (ENQA), mori vendim që të përjashtojë Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Bordi i ENQA-s vlerësoi se Agjencia nuk i ka përmbushur rregullat evropiane.

Ndër to, përfshihet edhe mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë, si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA-s.

AKA ishte anëtarësuar në ENQA në vitin 2014, për një periudhë 5-vjeçare e cila ka përfunduar në gusht të këtij viti.

Express ka kontaktuar Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për të pyetur se cilat do të jenë pasojat për studentët kosovarë që janë pjesë e universiteteve të akredituara në Kosovë për të vazhduar studimet në institucionet e Arsimit të Lartë në universitetet evropiane.

ENQA nuk ka pranuar të komentojë më tepër se çfarë shkruan në raportin e Bordit të ENQA-s dhe në letrën dërguar Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

“Faleminderit për interesimin e juaj për ENQA. Për më tepër informacione lidhur me pyetjet që keni dërguar, ju referojmë te letra e Bordit të ENQA-s dërguar AKA-s dhe te raporti i publikuar në ueb-faqen tonë. Ne nuk mundemi të komentojmë më shumë se ajo që është shkruar në raportin dhe letrën dërguar AKA-s për rishikimin dhe rezultatin. Ne ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në përgjigjen e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në letrën që i është dërguar ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, Avni Gashi, bëhet e ditur se AKA mund të aplikojë në ENQA tek pas dy viteve.

Gazeta Express ka provuar të marrë një përgjigje nga ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të lajmit.

Një përgjigje interesante e pati edhe institucioni të cilin Bytyqi do ta udhëheqë edhe pak ditë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MASHT-i ka thënë se e ka pranuar me shqetësim lajmin për përjashtimin e AKA-s nga ENQA, derisa shton se për këtë çështje janë njoftuar përmes mediave.

“MAShT për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar. Prandaj, sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, thotë komunikata e MASHT-it.

Kritika të ashpra drejt institucioneve të Kosovës ka pasur përmes një reagimi edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ajo ka thënë se është për keqardhje që Kosova nuk do të jetë më anëtare e ENQA-s.

“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në këtë reagim të Zyrës së BE-së, derisa, tutje, ajo ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet t’i adresojë të gjitha çështjet që Kosova të bëhet sërish anëtare.

Në anën tjetër, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vlerësuar se ky lajm është brengosës, mirëpo, jo befasues. Kjo, sipas KSHC-së, tregon për ndërhyrjet e vazhdueshme politike në AKA.

KSHC-ja ka kërkuar të arrihet një konsensus mbarëkombëtar për përmirësimin e gjendjes dhe adresimet e të gjitha të gjeturave të ENQA-s.

Profesori universitar, Rrahman Paqarizi, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ajo çka ndodhi me përjashtimin nga ENQA është një nga lajmet më të këqija për vendin në 20 vjetët e fundit.

“Degradimi i raportit të Kosovës me ENQA-n është një ndër lajmet më të këqija për vendin në 20 vitet e fundit. Pas përjashtimit nga EQAR për shkak të vendimit të pamatur të ministrit Bytyqi dhe kryeministrit Haradinaj, MASHT-i ka dështuar t’i eliminojë pasojat e shkaktuara nga ky vendim dhe për pasojë ka ndodhur degradimi apo largimi i Kosovës nga ENQA”, thotë Paqarizi, derisa përmend edhe pasojat që mund të ketë kjo për studentët.

“Largimi nga EQAR dhe ENQA mund të ketë pasoja të rënda përfshirë mosnjohjen e akreditimit shtetëror për diplomat e lëshuara në Kosovë në fund të programeve të akredituara tash e tutje. Pa EQAR dhe ENQA akreditimi mund të vlejë vetëm brenda Kosovës, por Kosova nuk është tashmë e listuar në regjistrin EQAR dhe ekspertët e ENQA-s mund të mos jenë pjesë e akreditimit”, thotë profesori universitar, derisa vlerëson se për këtë pasojat do t’i vuajnë të rinjtë e Kosovës.

“Pasojat do t’i vuajnë të rinjtë pasi dëmtohet mobiliteti dhe vrasja e ëndrrave të të rinjve, është më keq se sa korrupsioni, nepotizmi apo vjedhja e asfaltit”, ka përfunduar ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë për Gazetën Express se përjashtimi nga ENQA është goditja e dytë që merr arsimi në dy vitet e fundit. Kjo sipas tij është si pasojë e ndërhyrjeve nga politika.

“Përjashtimi i AKA nga ENQA është goditja e dytë e rëndë që merr arsimi i lartë në Kosovë brenda dy viteve të fundit, pasi paraprakisht AKA u përjashtua edhe nga EQAR. E gjithë kjo është pasojë e ndërhyrjeve të vrazhda politike në arsimin e lartë, në veçanti pasojë e shkarkimit të Bordit të AKA në shtatorin e vitit 2017”, tha Pupovci.

I njëjti ka shpjeguar edhe çka do të ketë pasojë për studentët dhe të diplomuarit.

“Tani, studentët nga Kosova që dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet në vendet evropiane, si dhe të diplomuarit që do ta vazhdojnë karrierën profesionale në këto vende, do të përballen me procedura më të ndërlikuara për njohjen e kualifikimeve të tyre. Nga ana tjetër, arsimi i lartë në Kosovë mbetet pa mbikëqyrje ndërkombëtare të vazhdueshme, gjë që mund të inkurajojë ndërhyrje të reja politike, me qëllim të realizimit të interesave klienteliste dhe biznesore.  Prandaj, edhe nevojitet një konsensus i subjekteve politike që kjo nuk do të ndodhë dhe kjo duhet të jetë një nga temat e para me të cilat do të merret qeveria e re’, ka thënë Pupovci.

Në shkurt të këtij viti AKA ishte përjashtuar edhe nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas katër vite sa ishte anëtar i saj.

Kjo pasi që ishte marrë vendim për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të menaxhimit të Agjencisë së Akreditimit.

 

Emërohet ud.drejtori i Agjencisë së Akreditimit (Dok)

Periskopi.com Lajme

Avni Gashi, është emëruar Ushtrues Detyre i Drejtorit të Agjencisë Kosovare për Akreditim.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka zëvendësuar Ushtruesin e Detyrës së Agjencisë  Kosovare e Akreditimit, gati një muaj pas shkarkimit të zyrtares së kaluar që mbante këtë pozitë.

Në vendimin e siguruar nga Kallxo.com, të nxjerrë më datën 13 të këtij viti, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi vuri në krye të kësaj agjencie, Avni Gashin.

Puna e tij si UD do të vazhdojë derisa me konkurs të rregullt të zgjidhet një Drejtor i AKA-së.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte  marrë vendim për shkarkimin e Shyhrete Reqicës nga pozita e Ushtrueses së Detyrës në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Sipas vendimit arsyeja është moskryerja e obligimeve në bazë të përgjegjësive të ngarkuara dhe efikasitetit të punës së AKA-së.

Më herët mediumi ka shkruar për shkresën drejtuar Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë ku është kërkuar  shkarkimi i UD Drejtores së Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Shyhrete Reçica.