Salihaj: Ndërhyrja e politikës tek akreditimi i universiteteve nuk i shërben Kosovës

Periskopi.com Lajme

Jonuz Salihaj, njohësi i çështjeve të arsimit, ka thënë se Kosovës nuk do t’i shërbente nëse politika ndërhyn në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në fushën e akreditimit të universiteteve.

Pas vendimit të KShC-së për mosakreditimin e tri universiteteve publike, atij në Pejë, Prizren e Mitrovicë, Salihaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak të mostrajtimit me prioritet të arsimit.

“Është për të ardhur keq pasi arsimi s’po trajtohet me prioritet. Po të trajtohej mirë s’do të kishte kaq politizim. E dimë që shumica e universiteteve ishin vendime elektorale. Më 2010 ishte themeluar Universiteti i Prizrenit e pas dy vjetësh u ratifikua. Dy vjet veproi jashtëligjshëm”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk beson që ky vendim të jetë bërë njëanshëm, teksa ka shtuar se të gjitha këto universitete të mosakredituara kanë pasur problem me staf e menaxhim të jashtëm apo të brendshëm.

“Është vendim i rëndë e i vështirë për këto tri universitete, por nuk besoj se ne duhet të përzihemi në këto. Jemi këtu ku jemi, për shkak të nepotizmit. Vendimi besoj është i pakthyeshëm. S’do të ketë regjistrim të studentëve të rinj këtë vit. Duhet ta shikojmë rrjetin e këtyre institucioneve”, ka thënë ai teksa ka thënë se nuk duhet që në të gjitha këto universitete të ketë drejtime të njëjta, pasi “nuk të diplomuarit nuk po i shërbejnë tregut të punës”.

Duke komentuar reagimet e politikës pas këtij vendimi, Salihaj ka thënë se ministri i Arsimit do të duhej të linte “institucionin të kryente punën e vet”.

“Nuk i shërben Kosovës nëse këtu ndërhyn qeveria apo MASHT-i pasi tashmë jemi përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Nëse ndërhyjnë s’besoj se mund të kthehemi. Nuk besoj se studentëve u shërben një program jocilësor. Një diplomë veç në letër nuk i duhet askujt. Secila parti që vjen po e keqpërdor arsimin. Duhet të vetëdijesohemi që të mos ketë keqpërdorime të tilla”, ka deklaruar më tej ai.