Tri universitetet publike të paakredituara presin vendim tjetër, KSHC thotë se nuk janë në agjendë

Periskopi.com Lajme

Tri universitetet publike – “Isa Boletini” në Mitrovicë, “Haxhi Zeka” në Pejë dhe “Ukshin Hoti” në Prizren – të cilat nuk kanë marrë akreditim institucional për 1 vit, janë në pritje të një vendimi tjetër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim).

Përfaqësues të këtyre 3 institucioneve e kanë konfirmuar për Kohën Ditore se kanë bërë ankesë në Komisionin e Ankesave në Agjenci dhe presin që Këshilli t’ua vazhdojë akreditimin. Kjo pasi, sipas tyre, vendimi për mosakreditim ka qenë “tendencioz” dhe “joligjor”.

Të tria këto institucione kanë bërë të ditur se janë të gatshme të hapin konkurs për pranimin e studentëve të rinj nëse Bordi i Agjencisë merr vendim pozitiv.

Por, në Këshillin Shtetëror të Cilësisë kanë treguar se mbledhjen e radhës do ta kenë në fund të tetorit, dhe në atë mbledhje çështja e këtyre universiteteve nuk do të jetë fare në rend dite.

Në korrik të këtij viti Këshilli Shtetëror i Cilësisë miratoi raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilat konstatonin se këto 3 universitete nuk i plotësojnë kriteret për akreditim.

Disa nga vërejtjet që ishin gjetur ishin se universitetet kishin ofruar shumë pak dokumente në gjuhën angleze, ndonëse vlerësimi nga ekspertët bëhet në këtë gjuhë. Po ashtu, vërejtje ishte dhënë edhe për mungesën e zotimit të gjuhës angleze nga stafi, mungesa e Kodit të Etikës, mospublikimi në uebfaqe të universiteteve i rregulloreve të brendshme, raporteve të vetëvlerësimit etj.

 

Doganës i mungon akreditimi, por vazhdon të kontrollojë cilësinë e derivateve

Periskopi.com Lajme

Laboratorit të Doganës së Kosovës qysh në fund të muajit prill i ka kaluar akreditimi, megjithatë ky laborator ka vazhduar që të bëjë testimin e naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit doganor të tyre, si dhe kontrollimin e cilësisë së karburantit.

Kjo po shihet si e jashtëligjshme, pasi që udhëzimi administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në nenin 20, pika 5 precizon se deklarata e konformitetit duhet të bazohet në raportin e testimit të karburantit të lëngët të naftës të bërë në laboratorin e akredituar.

“Karburantet e lëngëta të naftës të prodhuara jashtë vendit duhet të jenë të shoqëruar nga deklarata e konformitetit e lëshuar nga prodhuesi/përpunuesi. Deklarata e konformitetit duhet të bazohet në raportin e testimit të karburantit të lëngët të naftës të bërë në Laboratorin e Akredituar sipas kërkesave të standardit EN ISO/IEC 17025 me fusha të akreditimit që mbulojnë kërkesat e këtij Udhëzimi Administrativ apo në bazë të certifikatës së lëshuar nga Trupa për vlerësim të konformitetit e akredituar sipas kërkesave të standardit EN ISO/IEC 17020, Tipi A”, thuhet në pikën 5 të nenit 20 për deklaratën e konfomitetit, deklarata e cilësisë dhe metoda e vlerësimit të konformitetit”, thuhet në udhëzimin administrativ.

Kompetencën për kontrollin e cilësisë së naftës laboratori i Doganës së Kosovës e ka marrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në prill të vitit 2015, kur me këtë ministri ka udhëhequr ish-ministrja Hykmete Bajrami.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se pas përfundimit të akreditimit më 29 prill të këtij viti, Dogana nuk ka dërguar kërkesë për riakreditim.

“Laboratori doganor për testim të naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit tarifor të tyre në kuadër të Doganës së Kosovës është akredituar për herë të parë në vitin 2015, për fushën e akreditimit ‘Testim i naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit tarifor të tyre’ dhe jo për cilësi të derivateve. Akreditimi i Laboratorit në fjalë, ka skaduar me datë 29.04.2019 dhe nga Dogana nuk kemi pranuar kërkesë për riakreditim për fushën përkatëse apo për zgjerim fushe, përkundër njoftimit nga ana e MTI-së”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MTI-së.

dërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për KosovaPress se janë në proces të riakreditimit.

“Realisht nuk mund të themi që Dogana nuk ka akreditim, laboratori i Doganës është laborator i akredituar, por realisht certifikata e akreditimit ka përfunduar me një datë të caktuar, tani jemi në proces të riakreditimit. Kështu që, nuk mund të themi që është laboratori pa asnjë akreditim. Gjithsesi, më duhet të kthehem tek fillimi i temës, Dogana analizat e naftës për në aspektin e cilësisë nuk ka zgjedhur që t’i merr vet, analizat e naftës i janë deleguar si kompetencë pikërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila përmes një udhëzimi e ka heq kompetencën nga trupat inspektuese dhe e ka vendos tek Dogana”, thotë ai.

Vazhdimi i kontrollimit të cilësisë së naftës pas skadimit të akreditimit është vepër penale thotë Jakup Gashi, pronar i laboratorit “Sierra-lab” i cili është i akredituar për kontrollin e cilësisë së naftës nga MTI dhe nga DPA e Republikës së Shqipërisë.

Ai thotë se edhe kontrollin që e bënë Dogana është një mashtrim, pasi që sipas tij Dogana ka qenë e akredituar vetëm për tri metoda, ndërsa me udhëzim administrativ kërkohen 19 metoda për kontrollin e naftës.

“Kjo edhe në fillim ka qenë e akredituar për tarifim të mallrave, do të thotë përgjegjësia e Doganave është mbledhja e tasave është taksa mbledhës, jo për verifikim të cilësisë. Qysh në fillim Dogana e Kosovës, laboratori i Doganës ka qenë i akredituar për tri metoda derisa kërkohen me udhëzim administrativ 19 metoda. Kjo ka qenë simulim, ose një mashtrim me konsumatorin, me qytetarët, se nuk ka pasur kontroll. Mirëpo, edhe tani që katër muaj ose pesë sa i ka skaduar akreditimi është vepër penale, me udhëzim administrativ kërkohet të jetë i akredituar, derisa për ne trupat e pavarur të autorizuar nga MTI-ja kërkohet të kemi akreditim”, shprehet ai.

Përkundër që akreditimi i ka kaluar në muajin prill, Dogana e Kosovës ka shpallur tender për furnizim me pajisje për caktimin e numrit oktanik dhe cetanik.

Ky tender sipas Gashit është i paligjshëm dhe një mashtrim, pasi sipas tij Doganës nuk i duhen pajisje të tilla.

“Kjo është e njëjta siç ka marrë edhe përgjegjësinë për kontrollimin e cilësisë, pra në momentin kur Qeveria është në ikje merren vendime të tilla. Para përfundimit të ish-qeverisë është kaluar edhe kjo kompetencë tek Dogana, e cila ka qenë e pabazuar në ligj, ka qenë e jashtëligjshme dhe sot ende ekziston së punuari pa bazë ligjore. Edhe ky veprim tani i Doganës të shpallë tender për të blerë pajisje është i paligjshëm, është mashtrim, është humbje e buxhetit, shfrytëzohet qeveria në ikje. Nuk e di çka i duhen Doganës ato pajisje kur Dogana është taksambledhës, asnjëra prej atyre pajisjeve nuk ka të bëjë me tarifim, ka të bëjë me cilësi”, shprehet ai.

Për këtë ka një përgjigje zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili thotë se nuk është kompetencë e askujt që t’i tregojë Doganës së çfarë duhet të blejë e çka jo.

“Nuk është kompetencë …. që të na mësojë se çka duhet të blejmë, çfarë pajisje duhet të blejmë dhe çka nuk duhet të blejmë. Realisht ato janë kompani private të cilët kanë interesa private, Dogana është institucion publik i cili mbron interesat publik të këtij vendi”, thotë ai.

Stavileci ka potencuar se Dogana e Kosovës nuk ka zgjedhur që të jetë autoriteti kompetent për bërjen e analizave, por që i janë deleguar kompetencat nga MTI-ja.

 

 

Këto janë programet e studimeve që janë akredituar dhe ato që NUK janë akredituar

Periskopi.com Lajme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), me datë 18 Qershor dhe 15 Korrik mbajti mbledhjet e saj nr. 73 dhe 74. Në kuadër të pikave të rendit të ditës u shqyrtuan Raportet Finale për nivelin Institucional dhe atë të Programeve të Studimit, të hartuara nga panelet e ekspertëve ndërkombëtar. Mbi këtë bazë KShC i AKA-së mori vendimet mbi akreditimin e IAL-ve dhe programeve të tyre të studimit.

KShC njofton opinionin publik dhe të gjitha palët se vendimet e marra janë rezultat i punës e cila është e bazuar në përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre si organ i vetëm rregullatorë për cilësinë në arsimin e lartë, ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ 15/2018, udhëzim ky hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, KShC sqaron se IAL-të të cilat kanë marrë vendim negativ në vlerësim institucional mund të vazhdojnë punën e tyre me studentët aktual, mirëpo nuk mund të regjistrojnë student të rinj për vitin akademik 2019-2020.

Për të parë listën me vendime për akreditim apo mos akreditim të programeve të studimit, ju lutem klikoni këtu. Ju njoftojmë se pjesa e mbetur e programeve të studimit do të trajtohet në mbledhjet e ardhshme të KShC-së.

Këto lista nuk janë përfundimtare dhe mund të pësojnë ndryshime, varësisht nga rezultatet e procedurës së ankimimit që mund të zhvillohet në shkallë të dytë në Komisionin e Ankesave ndaj vendimeve të KSHC-së.

Universiteti i Pejës rrezikon të mos akreditohet

Periskopi.com Lajme

Ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), kanë rekomanduar që Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, të mos akreditohet.

Ky rekomandim ka ardhur pas vlerësimit të ekspertëve Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, sipas të cilave, ky Universitet ka parregullsi të shumta, veçanërisht në sistemin udhëheqës dhe menaxherial.

Raporti ende nuk është miratuar dhe votuar nga Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), mirëpo në rast miratimi, Universiteti i Pejës nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Ngjashëm me Universitetin e Mitrovicës, i cili gjithashtu ka marrë rekomandim për mosakreditim, Universiteti i Pejës, është kritikuar për mungesën e dokumenteve relevante në gjuhën angleze, gjatë këtij vlerësimi.

“Procesi i përgjithshëm i akreditimit ka qenë mjaft sfidues: pavarësisht se institucioni ishte i vetëdijshëm se procesi do të kryhet vetëm në gjuhën angleze, shumë pak dokumente janë vënë në dispozicion në anglisht, në mënyrë që ekspertët ndërkombëtarë të vlerësojnë përputhshmërinë institucionale me standardet e jashtme”, thuhet në raport.

Sipas tyre, ky Universitet ka shkuar deri në ekstrem gjatë shkrimit të Raportit të Vetëvlerësimit.

“Ekipi i ekspertëve ka ardhur në përfundim se shumë pjesë të Raportit të Vetëvlerësimit, aspak nuk përkojnë me realitetin (implementimin e vërtetë të proceseve, përshtypjet reale të komunitetit të stafit akademik). Institucioni duket të ketë qenë shumë i zënë për të prezantuar praktikat institucionale në mënyrë pozitive, saqë ka dështuar në mënyrë të plotë në kapacitetin vetëkritik, si në dokumentet e dorëzuara, ngjashëm edhe në takimet e mbajtura gjatë vizitës”, është shkruar në raport.

Tutje ekspertet kanë theksuar se Universiteti duhet të jetë më i hapur dhe i sinqertë, kundrejt dobësive, mangësive dhe gjërave që duhet përmirësuar, në mënyrë që ekspertët të kenë një pamje më reale mbi Universitetin e Pejës.

“Kjo jo vetëm që e ka bërë të vështirë për ekipin e ekspertëve që të bënte dallimin mes informacionit objektiv, fakteve të cilat nuk mbështeteshin nga dëshmitë dhe gjykimeve të paqëndrueshme, por gjithashtu, i ka shtyrë këto eksperte, që të dyshojnë nëse Universiteti është i vetëdijshëm për sfidat e tanishme dhe ato të ardhshme, dhe nëse kanë aftësinë për identifikimin e rreziqeve në mënyrë që t’i adresojnë në mënyrë të duhur”, është sqaruar më tej.

Andaj si përfundim, ekipi i eksperteve ka deklaruar se Universiteti i Pejës, përkon pjesërisht me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të AKA-së, prandaj edhe kanë rekomanduar që të mos akreditohet ky institucion.

“Ekipi i ekspertëve beson se këto mund të tejkalohen lehtë, nëse do të kishte një plan strategjik gjithëpërfshirës, një menaxhment të informuar dhe të aftë, një udhëheqësi të organizuar mirë, një administratë dhe sigurim të cilësisë dhe nëse komuniteti akademik do të mblidhej rreth filozofisë institucionale për t’i motivuar ata drejtë arritjes së misionit institucional”, është theksuar në përmbledhjen e këtij raporti.

 

Ministri Shala: Akreditimi kontribuon në zhvillimin ekonomik përmes reduktimit të kostove të tregtisë dhe të bërit biznes

Periskopi.com Lajme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, me rastin e Ditës Botërore të Akreditimit, tha se akreditimi, por edhe standardizimi dhe metrologjia kontribuojnë në zhvillimin ekonomik përmes reduktimit të kostove të tregtisë dhe të bërit biznes.

“Dita Botërore e Akreditimit thekson rolin e akreditimit në shtimin e vlerës në zinxhirët e furnizimit. Akreditimi, së bashku me shtyllat tjera të infrastrukturës së cilësisë siç janë standardizimi dhe metrologjia, janë një mjet i pranuar gjerësisht që kontribuon në zhvillimin ekonomik përmes reduktimit të kostove të tregtisë dhe të bërit biznes, duke mundësuar integrimin e bizneseve në zinxhirët global të furnizimit si dhe ngritjen e besimit në mes të partnereve në biznes”, tha ministri Shala.

Sipas ministrit Shala zhvillimi ekonomik në përgjithësi dhe zhvillimi i sektorëve të infrastrukturës së cilësisë në veçanti janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova.

“Adresimi i këtyre sfidave është prioritet i im gjatë këtij mandati qeverisës në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. MTI është e përkushtuar të ndërtojë dhe zhvillojë një sistem efikas, të qëndrueshëm dhe në përputhje me praktikat e mira në ngritjen e infrastrukturës së cilësisë dhe sektorëve tjerë të cilët kanë impakt në ekonomi. Ne po punojmë në vendosjen e drejtë të kritereve dhe standardeve teknike për produkte dhe shërbime, të përcaktuara me marrëveshje tregtare dhe legjislacion të harmonizuar të BE-se si dhe krijimin e mekanizmave adekuate dhe me kompetencë për zbatimin e tyre. Kjo do të mundësoj ngritjen e konkurrueshmerisë në tregun vendor dhe të jashtëm, eliminimin e barrierave tregtare, të siguroj mbrojtjen e jetës dhe shëndetit për konsumatorin si dhe të ofroj një mjedis më të sigurt duke u bërë pjesë e integruar e organeve ndërkombëtare”, tha ministri Shala.

Shala bëri të ditur se fusha e Akreditimit është përfshirë si njeri ndër komponent kryesore në projektin Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport, projekt i cili realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka një vlerë prej 14.3 milionë euro. Ai ka shtuar se me këtë synojnë që të krijohet Qendra Kombëtare e Cilësisë.

“Fusha e Akreditimit është përfshirë si njëri ndër komponent kryesore në projektin Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport, projekt i cili realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka një vlerë prej 14.3 milionë euro. Ky projekt, nder tjera, ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit dhe njohjes ndërkombëtare të Infrastrukturës së Cilësisë në përgjithësi, dhe Akreditimit në veçanti. Me këtë synojmë që të krijojmë Qendrën Kombëtare të Cilësisë”, tha Shala.

Shala më tej ka shtuar se në përmbushje të obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja, kanë punuar në harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

“Në përmbushje të obligimeve që rrjedhin nga neni 80 i MSA-së, kemi punuar në harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, duke kompletuar infrastrukturën ligjore të akreditimit, konkretisht hartimin e katër akteve nënligjore që derivojne nga Ligji i Akreditimit. Gjithashtu, kemi formuar TASK FORCËN për koordinimin e aktiviteteve ligjore dhe teknike për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë”, tha ministri.

Shala më tej ka përmendur hapat që kanë ndërmarrë sa i përket lehtësirave për bizneset dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Në drejtim të krijimit të lehtësirave për biznese, në këtë rast, për TVK-vë që operojnë në Kosovë, është hartuar Politika e Gjurmueshmërisë së Matjeve më të cilën pranohen certifikatat e kalibrimit të lëshuara nga AMK për masë, termometri dhe volum. Kjo mundëson që TVK të kryejnë shërbimet e kalibrimit për fushat e lartcekura brenda Kosovës, më shpejt, më lehtë dhe me kosto më të ulët. Në kuadër të politikave për përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë, me theks të veçantë mbrojtjen dhe sigurinë e konsumatorëve, kemi hartuar Ligjin për produktet e ndërtimit, i cili përcakton kushtet dhe rregullat për vendosjen në treg të produkteve të ndërtimit”.

Ministri tha se për tu siguruar që qytetarët e Kosovës marrin shërbime mjekësore me cilësi dhe rezultate të sigurta, kanë ndërmarr iniciativën për të bërë të obligueshëm akreditimin e laboratorëve mjekësor.

“Akreditimi i këtyre laboratorëve do të thotë që laboratorët i janë nënshtruar një procesi rigoroz të vlerësimit të përmbushjes së kërkesave të standardeve, kompetencës teknike të stafit dhe përdorimit të pajisjeve të duhura”, tha Shala.

       

Kosova shënon Ditën botërore të akreditimit

Periskopi.com Lajme

Kosova do të shënojë sot Ditën Botërore të Akreditimit, një nismë globale, e themeluar nga Forumi Ndërkombëtar i Akreditimit (FNA) dhe Bashkëpunimi për Akreditim Ndërkombëtar të Laboratorëve (BANL), për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e akreditimit.

Tema e këtij viti fokusohet në atë se si akreditimi siguron vlera të shtuara për zinxhirët e furnizimit.

Ngjarja do të nxjerrë në pah pikëpamjet e folësve kryesorë mbi rolin e akreditimit në mbështetje të ekonomisë së Kosovës, si dhe përditësimet e tanishme të politikave.

Dita Botërore e Akreditimit është pjesë e një sërë ngjarjesh të Fushatës së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik “Të flasim për ekonomi!” të Zyrës së BE-së në Kosovë, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DAK) e Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE-ja “Mbështetja e Lëvizjes së Lirë të Mallrave në Kosovë”, projekt i impementuar nga IBF International Consulting. Gjatë kremtimit do të zbulohet logoja e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit (DAK).

Fushata “Të flasim për ekonomi!” fokusohet në shfaqjen e angazhimit të BE-së në progresin ekonomik të bërë tashmë në Kosovë, si dhe përfshirjen e tanishme dhe të ardhshme në perspektivat zhvillimore të saj.

Ajo fokusohet në shembuj konkret të krijimit të vendeve të punës, investimeve të huaja dhe zhvillimit të suksesshëm të sektorit privat, angazhimit të rinisë dhe grave në sektorin afarist, përkrahjen në trajnime në vend të punës, zhvillimin e startup-eve dhe ndërmarrësisë.

Ndryshe, kjo ditë në Bashkimin Evropian kremtohet nga anëtarët e Bashkëpunimit Evropian për Akreditime (BEA)./